Nga Gazmend Leka
Gjatë gjithë jetës sime, kur më pyesnin se ngase kisha frikë, u përgjigjesha menjëherë, nga errësirra, tërmeti dhe avioni. Habiteshin tek u konfidoja me kaq lehtësi, por unë thellë – thellë dëshiroja t’i përflisja dhe i përflisja ato sa herë që më jepej rasti. Po të shprehem me zhargon, do të thoja se pikërisht me to e kam “kruajtur” tërë jetën. Më dukej, se duke i përfolur e duke i pikturuar, i ktheja në qenie konkrete, i bëja prezente dhe si të tilla, e kisha më të lehtë t’i bëja të parrezikshme në jetën time. Ishte njësoj sikur të hyje në zemër të tajfunit, aty ku mbretëron qetësia.
Bëra “Errësirën” në pikturën time, që si perçe i mbulonte sytë ngjyrës, për ta bërë më misterioze. Bëra ciklin “Ikarus” ku avionët binin nga qielli si zogj të vrarë, të djegur e të përcëlluar. Bëra “Tërmetin” tek “Varri Bosh”. Kështu merrja hak ndaj tyre. Kështu shpëtoja prej tyre. Kështu shpëtova prej tyre.
Por mendova se shpëtova. Frika ime nuk ështe larguar. Ka marrë tjetër pamje, atë të “Çastit të fundit”. Do jetë çasti kur unë të gjendem përpara portave fillikat i vetëm. Do t’i shty, t’i hap ato, por nuk di nëse do të hapen! Nuk di nëse “Çasti i fundit” është portë që hapet, apo portë që mbyllet!
Kështu nisa të pikturoj “kokat” e botës në momentin e kalimit, në “Çastin e fundit”, kur ata u ndodhën përpara portave. Besoj se nuk e kanë patur të lehtë. Kanë patur ankth e frikë si gjithë të shumtët . Më të lehtë e kanë patur në botën që lanë pas. Kur ikën matanë, nuk na rrëfyen asgjë çfarë ndodhte andej, por u mjaftuan duke na lanë bëmat e tyre, ato bëma që ne i përflasim në të mirë e në të keq.
Dikush bëri fjalën e lartë, dikush tjetër, pikturën, skulpturën, arkitekturën e lartë e disa të tjerë bënë politikën e lartë. Na kanë lënë Sinfoninë e 9, Ferrin, Purgatorin e Parajsën, Kupolat e Katedraleve e shumë të tilla. Dimë t’i shijojmë ato deri në thellësi të shpirtit, edhe pse ende nuk ndajmë dot, se kush kreu krimin më të lartë…ai që bëri “10 ditët që tronditën botën”, apo ai që thirri se “Zoti ka vdekur”?
Tashmë ata janë gurë mortorë. Janë “natura morta”. Kanë mbetur mes nesh për adhurim. Unë thjeshtë, i pikturova.
MBI EKSPOZITEN
“Nuk ekziston rastësia. Ne çdo ditë ecim drejt vendeve dhe personave që na kanë pritur prej kohësh”- [G. Dembech].
“Natura Morta” titullohet ekspozita e re e Gazmend Lekës me kurator Ardian Isufin. Ajo hapet me 17 nëntor 2016, ora 18.00 e mund të vizitohet deri më 30 Nëntor 2016 te Galeria FAB – Universiteti i Arteve.
Sipas Isufit, “Natura Morta” është një udhëtim psikologjik që sendertohet në gjuhë piktorike nëpërmjet objekteve të heshtura.
Gazmend Leka propozon përtej pamjes fillestare me “Njerëz e Sende”, një loje filozofike me imazhin e vdekjes të ngurosur në mendjet tona.
Antropologjia e çastit të fundit në pikturat e tij është në të njejtën kohë “fiksim i historisë” por edhe “fiksioni i ngjarjes” të personazheve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e njerëzimit, për të shpjeguar sipas tij në gjuhë metaforike se në fund të rrugëtimit tonë “Drita është Hija e Zotit”.