Doli nga shtypi numri i shtatë i revistës më të madhe kulturore shqiptare,“Symbol”. Ekskluziviteti i këtij numri lidhet me emrin e shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare, i cili ka dhënë një intervistë enkas për lexuesit e kësaj reviste. Në intervistën e tij, Kadare flet për letërsinë e krijuar në dy periudha, të diktaturës dhe të demokracisë, për censurën dhe autocensurën, për kritikën letrare, për vendlindjen, për të fshehtat e artit, për ekstremizmin fetar, për besimin e pakufishëm në letërsi, për refuzimin e postit të presidentit dhe për Republikën e Letrave Shqipe. Intervista pasohet nga vlerësimet e huaja për veprën e Kadaresë dhe nga një recension i autorit të madh amerikan, John Updike, për romanin “Kronikë në gur”. Gjithashtu, në këtë numër botohen edhe dy shkrime për prozën e Kadaresë. Ndërsa, pjesa tjetër përfshin shkrime mbi muzikën, filmin, grafikën, pikturën, prozën, kritikën dhe filozofinë, me autorë: Roland Barthes, Stephen Dalton, Rexhep Qosja, Ridvan Dibra, Gëzim Aliu, Orjela Stafasani, Xhemajl Avdyli, Adil Olluri, Rrezeart Galica, Manjola Brahaj etj.
Revista shpërndahet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e, po ashtu, numrat e saj mund të lexohen edhe online në uebfaqen e Shtëpisë Botuese “OM”. Deri më tani kryeredaktori i revistës, Ag Apolloni, për lexuesit e kësaj reviste, ka intervistuar personalitete të njohura botërore si: Linda Hutcheon, Raoul Eshelman, Gottfried Helnëein, Andreas Huyssen, Mieke Bal dhe D.M. Thomas. Intervista me Ismail Kadarenë botohet me rastin e ’80 vjetorit të lindjes së kandidatit të çmimit “Nobel”, në nderim të të cilit ky vit në Shqipëri është shpallur zyrtarisht “Viti i Kadaresë”.