Maks Velo-Lumturi Blloshmi, artistët në përplasje për të drejtën e autorit

piktura
Fotografia e Lume Blloshmit

YLLI DRISHTI*
Para disa ditësh në GKA artisti Maks Velo kërkoi që nga ana jonë si GKA të dilnim publikisht ndaj cenimit të së drejtës së autorit nga ana e piktores Lumturi Blloshmi, për punimin e saj me titull “Zarabanda” (Ftesë në ferr), që ai dëshmon se e ka realizuar, ekspozuar dhe botuar shumë vite më parë dhe se nga autorja Blloshmi është përdorur qoftë edhe pa e cituar këtë si fakt. Për këtë ndodhi që z.Velo shprehet se nuk i ndodh për herë të parë, z. Maks Velo kërkoi një qëndrim tonin më tepër për faktin që të ndalohet ky si fenomen në Shqipëri, nga ana e artistëve shqiptarë dhe veçanërisht atyre të rinj. Duke e mirëkuptuar kërkesën korrekte të zotit Velo dhe duke vlerësuar pozicionin e tij si qytetar në radhë të parë, por edhe si një artist krijues e intelektual që ka marrë pjesë në debate, diskutime mbi artin, trashëgiminë kulturore, do donim të jepnim edhe ne mendimin tonë në parim mbi temën delikate të “kopjimit” të një artisti prej një artistit tjetër dhe vështirësitë që hasen në gjykimin apo dhe gjetjen e të drejtës së autorit në veprat e arteve pamore.

Do desha mirëkuptimin e të dyja palëve si krijues dhe realizues të së njëjtës temë, pa dashur të luaj rolin e një përcaktuesi të drejtësisë apo atë si ekspert arti, pasi ky pozicion në këtë rast të vë përpara mjaft vështirësive, meqë të dyja palët japin argumentet e tyre pa pasur asnjë mirëkuptim e tolerancë.
Së pari, kemi të bëjmë me dy gjini arti të ndryshme, nga njëra anë janë me dhjetëra e dhjetëra punime grafike të piktorit Maks Velo dhe nga ana tjetër fotografi të artistes Blloshmi të një instalacioni me lëkura portokalli.
Së dyti, punimet janë realizuar në dy dekada larg njëra-tjetrës: z.Velo e ka ekspozuar ciklin e tij “Ftesë në ferr” në ekspozitën e tij vetjake në dhjetor 1991, ndërsa znj.Blloshmi pas më shumë se 20 vitesh (2014), duke e realizuar atë si instalacion të fotografuar po nga ana e saj. Por, edhe si imazhe video në një shfaqje koreografike baleti, në Durrës. Para se të diskutoj mbi këtë temë si fenomen në përgjithësi në Shqipëri, por edhe konkretisht, dua të kujtoj një mikun tim, piktor nga Elbasani, që brezi im e mban mend mirë. Ismail Cani, i cili në vitet kur ishte nxënës në Liceun Artistik, në Tiranë por më së shumti gjatë viteve studentore 1972-1975, vizatonte dhe pikturonte si Van Gogh -u.

