Fatjona Mejdini-Reporter.al
Krijimi i një dioqeze të re të kishës ortodokse në Shqipëri ka rizgjuar një mosmarrëveshje të hidhur rreth shtrirjes së influencës greke te Kisha.Krijimi i një dioqeze të re në Kishën Ortodokse Shqiptare ka shkaktuar zemërim mes një prifti rebel dhe autoriteteve të Kishës, akuzuar në të shkuarën si agjentë të Greqisë.
Krijimi i dioqezës së Elbasanit më 17 prill u denoncua me vrull të mërkurën nga klerik vendas At Nikolla Marku, i cili prej kohësh ka kundërshtuar kreun e Kishës me etni greke, kryepeshkopin Janullatos.
At Marku, që drejton kishën e Shën Mërisë në Elbasan, i kërkoi peshkopit të sapocaktuar të Elbasanit, Andonit, të japë dorëheqjen.
“Andoni, i njohur si Janullatos, të kërkojmë të japësh menjëherë dorëheqjen dhe të mos e pranosh detyrën,” tha prifti në një deklaratë.
Ai gjithashtu akuzoi autoritetet e Kishës se donin të “derdhnin gjak” duke paralajmëruar se nëse e bënin këtë, atëherë pasojat do të binin mbi ta.
Zemërimi i tij duket se është nxitur nga një deklaratë e peshkopit Andoni gjatë shërbesës së tij të dielën në të cilën ai tha se kisha e Shën Mërisë ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme.
“Ne kemi një situatë paradoksale këtu, ku kisha e Shën Mërisë është uzurpuar ilegalisht. Por me ndihmën e Zotit, do të rikthehet te Kisha dhe te besimtarët e qytetit,” tha peshkopi i ri.
Kisha e akuzon At Markun për zaptim të paligjshëm të kishës në Elbasan ngaqë ligji e njeh atë si pronë të Kishës Ortodokse shqiptare.
Kryesuar nga kryepeshkopi Janullatos, Kisha ka pasur mosmarrëveshje të përsëritura me At Markun, të cilin media e portretizon shpesh si një patriot rebel.
Zëdhënësi i Kishës shqiptare, Thoma Dhima i tha BIRN se At Marku nuk kishte lidhje zyrtare me Kishën, që e konsideron atë vetëm si një “qytetar privat”.
“Ai është zëdhënësi i disa segmenteve që janë kundër zhvillimit dhe progresit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare,” tha Dhima.
At Marku e veçoi veten nga Kisha Ortodokse që nga vitet 1990, duke e konsideruar atë një bastion të shovinizmit grek dhe një promovuese të ndasive në komunitetin ortodoks.
Ai thotë gjithashtu se priftëria e tij njihet nga kryepeshkopi i Maqedonisë fqinje dhe se ai është në mënyrë të ligjshme në krye të kishës së Elbasanit.
At Marku nuk e fsheh inatin me faktin se kryepeshkopi Janullatos erdhi nga Greqia për të drejtuar Kishën Ortodokse Shqiptare në 1992 dhe është ende në krye edhe sot.
Disa shqiptarë ndajnë të njëjtin zemërim. Ish-kreu i Shërbimit Sekret të Shqipërisë, Fatos Klosi, i cili ka qenë një kritik i fortë i qëndrimit të gjatë të kryepeshkopit Janullatos në krye të kishës, i tha BIRN se krijimi i dioqezës së Elbasanit ishte një mjet që synonte të mbysë zërin e At Markut.
“Ata kanë caktuar një përfaqësues të lartë të kishës në Elbasan në mënyrë që të izolojnë At Markun. Kisha po krijon një infrastrukturë të re për ta bërë këtë,” pretendoi ai.
Klosi beson se At Marku ka të drejtë kur thotë se është koha që Kisha Ortodokse shqiptare të drejtohet nga një klerik me origjinë shqiptare.
Numri i saktë i besimtarëve ortodoksë në Shqipëri nuk dihet. Sipas censusit të vitit 2011, popullsia shqiptare u vetëdeklarua 56.7 për qind myslimane, 13.79 për qind e pacaktuar, 10 për qind katolike dhe 6.75 për qind ortodokse. Pjesa tjetër janë ateistë dhe anëtarë të sekteve më të vogla.
Megjithatë, Kisha Ortodokse pretendon se përqindja e besimtarëve ortodoksë është më e lartë nga sa sugjeron censusi.