Ndoc Gjetja: Besoj në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë

Sot, më 9 mars 2016, do të mbërrinte 72-vjet, por nuk e kemi mes nesh. Ndoc Gjetja, një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, ai në këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek t’a tradhëtonte njeriun. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdoi të shkruajë deri në ditë të fundit me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm poeti i mendimit, ndjenjës, poeti që na rrëfen botën e njeriut, intimitetin, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ndoc Gjetja na ka lënë kujtesën dhe poezinë, këtë pasuri të jashtëzakonshme.

Autoportret

Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E majftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja,sa ndjenja,sa fjala e thëne dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimimi në ballë dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në diten e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetem njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit,uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilen fitoj varfërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *