Ndërsa edhe pak ditë na ndanin nga kremtimi i 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, debatet vazhdonin nëse ajo ishte një luftë e drejtë apo jo dhe nëse duhet kremtuar kjo ditë e shënuar.
“Dita” shkruante se këta të paktët që kanë mbetur ngrihen fuqishëm në mbrojtje të asaj lufte, të kujtimit të dëshmorëve dhe nuk lejojnë që mbi atë periudhë të lavdishme të hidhet baltë dhe të abuzohet.
Profesor Alfred Uçi ishte një nga këta. Ka qenë ndër partizanët më të rinj të asaj armate partizane me 70 m ijë luftëtarë. Nuk i kishte mbushur ende 14 vjeç kur mori pjesë në çlirimin e qytetit të Korçës, ku i tërhoqi vëmendjen një misionari amerikan që i ka bërë më 24 tetor 1944 një fotografi të paharruar që është botuar dhe në shtypin amerikan në atë kohë. Por nuk i pat shkruar ende kujtimet për atë luftë. Ai punonte çdo ditë dhe vazhdonte të botonte libra të çmuar për estetikën dhe filozofinë, fusha në të cilat mbetet i pakrahasueshëm deri më sot në kulturën shqiptare. Ka qenë duke punuar mbi një libër që mund të konsiderohet universal dhe që ka për objekt tre emra të mëdhenj: Kafkën, Migjenin dhe Kadarenë. Megjithatë, në një intervistë Prof. Uçi u kthehej kujtimeve të asaj kohe, kujton bashkëluftëtarët e tij partizanë, ndërsa e quan atë luftë një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Ja si e kujtonte ai:
Së pari, më dhanë mundësinë edhe mua të marr pjesë aktive qysh në moshë të njomë në Luftën e lavdishme Nacional Çlirimtare, që ka qenë ngjarja më e rëndësishme historike e shpëtimtare për lirinë e pavarësinë e Atdheut tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e lidhur Shqipërinë me Aleancën e Madhe Antifashiste Ndërkombëtare. Ndryshe nga ndonjë, që e kujton këtë Lëvizje antifashiste, si mollë sherri e për të ringjallur armiqësi të vjetra që duhen harruar, për mua ajo është një festë fatlume, që i ndjek deri në varr me lavdi të gjithë pjesëtarët e saj për idealin e tyre liridashës, demokratik dhe antifashist. Edhe tani ky ideal e bën njeriun më të mirë, tek duam të afrohemi e të hyjmë në Europën e Bashkuar e të qytetëruar. Gjithë pjesëtares e familjes time u bashkuan me Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Për këtë arsye regjimi fashist e burgosi babanë tim qysh më 8 nëntor 1941 dhe e internoi gati tre vjet në një ishull të shkretë të Italisë. Pas kapitullimit të Italisë im atë u kthye në Shqipëri dhe u bashkua me çetat partizane në zonat e çliruara, u caktua delegat në Kongresin historik të Përmetit dhe Kryetar i Këshillit Nacional-çlirimtar i Devollit. Nëna ime pat qenë dy herë Kryetare e Këshillit antifashist të grave të qytetit të Korçës. Edhe ajo u burgos më 1943 dhe u internua në kampin e përqëndrimit në Porto Romano të Durrësit e në Burrel, nga ku u arratis bashkë me tre shoqe dhe u kthye në zonat e çliruara, ku u caktua përgjegjëse e spitalit të partizanëve në Tudas të Oparit dhe prej andej delegate e Korçës në Kongresin e Përmetit dhe në Kongresin e Gruas në Berat.
– Ndonëse i vogël 14-vjeçar ju keni marrë pjesë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare; mund të na tregoni tani, pas 70 vjetësh, ndonjë ngjarje që të bind se edhe të rinj e të vegjël jepnin kontribut të vlefshëm në atë kohë?
– Ne të vegjlit e vinim re se të mëdhenjtë në kohën e luftës nuk na besonim sa dëshironim dhe prandaj ndonjë herë ndërmerrnim veprime me kokën tonë. Kështu një herë me Vangjush Gambetën, që më vonë do të bëhej gazetar i njohur, vendosëm të shkonim në Plasën e Sipërme, domethënë në kasollet e vllehve, për të folur për rëndësinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe për pjesëmarrjen e të rinjve në radhët e formacioneve partizane. Vajtëm në këtë fshat se i biri i priftit, që kishte qenë një vit bashkënxënës me ne në Liceun e Korçës, vitin e fundit nuk e vazhdoi shkollën ngaqë i ati e kishte vënë të ruante bagëtinë. E takuam shokun tonë, kur po kulloste bagëtinë në një lëndinë pranë kasolleve, ku i banonte familja. I ati, prifti kish shkuar në pyll për dru, kështu që patëm mjaft kohë të lirë dhe folëm mbarë e prapë për fitoren e shpejtë mbi fashizmin. Atij iu mbush mendja dhe na dha fjalën se do të dilte partizan. Dhe vërtet, pa i marrë lejë atit, u nis një ditë dhe shkoi në Batalionin “Fuat Babani”. Pas ca kohësh edhe unë vendosa që të dilnja malit. Të vetmen pengesë kisha braktisjen e familjes -vëllanë e gjyshen, sepse babanë e nënën i kisha të dy të internuar, njërin në Itali dhe tjetrin në kampin e përqëndrimit në Porto Romano të Durrësit. Por duke i besuar asaj fjale që e përdornja shpesh për afrimin e ditës së Fitores, m’u mbush mendja se po vonohesha dhe prandaj, bleva një kasqetë dhe një palë pantallona qillota dhe u nisa drejt Boboshticës, duke kaluar postëbllokun me një lejë hyrje-dalje në Korçë që e kishte pasur një kushëriri im që punonte në rregullimin e aerodromit të ri ushtarak në fushën e Dvoranit. Pasi kaluam natën me shumë shokë rrugën automobilistike Korçë-Ersekë, arritëm në Polenë e prej andej, pas një udhëtimi të gjatë, përfundova në Lavdar të Oparit, ku ndodhej Shtabi i Qarkut të Korçës. Unë prisja aty të më jepnin armët e të nisesha drejt ndonjë formacioni luftarak, kurse më caktuan që të punonja çentralist i telefonave. Një herë kur më duhej të merrja një xhaketë partizane, bashkë me një shok tjetër u nisëm nga Lavdari për të shkuar në Tudas, një fshat i afërt, ku ndodheshin depot me veshmbathje. Në mes të rrugës u ndalëm në një burim se ishte vapë e deshëm të pinim pak ujë. Rastësisht hodha vështrimin prapa, mbi lëndinë dhe aty pashë një varr. U ngjita dhe u afrova dhe aty lexova emrin e shokut tonë nga kasollet e Plasës. Pastaj më treguan se ishte vrarë nga gjermanët gjatë operacionit të dimrit, kur e kishin nisur si korier për të shpënë ca urdhra luftarakë në Vithkuq. Që atëhere e deri tani, kur mendjen ma rrëmbejnë kujtimet, gjithnjë kujtoj me dhimbje e trishtim të thellë shokun dëshmor: Më duket se jam fajtor ndaj tij, më duket sikur unë e Vangjushi e morëm më qafë. E di se në luftë është si në luftë dhe luftë pa sakrifica nuk ka; pastaj ne mendonim në atë kohë se pjesëmarrja në Luftën çlirimtare ishte nder e detyrë për secilin. Pastaj, e qetësoj veten duke menduar se edhe vetë dola në Brigadë partizane, madje jo një herë kam shpëtuar për një fije; edhe vetë mund të isha vrarë, sepse që kurse pashë varrin e shokut, kërkoja me insistim të më transferonin, më në fund u përfshiva në Brigadën e 9-të Sulmuese.