Ledi Shamku-Shkreli
Hej ç’na e le Prillin me shenjë o Dan! Po t’lexoja prapë dje në darkë. Për qejfin po edhe për hallin tim po të lexoja. Po ta shkëpus një pjesë nga shkrimi yt që ishte halli yt e imi, e tash mbeti vetëm halli im!
“Çfarë do të kish thënë Çabej sot, të jetë apo të mos jetë Akademia? Për vete e kam të qartë se çfarë do të thoshte, një njeri që e kreu veprën e vet të madhe jashtë çdo akademie; e kam të qartë se ç’do të thoshte ai njeri punëtor KUR TË SHIHTE NJË GËRXHO-INSTITUCION QË ECËN ME INERCINË E SË SHKUARËS, QË BLUAN FONDE PUBLIKE DHE NUK NXJERR ASNJË DORË MIELL PËR URINË E MADHE QË KANË PËR DIJE SHQIPTARËT, QË BLUAN DHE SHKATËRRON PASURITË E TRASHËGUARA (pyetini çka ndodhur me fondin e Xhuvanit dhe një numri të tjerëve, mësoni si po kalbet në mënyrë të pakthyeshme thesari i Incizimeve që disponon(te) Instituti i Kulturës, pyetini a ka anëtarë të rinj kjo Akademi, pyetini nëse po i thithin gjithë ata djem e vajza që diplomohen e doktorohen në Perëndim, pyetini se sa harxhojnë me konferencat e tyre “ndërkombëtare” dhe nëse është në këto konferenca mosha mesatare nën 70 vjeç; pyetini, pyetini). Ai institucion, dmth Akademia, së paku për pjesën e dijeve humano-shoqërore NUK PRANON TË REFORMOJË VETVETEN”.
Dan, Akademia ishte halli i të dyve ne, edhe i disave si ne; sot ka mbetë veç halli im me ç’po shoh! Isha në Kosovë, Dan! Një mrekulli Akademia e Shkencave të Kosovës, plot me mendje të reja e të shkolluara mirë e lirisht! Dhe më kallxuan si po ua plaste shpirtin kjo Akademia jonë! Edhe Çabejt ia plasi shpirtin njëlloj, edhe ty, e ndoshta edhe mua, që ndërsa po të shkruaj, më duket vetja si një ushtar jashtë kohës, i ndryrë në idealin e vet, që s’do ose s’di të kuptojë se i ka përpjekjet pa pikëpjekje. E kujt i duhen idetë e idealet sot xhanëm? Uhh, sa fjalë t’vjetrume!
Hej ç’na e le Prillin me shenjë, o Dan!