“Legjenda e Tarzanit”, një rikthim i bujshëm në kinema

Një nga legjendat më të njohura, rikthehet në ekranin e madh të kinemasë pas shumë vitesh. Është “The Legend of Tarzan” që do të shfaqet premierë  në kinema Millennium prej datës 7 korrik.  Një film me aksion dhe aventurë, bazuar në personazhin e famshëm të krijuar nga Edgar Rice Burroughs dhe mjaft të njohur nga të gjithë. Filmi me regji të David Yates dhe skenar të Adam Cozad e Craig Brewer, ka për protagonist aktorin Alexander Skarsgård.
Në film luajnë edhe aktorët si i fituesi i Oskarit,  Samuel L. Jackson (“Pulp Fiction,”  “Captain America” films), Margot Robbie (“The Wolf of Wall Street”), i nominuari për Oskar,  Djimon Hounsou (“Blood Diamond,” “Gladiator”), i nominuari për Oskar John Hurt (“The Elephant Man,” “Harry Potter” ), me fituesin e Oskarit Jim Broadbent (“Iris”), dhe dy herë fituesin e Oskarit,aktorin Christoph Waltz (“Inglourious Basterds,” “Django Unchained”).
Kanë kaluar shumë vite që kur burri i njohur si Tarzani ka lënë pas xhunglën afrikane për t’u kthyer në jetën londineze me emrin  John Clayton III, Lord Greystoke, në krah të gruas së tij të dashur , Jane. Por ai dërgohet në Kongo për të shërbyer si i dërguari i parlamentit ku do të  përballet me kapitenin belg Leon Rom, i cili ushtron aktivitete të paligjshme dhe ka ngritur një komplot  kundër Tarzanit pa e ditur se cfarë mund të ndodhë.
Aktori Alexander Skarsgård  është shprehur se një nga arsyet kryesore që pranoi të bënte këtë rol, ishte që të impresiononte babain e tij. “Ai është një fans i cmendur i Tarzanit. Unë jam rritur me filmat e Johnny Weissmuller. Por ato filma janë 70 -vjecarë dhe unë gjithmonë kam menduar se duhej një film i ri  për këtë personazh. Nuk besoj se mund të garoj me Johnny Weissmuller, por doja t’i bëja përshtypje babait tim, i cili ishte shumë më entuziast sesa unë për këtë rol.”- është shprehur aktori i cili ka folur edhe për përpjekjet që i janë dashur të bëjë me qëllim arritjen e fizikut të Tarzanit. “Ishte një sfidë e madhe. Nuk e dija sesi trupi im do të reagonte ndaj ushtrimeve dhe dietës, por ia dola” – ka thënë Skarsgård që kaloi plot katër muaj në trajnim të pandërprerë.
Nga ana e tij regjisori David Yates është shprehur për median e huaj se  Skarsgård ka qenë gjithmonë zgjedhja e tij e parë për rolin e Tarzanit që këtë herë është një burrë modern por që vazhdon të ketë muskujt.
Filmi ka filluar të shfaqet në kinematë amerikane prej datës 1 korrik dhe ka arkëtuar në projeksionet e para më shumë se 64 milionë dollarë duke marrë njëherësh edhe vlerësime positive nga kritika.

 

Skeda e filmit
Titulli: “The Legend of Tarzan”

Regjia: David Yates

Skenari: Adam Cozad, Craig Breëer

Aktorë: Alexander Skarsgård, Samuel L. Jackson , Margot Robbie

Kohëzgjatja:  110 minuta

Gjinia: Aksion, Aventurë

Sinopsi: Tarzan, i cili prej kohësh jeton në Londër  vendos të kthehet në shtëpinë e tij të vjetër në xhungël për të hetuar mbi aktivitetet e dyshimta të një kompanie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *