Nga Kristi Pinderi
Kryeministri Edi Rama mendon se që të luftohet ekstremizmi fetar mes të rinjve në Shqipëri, duhet që shkollat publike të ofrojnë orë të veçanta për njohuritë fetare.
“Unë besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare, t’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije, mundësinë që të armatoset me instrumentet e dijes dhe që të mos jetë nesër, viktimë e propagandës tunduese të atyre që nuk kanë asnjë lidhje me profetin Muhamed”, tha kryeministri në një aktivitet të organizuar nga komuniteti musliman.
Ka një përpjekje të padokumentuar siç duhet dhe thuajse të heshtur të politikanëve shqiptarë për të flirtuar me komunitetet fetare.
Mirëpo, specifikisht Edi Rama dhe më herët ministri i tij i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj kanë qenë politikanët kryesorë që kanë tentuar të fuqizojnë e legjitimojnë me një seriozitet e planifikim të frikshëm përllogaritjet dhe mbështetjet zgjedhore përmes flirtimit me fetë.
Veliaj propozoi që në vitin e parë në kabinetin qeveritar rritjen e fondeve publike për fetë me argumentin se më mirë tu japim neve (qeveria) donacione feve se kështu i kontrollojmë edhe më mirë se t’i lemë të mbahen nga donacione të huaja; e Rama s’ka pushuar nga dita e parë që ka ardhur në pushtet së bëri akrobacira fetare, herë duke detyruar Papën të bekojë djalin e tij, herë duke thënë “Jam katolik” (si për të ekuilibruar pritshmëritë e shumicës së fondamentalistëve ortodoksë, që ndoshta ndiheshin të çliruar për një tjetër kryeministër sipas tyre ortodoks pas Fatos Nanos, e pas myslimanit Berisha), herë duke hapur kryeministrinë për evente fetare si për ti bërë karshillik laicitet, e herë, si këtë herë, duke propozuar diçka që vende historikisht fetare, si Irlanda, për shembull, apo Franca, s’po dinë si ta heqin qafe!
Rama, sipas mendimit tim, e ka aq të theksuar kompleksin krahinor e fetar sa nuk le rast për të humbur pa u treguar njëherë si katolik, njëherë si ortodoks e njeherë si mysliman i devotshëm. Nuk është në fakt, as i devotshëm e as ndonjë fetar i përkushtuar ndaj asnjë feje. Jo të paktë janë ata që madje besojnë se Zot ka betonin, jo atë zotin lart në qiell…
Liria e besimeve fetare është një e drejtë themelore e sanksionuar nga Kushtetuta e këtij vendi, e kaq mjafton!
Nuk ka në realitetin shqiptar asnjë përpjekje qoftë të shtetit qoftë të shoqërisë për të kufizuar zbatimin e kësaj të drejte. Ashtu siç, në fakt e dinë të gjithë, nuk ka esktremizëm fetar në Shqipëri. Mirëpo sa më shumë të kthehet feja në qëndër të ligjërimit publik, ndoshta aq më shumë do të polarizohet kjo shoqëri thelbësisht ateiste.
Shqiptarët e rinj që përfundojnë viktima të ekstremizmit fetar janë të tillë jo pse nëpër shkolla u ka munguar informacioni për fetë, por sepse vetë aksesin nëpër shkolla e kanë patur të kufizuar.
Nëse do të arsimosh një brez të ri e ta pajisësh atë me armë për të kundërshtuar ekstremizmin, forma më e mirë është ta arsimosh atë brez, të shpenzosh më shumë nga buxheti i shtetit që asnje fëmijë apo i ri të ndihet i përjashtuar nga sistemi arsimor, pavarësisht aftësive, talenteve, prejardhjes familjare, gjinisë, racës, mundësive ekonomike të familjes, etj.
Një grup të rinjsh që bëhen viktima të ekstremizmit, nuk bëhen se u mungon informacioni fetar nëpër shkolla, por sepse u mungojnë shkollat! Se u mungon perspektiva për të punuar e për të ndërtuar me dinjitet një jetë në vendin ku kanë lindur.
Tha Rama sot: “Globalizmi dhe relativizmi, që vjen nga një mirëqenie më shumë e trashëguar nga të tjerët sesa e fituar me mund, i kërcënon pareshtur nocionet themeltare të vlerave, që shpesh na duken si kuti boshe zbukurimi në shoqëritë tona, në të cilat nevojtari në rrugëtim nuk gjen me çfarë ta mbajë gjallë jo barkun, por shpirtin, jo gojën, por arsyen, jo interesin, por inteligjencën”
Eshtë i vetmi lider në Europë që mendon se shpirti mbushet ose nga parime ekstreme të konsumit globalist, ku domosdo dikush që nuk ka hapësirë për të zgjedhur se nuk ka kushte do ndihet i paplotë, ose nga ideologjia fetare.
E nuk e kupton dot Rama se shpirti mbushet shumë më mirë e shumë më shëndetshëm me dije e kulturë, që ta jep aksesi në edukim, jo aksesi në informacionin doktrinor. E një sistem edukimi të mirë, nuk e bën ekzistenca e orëve mbi fenë. Për të mos thënë që në shkollat shqiptare ka hapësirë të bollshme që të rinjtë të pajisen me informacionin mbi fetë, përmes lëndëve si historia, edukata qytetare apo historia e artit.
Kryeministri Edi Rama, këto gjëra i di shumë mirë, por ai vuan nga kompleksi për të hyrë në histori, ose më saktë: për të mbetur në histori! E ka thënë vetë këtë apo jo?
Viktimat e ekstremizmit fetar në Shqipëri janë të rinjtë që nuk kanë asnjë shpresë edukimi, punësimi dhe integrimi në shoqëri. Ilaçi i vetëm për këtë plagë është edukimi i tyre, krijimi i një sistemi ku kushdo mund të hyjë e të dalë nga shkolla i pajisur me logjikë, me informacion dhe i aftë të jetë kritik. Indoktrinimi fetar nuk mund të jetë as zgjidhje, as alternativë.
Ilaçi më i mirë në një botë globale dhe relative, siç e pranon Rama, është që të rinjtë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre, e të jetojnë në një ambient që pranon diversitetin e tyre, që e shikon atë diversitet si një pasuri që mund të na bashkojë e të na bëjë më të aftë për të jetuar këtu, ashtu siç jemi. Kjo, kërkon jo lendë apo orë të veçanta për fetë, por kërkon një vend që e konsideron rininë si pasuri, edukimin si të drejtë e jo privilegj, pjesëmarrjen e tyre në vendimarrje si qëllim kombëtar.
Pastaj, secili të ketë mundësi të informohet mbi fenë e vet, apo fenë e të tjerëve, apo mbi ideologjinë fetare që më së shumti plotëson qënien e vet.
Por kjo, nuk mund të jetë qëllim apo verdikt i kryeministrit! Vendet ky kryeministri vendos se cfarë fëmijët duhet të mësojnë, janë vende diktatoriale, jo vende demokratike.
Feja dhe besimi është thelbësisht personal dhe ashtu duhet të mbetet. Feja dhe besimi nuk mund të jetëplatformë edukimi.
Ndaj shkolla është thelbësisht laike dhe pasuri e përbashkët, për të cilën nuk vendos dot një kryeministër i kompleksuar që nuk e di as vetë se çfarë feje i përket.