Letërsisë shqipe 400 vjeçare iu hapën dyert përmes Kadaresë

Dita e parë e ngjarjes më të madhe në fushën e bibliotekave në Kosovë i është kushtuar shkrimtarit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare.
Me konferencën shkencore “Ismail Kadare – leximi dhe interpretimi” dhe me ekspozitën “Qytetet e Kadaresë” të martën është hapur edicioni i 14-të i “Javës së Bibliotekës në Kosovë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në konferencë krijimtaria e Kadaresë është trajtuar nga këndvështrime të ndryshme e ndër të tjera ai është cilësuar si shkrimtari, i cili e bëri të njohur edhe letërsinë shqiptare, e cila, ani pse kishte katër shekuj që ekzistonte, ishte pak e njohur përtej kufijve.
Profesoresha universitare e letërsisë, Nerimane Kamberi, nëpërmjet kumtesës së saj “Kadare, shkrimtar përtej kufijve” ka thënë më 1970 kur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në gjuhën frënge shumica e gazetave të Francës nëpërmjet kritikave nuk e fshehën habinë për këtë libër që vinte nga një vend i panjohur e komunist.

“Përveç nga disa studiues e albanologë të huaj, edhe pse kishte 400 vjet që ekzistonte letërsia shqiptare, ajo nuk njihej ose njihej shumë pak përtej kufijve”, ka thënë Kamberi. Sipas saj Kadare do të jetë ai që e bëri atë të njohur fillimisht duke e ndërkombëtarizuar veprën e vet. Ka thënë se Kadare ishte i njohur në Shqipëri qysh më 1963, kur u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

“Franca do ta bëjë Kadarenë të njohur në mbarë botën, por edhe më të madh në vendin e tij. Duke u bërë i njohur në botë ai do të afirmojë Shqipërinë dhe kulturën shqiptare”, ka thënë Kamberi. Sipas saj nëpërmjet veprës së Kadaresë lexuesi perëndimor zbulon një botë legjendash e baladash, ngjarje historike të lumtura e të palumtura madje edhe tragjike. Në këtë konferencë shkencore studimet e tyre i kanë shpalosur edhe Osman Gashi me kumtesën “Ismail Kadare dhe identiteti i letërsisë shqipe”, Gazmend Krasniqi me kumtesën, “Kadare – perspektiva poetike”, Vehbi Miftari me kumtesën “Kadare – letërsia preferenciale” e Anita Lera me kumtesën “Gjeneza e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ në periodikët e kohës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *