Ish-Kinostudio shtrihej dikur në një territor rreth 80. 000 m2, prej të cilave ka vetëm 5000 m2. 1050 artikuj nga kostumet dhe disa makina krahas atyre që janë katandisur në llamarina, nën drejtimin e një shoqërie që në status cilësohet “servis” i filmit artistik dokumentar dhe të animuar shqiptar.
Nga Fatmira Nikolli/ GSH
Me gjithë disa “gjurmë” të aktorëve më në zë shqiptarë e makinat prodhim italian, rus e kinez, ish-Kinostudio, i ngjan tashmë rrënojave të një perandorie të rënë. ‘Qyteza’ që pat prodhuar për disa dekada filmat shqiptarë, e ka humbur shkëlqimin e magjinë, vit pas viti prej 1991-it. Gjithë ç’mund ta kujtojë tani atë janë magazinat e makinave përdorur në filma dhe ato të kostumeve- që presin kujdesin e duhur që të mos kthehen në një grusht hekurishtesh e një grusht leckash, sikundër ka ndodhur me ato që janë katandisur në llamarina që do shiten për skrap.
Tek parku i makinave disa hekurishte ku lexon “Fije që priten”, “Dimri i madh”, “Shtigje Lufte”, “Operacioni Zjarri”, “Kapedani”, “Zonja nga qyteti” të zënë rrugën, ku përballë sheh makinat e “Kolonel Bunker”, furgona apo kabrioletë si edhe makina të tjera brenda të cilave ka mbirë bar ose që janë “palosur” njëra mbi tjetrën dhimbshëm. Ka edhe “hekurishte” ku shquan susta krevatesh apo karrige druri e hekuri, rafte e komodina. Të gjitha, jashtë ‘parkimeve’ të mbyllura, ku janë të futura makinat e mirëmbajtura, që kanë nevojë për goma dhe rregullime të vogla.
Muret e godinës ku gjendet drejtoria e “Albafilm” si shoqëri “trashëgimtare” e ish-Kinostudios janë të lagështa dhe me myk- shkallët e varfra që të ngjisin në katin e dytë i ngjajnë godinave të braktisura, ndërsa korridoret e zyrat nuk të thonë gjë për filmin. Në statusin e vet, “Albafilm” njihet si “servis i filmit artistik dokumentar dhe të animuar shqiptar”. Kur regjisori Saimir Kumbaro lajmëroi se “makinat e filmave” do shiteshin për skrap, irritimi publik, kryesisht në rrjetet sociale, bëri kërdinë.
Ndërkaq, sot në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Nezir Selimaj tregon gjithë çka mbetur prej perandorisë së dikurshme, që nga krevatet e hekurit, ibrikët e dhomat e gjumit, te sofrat e filmit “Shtigje lufte”, pishtarët e filmit “Mësonjëtorja”, karrikja e dentistit te “Zonja nga qyteti”, ose kostumi i Sandër Prosit te “Nëntori i dytë”, rrobat e Tinka Kurtit te “Tana”, të Roza Anagnostit te “Mësonjëtorja”, të Elvira Diamantit te “Përrallë nga e kaluara”, e mandej makinat -prodhim italian, rus e kinez. Prej vitesh flitet për një projekt për muze filmi, ashtu sikundër për abuzime të dala në dritë nga KLSH-ja. Dashamirësit e filmit kanë ngritur zërin, por gjithëherë kanë gjetur ‘mungesë fondesh’. Selimaj u jep përgjigje pyetjeve të “GSH”.
– Në çfarë gjendje e keni gjetur ju “Albafilimin” në vitin 2013?
Unë kam marrë detyrën e administratorit të shoqërisë në fund të vitit 2014. Shoqëria jonë “Albafilm”, deri në atë kohë, kishte të ardhura të konsiderueshme kryesisht nga kontratat e qirave me subjektet private. Por, me privatizimin e dy televizioneve, këto të ardhura ranë ndjeshëm, gati në 55%. Problematike ishin edhe konfliktet midis subjekteve private për kufijtë e pronësisë, të cilat i kishin shkaktuar shoqërisë “Albafilm” humbje të konsiderueshme financiare. Probleme e shqetësime ishin krijuar, si rezultat i moszbatimit të dispozitave ligjore për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare.
Shoqëria “Albafilm” funksiononte me një administratë të fryrë dhe që manifestonte edhe paaftësi në kryerjen e detyrave. Nga keqadministrimi “Albafilm” kishte krijuar borxhe të konsiderueshme tek organet tatimore, sigurimet shoqërore si dhe në shoqëri të tjera private dhe individë që kishin kryer shërbime, por që “Albafilm” nuk i kishte paguar dhe ata i kishin fituar të drejtat me vendim gjykate. Në fillim të vitit 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit solli përfundimet e auditit të kryer për periudhën 2013-2014, në të cilat evidentohej një dëm ekonomik i shkaktuar shoqërisë “Albafilm” nga keqadministrimi në rreth 25 milionë lekë të reja.
Dua të shtoj se brenda vitit 2015, me një administrim korrekt, kjo situatë e shoqërisë “Albafilm” sh.a u kapërcye duke sjellë në parametra normalë funksionimin e shoqërisë.
– Nga hapësira që zinte para 1990-ës si ish-Kinostudio, sa hapësirë ka tani “Albafilm”?
Shoqëria “Albafilm” sh.a është krijuar me urdhër të ministrit të Ekonomisë Nr.41 datë 03.03.2004. Shoqëria është ngritur me kapital 100% shtetëror si trashëgimtare e ish-Kinostudios. Në statutin e shoqërisë në fjalë është përcaktuar objekti kryesor i saj “servis i filmit artistik dokumentar dhe të animuar shqiptar”. Shoqëria si trashëgimtare e ish-Kinostudios shtrihej në një territor rreth 80. 000 m2.
Në këto hapësira ishin edhe objektet ndërtesa, të cilat shërbenin për të kryer aktivitetin e prodhimit të filmave. Në vazhdimësi janë privatizuar 33.360 m2, janë transferuar me VKM Korpusi Qendror i ish-Kinostudios tek Ministria e Kulturës, objekti “Atelie e Re” i ka kaluar RTSH, magazina e kostumerisë dhe “Ish-laboratori i filmit”- Ministrisë së Kulturës. Pritet që edhe objekti “Ish-studio e zërit” dhe 2000 m2 sipërfaqe funksionale me VKM t’i kalojnë Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit.
Gjithashtu gjatë vitit 2013 shoqërisë “Albafilm” i janë marrë nga inventari tokë truall rreth 7000 m2 nga Bashkia e Tiranës, e cila është shndërruar në rrugë dhe lulishte në shërbim të komunitetit. Sot, me ndryshimet që priten të ndodhin, “Albafilm” sh.a i mbeten në pronësi parku i makinave rekuizitë dhe një sipërfaqe trualli rreth tij prej 5000 m2.
– Si ruhen kostumet e përdorura për filmat e ish-Kinostudios dhe makinat? Në ç’gjendje janë?
“Albafilmi” në këto vite si veprimtari kryesore ka dhënien me qira të objekteve dhe materialeve rekuizitë ish-pronë e Kinostudios. Nga dhënia me qira e objekteve gjatë viteve shoqëria ka akumuluar të ardhura të rëndësishme. Ato u përdorën pothuajse tërësisht si investime për projektin e një “Muzeu të Filmit shqiptar”, konkretisht për restaurimin e korpusit kryesor të ish-Kinostudios.
Përdorimi i të ardhurave vetëm për këtë projekt edhe jashtë mundësive të shoqërisë “Albafilm”, ka lënë pa investime drejtime të tjera, sidomos parkun rekuizitë të makinave, i cili edhe për shkak të amortizimit shumëvjeçar, ishte në gjendje shumë të keqe dhe aspak të favorshme për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e automjeteve që trashëgojmë. Ky prioritet, i zbatuar në investime, ka pasur ndikimin e vet dhe përsa i përket problemeve në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe restaurimin e kostumerisë civile dhe ushtarake.
– Sa kostume dhe sa makina keni në ruajtje?
Kostumet e përdorur në xhirimin e filmave të ish-Kinostudios deri më tani kanë qenë të vendosur në një godinë 4-katëshe që shërbente si magazinë. Kushtet e papërshtatshme atje kanë pasur edhe ndikime negative në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Mjedisi nuk i plotësonte të gjitha kushtet, sepse ishte një godinë e amortizuar, pa ajrim dhe pa përmasa të mjaftueshme. Kjo godinë, me vendim të qeverisë, i ka kaluar në administrim Ministrisë së Kulturës për ta shndërruar në “Qendër Kulturore për Fëmijë”.
-A mund të më përmendni kostumet e cilëve filma keni në ruajtje- cilët janë në gjendje të mirë dhe cilët rrezikojnë?
Në këto kushte ne kemi gjetur si zgjidhje investimin në një pjesë të parkut që administrojmë dhe aty do të vendosim të gjithë magazinat e kostumerisë. Dua të ve në dukje se lëvizja, herë pas here, nga një objekt në tjetrin i magazinave të kostumerisë, për shkak të dhënies me qira subjekteve private, nuk ka ndikuar për mirë në ruajtjen dhe miradministrimin e kostumerisë, identifikimin e certifikimin e tyre sipas filmave ku janë përdorur, apo aktorëve që ata i kanë përdorur.
Por me gjithë këto, “Albafilmi” ka bërë të mundur të ruajë një pjesë të rëndësishme të kostumerisë së trashëguar nga ish- Kinostudio. Mes tyre, për shembull kostume të përdorur në filma nga aktorë të mirënjohur si Sandër Prosi, (filmi “Nëntori i dytë”), Tinka Kurti (në filmin e parë artistik shqiptar “Tana”) apo aktorja Roza Anagnosti (filmi “Mësonjëtorja”), aktorja Elvira Diamanti (tek filmi “Përrallë nga e kaluara”) dhe aktori i mirënjohur i humorit, Fadil Hasa (filmi “Mao Ce Dun”) e të tjerë.
Kemi ruajtur e mirëmbajtur gjithashtu kostume të ndryshme ushtarake, të përdorur në filmat e temës së luftës, si kostumi i oficerit gjerman i veshur nga aktori Agim Qiriaqi tek filmi “Dimri i fundit”. Jemi duke punuar që gjithë magazinën e kostumerisë ta vendosim në mjedise të reja më të përshtatshme, që plotësojnë më mirë kushtet e ruajtjes së tyre. Për vitin e ardhshëm do përpiqemi të sigurojmë e të planifikojmë fondet e duhura për të riparuar një pjesë të kostumeve që kanë më shumë nevojë. Jemi gjithashtu në proces identifikimi e certifikimi të plotë të të gjithë fondit të kostumerisë, i cili sipas inventarit që kemi kryer është i konsiderueshëm, rreth 1050 copë artikuj.
– Përveç makinave që ruhen brenda në magazina ka dhe makina që ruhen jashtë tyre. U përfol që do të shiten për skrap. Si është çështja e ankandit të tyre? A nuk është e mundur të gjendet një hapësirë edhe për këto makina?
Për sa i përket fondit të makinave, ne aktualisht kemi gjendje inventari: 24 makina të tipave të ndryshme, kryesisht autovetura që u përkasin kryesisht viteve të paraçlirimit si miliçento italiane, si dhe makina të periudhës të pasluftës të prodhimeve ruse dhe kineze. Duhet thënë se, për fatin e keq, si shumë pasuri të tjera tek ne, edhe parku i makinave që trashëgoi ish-Kinostudio nuk i ka shpëtuar vjedhjeve, dëmtimeve e keqadministrimit ndër vite. Me gjithë gjendjen tërësisht të amortizuar të parkut, një pjesë e fondit të makinave është në gjendje më të mirë dhe ka vlera historike dhe muzeale. Atë e kemi të ruajtur në kushte normale dhe kujdesemi për mirëmbajtjen e tyre.
Por një pjesë tjetër, e cila është përdorur për filma me temë nga lufta, e lënë vit pas viti pas dore, është katandisur vetëm në llamarina. Këto ne, duke qenë në kushtet e pamundësisë për t’i rikthyer në identitet e ruajtur si vlerë jemi në kërkim të rrugëve që bëjnë të mundur restaurimin dhe ruajtjen e vlerave të tyre. Për sa i përket pyetjes suaj se a do të shiten për skrap, ju bëj me dije se nuk kemi nxjerrë në shitje e në ankand asnjë makinë që i përket trashëgimisë së ish-Kinostudios.
Ne kemi shpallur ankand mbasi kemi vënë në dijeni Ministrinë e Ekonomisë, që është pronari i vetëm i kësaj pasurie, në zbatim të ligjit për ankandet publike vetëm mbetje metalike të llojeve të ndryshme të grumbulluara ndër vite, që komisioni i ngritur për t’i vlerësuar i ka cilësuar thjeshtë mbetje skrapi pa asnjë vlerë.
Ndërsa, për disa makina të tjera që mendojmë se kanë vlera, jemi duke marrë masa, që me gjithë shkallën e lartë të dëmtimit të tyre, me fondet tona t’i restaurojmë dhe t’i vendosim brenda parkut në kushte më normale. Është fjala pikërisht për dy automjete “Gaz 51”, që kanë shërbyer si mjete gjeneratori elektrik dhe mbajtëse armësh.
– Sa fonde duhen për një restaurim e muze ose minimuze të filmit? A ka “Albafilm” dhe Ministria e Kulturës një projekt për çeljen e një minimuzeu të filmit shqiptar?
Për gjithë këtë punë që kërkojnë dhe projekte kemi kontakte sistematike dhe marrëdhënie normale me Ministrinë e Kulturës. Prej kohësh kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për idenë e një projekti që ka të bëjë me çeljen e një minimuzeu të filmit shqiptar. Autoritetet e ministrisë kanë marrë përsipër edhe të na asistojnë dhe janë në kërkim të fondeve për ta realizuar këtë projekt.
Për vendndodhjen e këtij muzeu po punojmë dhe jemi në përfundim të një mjedisi brenda parkut të automjeteve, i cili bën të mundur që të interesuarit dhe vizitorët të kenë mundësi të shohin si parkun e makinave, ashtu edhe historinë e filmit në një minimuze. Gjithashtu, ministria është në kërkim edhe të një projekti që mund të kontribuojë nëpërmjet një financimi të përbashkët për riparimin dhe restaurimin e disa makinave të amortizuara, por që përbëjnë vlerë, që ju përkasin përgjithësisht filmave me temë nga lufta.
– Aktualisht, i jepni me qira makinat apo kostumet? Ose sendet e tjera që ruani- karrige, tavolina?
Aktualisht ne japim me qira makina të tipave të ndryshme që disponojmë, por për shkak të faktit që prodhimi i filmave është në nivele të ulëta, kërkesat janë të pakta dhe për pasojë të ardhurat janë minimale. Për dhënien me qira të mjeteve ne veprojmë sipas vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë sonë “Albafilm”, me tarifa inkurajuese dhe kontrata ligjore që përfshijnë dhe sigurimin e mjetit që kërkohet nga qiramarrësi. Po kështu, herë pas here, sipas kërkesave ne japim me qira kostume, orendi, veshje, apo materiale të tjera rekuizite që disponojmë. Madje tani po bashkëpunojmë me kompaninë “Digitalb” për një film artistik duke iu vënë në dispozicion mjedise dhe materiale sipas nevojave të tyre. Bashkëpunim në këtë fushë kemi edhe me Teatrin Eksperimental, si dhe me kompani të tjera filmike në Tiranë.
– Ish-drejtori Fatmir Musai në vitin 2012 premtonte një muze filmi. Keni dijeni pse nuk u realizua?
Ka pasur një projekt të filluar nga Fatmir Musai ish- administrator i “Albafilmit” deri në shtator të vitit 2013, për një muze filmi. Ai do të ngrihej në godinën kryesore të ish-Kinostudios. Për këtë muze, siç thashë më lart, janë përdorur fonde të konsiderueshme rreth 97. 000 000 lekë. Për mënyrën sesi është përdorur ky fond Kontrolli i Lartë i Shtetit, vitin që kaloi, pas një auditi, ka konstatuar shkelje dhe ka bërë përgjegjës për to ish-drejtuesit e mëparshëm të shoqërisë.
Siç dihet në godinën ku mendohej të ngrihej ky muze është vendosur Ministria e Kulturës, e cila mendoj se e ka merituar një godinë si ajo ku është vendosur. Ndërsa përsa i përket mundësive për të ngritur një minimuze filmi, tashmë e kemi konkretizuar idenë për ta ngritur në mjedise të tjera tek një pjesë e parkut që po restaurojmë.
– Ndërkaq çfarë bëhet me rekuizitën? Ka të tilla që ruhen? Sa janë dhe të cilëve filma?
Për sa u përket mobilierisë dhe pajisjeve ne kemi mundur të ruajmë një pjesë të vogël të tyre, si për shkak të dëmtimit nga koha e gjatë e prodhimit të tyre, ashtu dhe të vështirësive që kemi për hapësira për t’i vendosur ato. Megjithatë ne kemi mundur të ruajmë dhe të disiplinojmë me inventaret tona, pajisje dhe orendi dhe mjete të tjera, të cilat janë përdorur në filma të ndryshëm. Kemi p.sh sofrat dhe orenditë e tjera te filmi “Shtigje lufte”, pishtarë dhe objekte të tjera të përdorura në filmin “Mësonjëtorja”, karrigen e dentistit dhe orendi të tjera te “Zonja nga qyteti”, krevat hekuri, ibrik, dhomë gjumi e shumë pajisje e orendi të tjera që i mbajmë në ruajtje.