Gjendja shëndetësore e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli vijon të jetë e vështirë. Para katër ditësh ai u shtrua në sanatoriumin e Tiranës për shkak të një problemeve me rrugët e frymëmarrjes.
Burime të ‘Panorama’ pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” thanë se ai vijon te jete ne gjendje të rëndë: “Ka qenë në gjendje të rëndë dhe aktualisht është në reanimacion. Është vendosur në atë që quhet frymëmarrje të drejtuar, për shkak të problemeve kronike që ka pasur me mushkërinë prej më shumë se 15 vitesh. Aktualisht gjendja vijon të jetë e rëndë, por po tregon stabilitet. Dje është bërë një përpjekje për ta nxjerrë nga frymëmarrja e drejtuar, por akoma nuk ka ardhur në parametrat e duhura”.
Shkrimtari festoi 85-vjetorin e tij të lindjes në tetor të vitit të shkuar, me ç’rast u mbajtën një sërë aktivitetesh nga institucionet shqiptare dhe u botuan tri drama të panjohura e një libër me poezitë e tij të fundit, titulluar “Prit edhe pak” – poezi që kanë qenë në dorëshkrim dhe botoheshin për herë të parë dhe shumë prej tyre qenë poezi dashurie. Po me rastin e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Akademia e Shkencave i dha lexuesit në Shqipëri tri dramat e tij: “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”. Dramat “Fytyra e dytë” dhe “Baladë për një grua” janë krejt të panjohura për lexuesin deri më sot, kurse drama “Mosha e bardhë” është botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitet 1970-1980.