Ishin vitet e vështira sidomos pas plenumit të 4 dhe pedagogët çuditeshin se si kishte mundësi të ndodhte ky fenomen dhe për pak sa e përjashtuan nga Instituti i Arteve. E solla këtë shembull që bashkëkohësit e mi e kujtojnë shumë mirë për të sqaruar diçka që edhe mund të ndodhë natyrshëm si shprehje artistike e brendshme, pa pasur dijeni apo informacionin e sotëm në ato vite të largëta të diktaturës. Në ato vite, Ismail Cani as që e dinte që ai po imitonte apo më mirë kopjonte si stil piktorin e madh holandez Vincent van Gogh. Pra, edhe kështu mund të ndodhë. Në rastin e ekspozitës së piktores Lumturi Blloshmit kam qenë ngarkuar nga GKA për realizimin e ekspozitës (materialet publicitare) dhe për përgatitjen e katalogut të artistes. Me kontakte të përditshme, por edhe të vështira me të, ajo ka kërkuar nga GKA që ekspozitën do ta kuronte vetë në sallën e GKA. Atëherë u vendos bashkërisht në parim që vendosja e punimeve (fotot e instalacioneve dhe disa tablo) të vendoseshin në formë ciklesh dhe në fillim të çdo cikli të vendosej shkrimi i kuratorit përkatës në vite. Ashtu si i vendosëm në katalog çdo vepre diçiturën përkatëse, i kam kërkuar piktores Blloshmi që çdo punim të kishte diçiturën e vet, ashtu si i vendosim ne zakonisht në çdo ekspozitë. Artistja Blloshmi këtë kërkesë të GKA e neglizhoi dhe këtu lindën edhe disa probleme me përdorimin e disa imazheve pa e shënuar burimin e tyre, duke filluar që në punimet e para të ekspozitës te cikli “SHIVA” apo “Është një botë burrash”.
Një “pakujdesi” e artistes Blloshmi, por do të thoshim ndoshta qoftë edhe e kuratorëve të saj në ekspozitat e saj të ndryshme, ka krijuar një precedent jo korrekt në paraqitjen para publikut të ciklit “Zarabanda” (“Ftesë në ferr”, foto 9,10), i cili si cikël piktorik me të njëjtin titull, por edhe si imazhe në historinë e tij, është realizuar dhe ka si autor të parë piktorin Maks Velo. Kuptohet që Blloshmi këtë temë e ka trajtuar me mjete të tjera shprehëse (fotografi). Kuratori i kësaj ekspozite duhej të ishte i kujdesshëm dhe të mos harronte të shkruante qartë e fare thjesht qoftë edhe një shënim: “…se në artin shqiptar për herë të parë këtë tematikë e ka realizuar piktori Maks Velo në pikturat e tij që në vitin 1991…” Një cikël i tij, i shoqëruar edhe me poezi është si album më vete me titullin “Kokëqethja” (Sh.B.FHOENIX, Tiranë 1995). Në shkrimin hyrës, Gjergj Zheji ndërmjet të tjerave thekson: “…Është hera e parë që në Evropë – dhe kjo duhet nënvizuar – që nga burgjet e diktaturës, qoftë të atyre fashiste, qoftë të atyre komuniste, nga të cilat kemi pasur mjaft dëshmi poetike dhe tregimtare, vjen këtë radhë edhe një dëshmi e përsosur pikture…”. Po me punime nga ky cikël imazhesh më 1996, Maks Velo merr pjesë në Francë në ekspozitën me titull: “Impressions d’artistes – Variations sur le livre” (11 shtator – 25 tetor 1996, shoqëruar me Katalog).
(GSH-Balkanweb)

One comment

  • Lexova shkrimin e Ylli Drishtit mbi shqetesimin e Maks Velos, dhe dua te them se nuk jam dakord. Nuk e pranoj qe Lumturi Blloshmi te kete kopjuar. Me ate argumentim, qe shoh ne shkrim, i bie qe te kishte vetem nje kompozim ‘Shen Meria dhe Krishti’, nje kompozim ‘Kryqezimi’, nje kompozim ‘Zbritja nga kryqi’, nje kompozim ‘Lindja e Venusit’, e keshtu pa fund. Dhe ne historine e artit boteror do te kishte shume shume ca qindra tablo e skulptura. Nje arsye tjeter qe hedh poshte variantin e kopjimit jane formimi, karakteri dhe menyra e punes se Blloshmit. Edhe pikenisja per krijimet me titull ‘Zarabanda’ eshte krejt ndryshe, nga vete kuptimi qe ka fjala Zarabanda: vallja e djallit, lindur e mbareshtuar ne ferr. Lumturi Blloshmi eshte nje autore e fuqishme shqiptare, krijimtaria e se ciles, me shtrirjen e saj i jep nder artit tone pamor shqiptar.

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *