Mbretëresha e ilirëve, Teuta, që u bë shëmbëlltyra e parë e një femre guximtare ndaj fuqisë romake, është harruar nga studiuesit, thotë shkrimtari dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo.
Ai ka publikuar një ese ku apelon për thellimin në studimet shkencore që të përmbushet profili i historik i mbretëreshës ilire.
Konkretisht Zeqo shkruan: “Ky është një boshllëk hutues. Autorë të huaj kanë shkruar për të fragmentarisht. Burimi kryesor është Polibi, përshkrimi i të cilit në shumë pika për Teutën dhe ilirët i ngjan një reportazhi politik, ku urrejtja ndaj Teutës është maksimale dhe institucionale. Burimet arkeologjike janë të kufizuara, disa dokumente epigrafike krijojnë një informacion të përafërt. Dhe kaq”.
Zeqo tërheq vëmendjen e arkeologëve:
“Nuk janë bërë zbulime brenda kështjellës ilire për të dhëna për epokën e Agronit dhe Teutës (gjetje artefaktesh etj.). Qyteti Dimalium që lidhet, sipas Polibit me një veprim luftarak të Skerdilajdit, është zbuluar dhe identifikuar. Të mangëta janë kërkimet në Foinikë, ky terren që ka shumë gjurmë të Luftës së Parë iliro-romake.
Dihet që Teuta erdhi në pushtet mbas fitores së Medonit, dhe kur mbreti Agron vdiq në kulmin e lavdisë së fitores në vitet 230-228 para Krishtit. Në fillim ishte si tutore e birit të Agronit dhe gruas tjetër Triteutës”.
Esseja e Moikom Zeqos hap një dritare të panjohur mbi profilin e mbretërshës së Ilirisë:
“Ka mbetur në hije. S’dihet fati personal, si ka vdekur, apo e kanë vrarë. Polibi që e urreu, megjithatë thotë diçka të veçantë që ajo i dërgonte letra. Ku janë studimet për letrat, dhe nëse përdorte letra të shkruara në ç’gjuhë ishin? Shëmbëlltyra e Teutës bëhet një matricë. Kundërshtimi i saj ndaj Romës u reflektua edhe tek dy luftërat e tyre iliro-romake që mbyllen me disfatën e Gentit në 167 para Krishtit. Për 99 vjet, një shekull që nga Pleurati tek Genti – shteti ilir është një dukuri konkrete, një fuqi e madhe ushtarake me status institucional, një realitet kryesor mesdhetar i historisë antike, ku është hera e parë që shkëlqen emri i një mbretëreshe ilire. (Shqiptarja.com)