Kur kundërshtohej dhënia e monumenteve ne qira, argumentet e Lames, Karaiskajt, Bejkos…

Në vitin 2013, debati i dhënies së monumenteve me qira pati marrë përmasa madhore. Veç zyrtarëve të PD-së të gjithë të tjerët qenë kundër. Ja disa mendime

Artan Lame
Artan Lame pat argumentuar se dhënia me qira e monumenteve nuk mund të trajtohet njësoj si dhënia me qira e një reparti ushtarak, për arsyen e thjeshtë se trashëgimia kulturore po u zhbë, është një trashëgimi nuk rikthehet më. “Nga kjo pikëpamje është absurde që legjislacioni ekzistues i dhënies me qira të objekteve të transplantohet te trashëgimia kulturore”, – thishte Lame. Ai vinte theksin edhe tek lista e 40 objekteve që Instituti i Monumenteve ka projektuar për t’u dhënë me qira. “Tek lista e objekteve të shpallura bëhet fjalë për palcën e trashëgimisë kulturore që përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar. Është e vërtetë që ka eksperienca botërore në dhënien me qira të monumenteve, por në këto raste nuk bëhet fjalë për monumentet thelbësore të një vendi. Italia p.sh, jep kazermat e ushtrisë të shekullit 17-18 që i ka me mijëra, dhe nuk flitet për monumentet që përfaqësojnë identitetin e kombit”, – tha Lame.
Gjerak Karaiskaj
Prof. Gjerak Karaiskaj, ish drejtor i Monumenteve të Kulturës, me përvojë 40-vjeçare në fushën e trashëgimisë, në studimin e fortifikimeve në veçanti, kujtoi dje një historik të dhënies me qira të kalave mesjetare. “Shfrytëzimi si lokale ka filluar që para nëntëdhjetës në ato kala që ishin një potencial turistik. Për shembull në kalanë e Gjirokastrës, një lokal nën tokë përdorej për turistët. Apo lokali në kalanë e Shkodrës. Në të dyja rastet lokalet nuk i kanë kalatë por as u kanë dhënë gjë atyre. Prapë e shoh me rrezik sepse është e pamundur që ta kontrollosh biznesmenin, dhe nuk di që ai biznesmen t’i ketë dhënë ndonjë gjë Kalasë së Petrelës. E pranoj vetë gabimin.”

Rajmonda Bulku
“Ky shqetësim që ju keni qëndron edhe tek ne. Jo më shumë se para një jave kam biseduar vetë me zotin Bumçi dhe i kam shprehur mendimin tim për disa kala ku është ndërhyrë dhe që për mua nuk duhen dhënë me qira, por nga ju do doja që të gjenim një zgjidhje sesi mund të shpëtohen këto monumente, për të cilat mund të themi se nuk jemi gati për t’i mirëmbajtur. Ky është halli i përbashkët dhe nga ju pritet më e mira”, – shprehej Rajmonda Bulku atëkohë deputete e PD-së.

Lorenc Bejko
Edhe specialisti Lorenc Bejko shprehte shqetësimin e disa monumenteve që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të trashëgimisë së lashtë dhe mesjetare të Shqipërisë, që janë përfshirë në listën e hartuar nga Instituti i Monumenteve për t’u bërë pjesë e dhënies me qira afatgjatë, ku ai veçoi Kalanë e Lezhës dhe Kalanë e Ndroqit. “Disa raste i kemi të miratuara si nga Instituti i Monumenteve, ashtu dhe nga Këshilli i Lartë i Restaurimit në MTKRS, siç është rasti i Kalasë së Lezhës dhe Kalasë së Ndroqit. Këto dy kala na jepen si modeli i parë mbi të cilin do të ndërtohet edhe dhënia me qira afatgjatë e monumenteve të tjera. Ne për këtë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, pasi legjislacioni shqiptar e shpreh shumë qartë që në ndërhyrjet në monumentet e kulturës nuk lejohet rindërtimi mbi rrënojat siç është rasti i projektit të Kalasë së Lezhës, sepse duke ndërtuar rrezikojmë të falsifikojnë thelbin e këtyre monumenteve”.

Gjergj Frasheri
Kasapi i parë që mori detyrën për t’u afruar me hanxhar në dorë drejt Kalasë së Lezhës ishte Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) me drejtorin famëkeq zotin Apollon Baçe dhe këshilltarin e tij nga kryeministria, zotin Neritan Ceka. Gjatë viteve 2011-2013 ata hartuan një listë me 22 monumente, midis tyre edhe qytete të fortifikuara si Lezha, për t’ia dhënë privatëve me qira për shumë vite. Që të legjitimohej pra dorëzimi i këtyre veprave të mëdha të historisë së Shqipërisë në duart e privatëve, u njoftua nga “filozofët akademikë” të Tiranës se kishin shpikur termin “rivitalizim” apo “rijetëzim” në praktikën e vlerësimit të monumentit të kulturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *