Kthimi pas 16 vjetësh i Sejdi Thaçit, një burri që listohej si “person i zhdukur” nga lufta e vitit 1999 në Kosovë, ka shkaktuar habi të madhe në popull.
Dorontina Raci | BIRN | Prishtinë
Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e çuditshëm të një shqiptari 80-vjeçar nga Kosova i cili u rishfaq në qytetin e tij Klinë të mërkurën, pasi rezultonte i zhdukur gjatë luftës në vitin 1999.
Kthimi i Sejdi Thaçi, i cili është konsideruar si person i zhdukur në listën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Qendrës për të Drejtën Humanitare, shkaktoi habi pas rezultoi se ky burrë i zhdukur kishte jetuar prej vitesh në kryeqytetin serb.
Në kthimin e tij, Thaçi i tha stacionit televiziv Koha Vision se ai u largua nga Kosova me dëshirë dhe se kishte jetuar në Beograd për vite të tëra, mesa duket si person i pastrehë.
Thaçi u deklaruar i humbur nga të afërmit e tij në janar të vitit 1999, pasi u pa për herë të fundit në qytetin perëndimor të Pejës.
Familja e tij e lidhi zhdukjen e tij me vrasjen e pesë të rinjve serbë, nga persona të panjohur në një kafene.
Vrasjet shkaktuan tensione të mëtejshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe tërhoqën një reagim të dhunshëm nga forcat serbe që atëherë kontrollonin Kosovën.
Sipas të afërmve të tij, Thaçi nuk mban shumë mend dhe ata dyshojnë se ai ka probleme mendore për shkak të moshës së madhe dhe shëndetit të dobët. Kthimi shkaktoi shok në Kosovë, veçanërisht pasi u raportua në Ditën e Personave të Zhdukur më 27 prill.
Të dhënat më të fundit tregojnë se 1666 persona mbeten të zhdukur nga lufta e Kosovës në fund të viteve 1990.