Ledi Shamku-Shkreli
LETËR E HAPUR PËR MENDJET E MBYLLURA
(Pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze)
Lexova reagimin e deputetit shqiptar në Parlamentin malazez, z. Nik Gjeloshaj të cilin e falenderoj me zemër, në lidhje me fjalorin e sapobotuar nga Akademia e Shkencave Malazeze.
Profesionalizmi don që ta shihja me sy vetë atë faqe fjalori, e kështu i falem nderës gazetarit dhe mikut tim Simon Shkreli, për dokumentin dhe shqipërimin e kësaj flete fjalori. Përkthimin po e sjell këtu më poshtë:
1. ALBANIZACIJA- ( albanizimi)- imponim I gjuhes, kultures dhe zakoneve shqiptare- duke pyetur ka dhënë disa përgjigje- në bazë të përvojës refugjatët ortodoks sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sitematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës së II- të Botërore.
2. Albaniziranje- ose- albanizirati
3. Albanizirati- do thotë, se edhe pse Malësoret ( Malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standarti i gjuhës shqipe.
Tani: të moçmit e mij më kanë porositë gjithnjë që, kur jam e nxehur apo e fyer, të numëroj deri në 10, për t’i çelë rrugë arsyes. Dhe unë i dëgjova e numërova. Mbetem e nxehur dhe thellësisht e fyer nga kjo faqe fjalori drejtuar etnisë sime Shqiptare, por tash po më flet arsyeja. Dhe me plot arsye, si Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si Anëtare e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Kulturës, si Studiuese e Shqipes dhe historisë së saj dhe si Shqiptare, i kërkoj zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, që në respekt të së vërtetës shkencore dhe të Konventave Europiane të bashkëjetesës, ta tërheqë një orë e më parë këtë Fjalor nga qarkullimi, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve e duke ndrequr shtrembërimet e rënda në të.
Ç’do me thënë: “Malësorët (Malisori) janë albanizuar”?! Cilët qenkan këta refugjatë sllavë ortodoksë, banorë në trojet shqipfolëse të Malit të Zi, që paskëshin qenë sllavë të ikur nga Shqipëria sipas Akademisë e që më pas na qenkan albanizuar?!
Banorët e Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës e Gucisë? Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve pas copëtimit të Shqipërisë e që do dekada më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të Diktaturës së Enver Hoxhës dhe mbylljes së kufijve tona, humbën edhe komunikimin me shtetin amë e u ndanë për së gjalli për plot 50 vjet, për këta Malcorë Shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi që ruajtën me thonj e me shpirt gjuhën dhe traditat edhe nën Jugosllavinë e Rankoviçëve e Milosheviçëve, kur të tretej boja birucave për një libër shqip, për këta Shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi, të cilët para 10 vjetësh qenë faktori kryesor etnik, politik e social që Mali i Zi të fitonte pavarësinë, e që para do ditësh e kremtuan së bashku këtë pavarësi, për këta Shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët që janë në trojet e veta qysh se ka diell e hënë, e për shkak të dhunës së dikurshme e harresës së tanishme (po po, harresës nga ne për marren tonë), janë rrudhur në gjuhën e kulturën e tyre por po shkrijnë kamje e skamje e gjithë sa kanë, si i nderti Shtjefën Ivezaj, për të mbajtur gjallë Muzè e Dëshmi Shqiptare për brezat që vijnë?!
Sllavë të “albanizuar” në trojet dhe komunat shqiptare të Malit të Zi?! Në ato troje të quajtura historikisht Albania Veneta?! Aty ku edhe fshati ndarës quhet Kufin?!
Ky është turp akademik, dhe fyerje jo e vogël, e cila ka atë përmasë që nuk mund të quhet lajthitje, ngaqë vjen nga një Akademi dhe gjendet në një fjalor të sapobotuar.
Anakronizëm i shëmtuar shovinist, për të cilin besoja se një shtet fqinjë me ne si Mali i Zi, që kërkon të integrohet në Europën e Të Drejtave dhe të Vërtetave, duhej ta kishte hedhur pas shpine si diçka të rrejshme e të dalë kohe.
Jemi një komb gjuhësor ne shqiptarët, dhe shtrembërimet mbi gjuhën janë shtrembërime mbi kombësinë. Jemi vullnetmirë e paqësorë, por jo leshko të paditur e as gjunjëthyer.
Ndaj, i kërkoj Akademisë së Shkencave, që bashkë me ndjesën e duhur, të ndreqë sa më parë këtë shëmti.
Po pres, uroj jo gjatë!
*Deputete dhe Gjuhëtare