– Restaurimi i Kullës së Sahatit në Tiranë ka hapur debat mes specialistëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës. Pas punës së bërë, ka qenë forumi i cili përmes një deklarate e ka quajtur restaurimin skandaloz, pasi në monumentin e kulturës është përdorur bojë plastike. Sipas forumit, (një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore) ndërhyrja është e dëmshme për shkak të bojës plastike që është përdorur, gjë që bën që të humbasë pesha e shekullit tek objekti i trashëgimisë kulturore.
“Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar, duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e ‘restauruar’ e kullës është pjesa që u ngrit më 1928, domethënë gati 90-vjeçare”, shkruan forumi. Në të njëjtën deklaratë thuhet se “pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vite më parë me financimin e ambasadës amerikane, pa pasur asnjë nevojë, kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot”.
“Gazeta shqiptare” ka kërkuar reagimin e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës për çështjen. Në përgjigje të kërkesës së “GSH”, drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani për Kullën e Sahatit është shprehur se: Projekti i ndërhyrjeve restauruese në objektin “Kulla e Sahatit në Tiranë”, monument kulture i kategorisë së I-rë, i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.181, datë 25.09.2015, parashikon një sërë ndërhyrjesh restauruese në këtë objekt dhe është mbështetur në projektin e restaurimit të realizuar sipas projektit të vitit 2009, miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.1, datë 27.03.2009″. Sipas Dollanit, “projekti i restaurimit të Kullës së Sahatit është hartuar nga IMK pas një analize të thellë të monumentit në bashkëpunim me specialistët e Bashkisë Tiranë, të ndërhyrjeve të bëra në të gjatë viteve dhe të problematikës aktuale”.
Më tej drejtoresha e Institutit të Monumenteve shënon se “punimet po kryhen nga shoqëri e licencuar dhe mbikëqyren nga specialistë të IMK” dhe se fton “të interesuarit të shfletojnë materialin e pasur pranë arkivës së IMK, ku vihet re qartë vijueshmëria e përdorimit të materialeve sipas projektit të parë të restaurimit të vitit 2009 kur është përdorur e njëjta bojë”. Po ç’bojë është përdorur, a është përdorur bojë plastike, sikundër thotë forumi? “Boja e përdorur në rastin në fjalë është bojë akriliku me bazë kuarci e përshtatshme për aplikime në fasadat e jashtme. Kjo bojë siguron rezistencë të lartë kundër agjentëve atmosferikë si edhe ka veti të mira që garantojnë frymëmarrjen e fasadës. Kjo lloj boje është vërtetuar se ka aftësi shumë të mira konservuese për godinën ku aplikohet pasi ka përqindje të ulët përthithëse të lagështirës”,- ka thënë drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani. Përtej deklaratave të forumit dhe deklaratës së IMK-së, boja e akrilikut në vetvete është bojë plastike.
Forumi, kritikonte edhe restaurimet e tjera të bëra së fundmi, duke u shprehur se: “Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Gafa është e njëjtë me atë që u bë para disa muajsh kur përfundoi ‘restaurimi’ i varrit të Kolë Idromenos, por atëherë opinioni shkencor dhe ai publik reagoi duke e detyruar Ministrinë e Kulturës të deklarojë sa për sy e faqe se ka edhe një fazë tjetër restaurimi – fazë që në fakt nuk u krye kurrë. Tani një kullë plastike, me makiazh provincial si të vilave të milionerëve të Golemit dhe Gjirit të Lalëzit, u serviret shqiptarëve si ‘rirestaurim’. Para të shpërdoruara për të bërë një restaurim jo vetëm të panevojshëm, pasi kulla ishte tashmë e restauruar sipas kritereve, por edhe të dëmshëm duke i dhënë asaj një imazh që nuk e ka pasur kurrë”.