Këshilli Kombëtar i Restaurimeve është mbledhur të premten për të vlerësuar projektin mbi restaurimin e fasadës së mbetur nga ish Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, i shembur pak ditë më parë.
Nga Mirela Kumbaro- Ministre e Kulturës
“Tempulli Abu Simbel në jug të Egjiptit, ndërtuar në shkëmb nga faraoni Ramses II, në shekullin 13 para Krishtit, pasuri botërore e UNESCO-s, u bë qendra e diskutimeve të restauratoreve dhe të ekspertëve të UNESCO –s në vitet 60’ kur presidenti egjiptian Gamal Abdel Nasser vendosi ndërtimin e digës së madhe të Asuanit mbi Nil për të prodhuar energji dhe për të rritur kapacitetet vaditëse.
Tempulli kolosal duhej shpëtuar ose do të fundosej nën ujërat e Nilit.
Unesco dhe shteti egjiptian vendosën ta zhvendosin tempullin duke e çmontuar krejtësisht për ta rindërtuar më sipër, mbi një kodrinë artificiale në buzë të liqenit të ri të krijuar nga diga.
Ishte ky një operacion spektakolar i udhëhequr nga UNESCO, i një projekti revolucionar që shpëtonte trashëgiminë kulturore dhe i hapte rrugën zhvillimit dhe modernizimit të vendit.
—-
Në vitet 2000 ne Selanik, realizohet zhvendosja e kazermave te vjetra ushtarake ndërtuar në vitin 1900 dhe klasifikuar trashëgimi kulturore për t’i hapur rrugë ndërtimit të rrugës së re!
I dhashë këto dy shembuj, larg dhe afër në kohë e në hapësirë, për t’i kujtuar vetes së zhvillimi nuk është i papajtueshëm me trashëgiminë dhe se trashëgimia është vetë historia e zhvillimit.
—-
Historia e stadiumit nuk është vetëm e tij.
Është historia e Luftës dhe e Paqes. Histori e njerëzve dhe e Kryeqytetit. Histori e sportit dhe e tifozëve. Por edhe histori e arkitekturës , e bërjes dhe zhbërjes së saj, histori e ndërtimit të qytetit dhe e batërdisë urbane.
Në Arkivin qendror të Ndërtimit gjenden vizatimet origjinale të projektit të Stadiumit të projektuar nga fiorentini Ark.Gherardo Bosio. U përkasin viteve 1939-1941, koha kur arkitekti projektoi në detaj thuajse çdo objekt të Sheshit të Liktorit, sot Sheshi Nënë Tereza e Sheshi Italia. Punimet nisën vrullshëm e ndoshta çdo gjë do të përfundonte nëse Italia e viteve ’40 nuk do të shpallte kapitullimin. Për tre vite rresht punëtorët punuan mbi ngrehinat e Stadiumi të Tiranës, duke lënë përgjysmë punën në nëntor të vitit ’44. Lufta e dytë botërore kishte përfunduar e Tirana e gjeti veten të papërgatitur për të vazhduar me forcat e saj punimet e objekteve madhështore të asaj kohe.
Megjithate qyteti doli më i fortë se Lufta dhe e mbaroi si mundi e me sa mundi, jo krejt projektin e Bosios, por stadiumin Qemal Stafa, që u përpoq t’i ngjante sa më shume projektit të Bosios.
Vitet 60, 70, 80 sollën nderhyrje brutale për nga materialet dhe natyra pa menduar nje grimë per monument a për trashëgimi.
Por masakra e viteve 90 ishte ç’ishte… Nuk kam dëshirë të rimarr më fjalë atë që na kanë parë sytë në këto vite tranzicioni. Ne kemi prezantuar disa herë fotot e barbarisë ekonomike, urbane dhe mjedisore që i kemi bërë stadiumit, them “kemi” dhe jo “kanë” sepse – le ta pranojmë – edhe kur s’kemi bërë gjë për ta ndaluar atë dëm që kanë bërë, kemi bërë një dëm të madh.
Dhe bash për këtë ka humbur besimi, ka humbur besimi se gjërat mund të bëhen mirë! Unë e kuptoj këtë frikë prodhuar me plot të drejtë nga barbaria e 25 viteve. Por jemi këtu sot për të dhënë provën se gjërat kanë ndryshuar.
Fasada kryesore perëndimore, është pjesa që respekton më shumë projektin dhe idenë origjinale të Bosios, jo vetëm kaq, kjo fasadë brenda të cilës ndodhemi është ura lidhëse arkitekturore dhe kulturore me pjesën tjetër të qytetit: sheshin Italia, sheshin Nënë Tereza, kompleksin arkitektonik përtej, por edhe me nostalgjitë e qytetit dhe të tifozëve si dhe me kujtesën e profesionistëve.
Sot nuk do të gjykojmë nëse duhet apo jo stadiumi, nëse duhet apo jo këtu. Ky vendim është marrë dhe personalisht s’kam dyshim se duhet dhe si anëtare e KKT, rikonfirmoj aprovimin tim për këtë.
Por si kryetare e KKR dua të ndaj publikisht pozicionin tonë dhe punën që kemi bërë në këta muaj me arkitektët për të ecur para me projektin në planin e trashëgimisë kulturore edhe për t’i ruajtur sharmin, pra fasadën, jo vetëm si pjesë muzeale, por edhe si funksion, të njëjtin që e ka dhe sot, jo vetëm si element i integruar në brendësi, por si pasaportë hyrëse duke e ftuar njësoj si dikur publikun në stadium, në stadiumin e tij.
Arkitektët kanë bërë një punë gjigande dhe aspak të lehtë.
Për të përgatitur projektin që do të paraqesin sot, konservimin dhe restaurimin e Fasades si monument kulture i kategorisë së dytë, fiorentinët arkitektë kanë bashkëpunuar me fiorentinët restauratorë, konkretisht me Palazzo Spinellin, partner i Ministrisë së Kulturës qysh prej dy vjetësh tashmë.
Unë dua të falenderoj Marco Casamontin për bashkëpunimin e ngushtë dhe vëmendjen fisnike ndaj gjithë sugjerimeve dhe shqetësimeve tona për të ruajtur monumentin pa penguar zhvillimin, për gjetjet arkitektonike që ka bërë që besoj do të kënaqin jo vetëm kriteret e konservimit por edhe do t’i japin përgjigje gjithë skeptikëve se aspekti monumental i Stadiumit me demek do të prishet.
Falenderoj Emanuele Amodei-n , president i Palazzo Spinelli-t, për bashkimin e fuqive me ekspertizën e vet dhe sot ndodhet këtu krah Marco-s për të prezantuar jo vetëm para KKR, por edhe para kujtdo që ka interes të asistojë në këtë leksion mbi modelin revolucionar të ruajtjes së trashëgimisë përmes një martese me ndërtimin modern.