“Im atë Sterjo” Spasse/ Kujtimet dhe arkiva e familjes, babai sipas të birit

Sadik Bejko

Libri i Ilinden Spases “Im atë Sterio”, botuar nga UETPRESS, është një roman i mbajtur në faktet reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, një trajtim kronologjik i shtrirë nga fëmijëria deri në ndarjen nga jeta të shkrimtarit Sterio Spasse.
Biografia letrare e një personaliteti kërkon qëmtimin e imtë dhe përzgjedhjen e fakteve jetësore. Ky libër me një lëndë të bollshme, madje shumësia e materialit jetësor është një nga pasuritë e tij, është mbështetur në disa burime. Ilinden Spasse ka pasur në duar arkivin e gjerë të familjes, një arkiv që është ruajtur dhe sistemuar nga vetë Sterjo Spasse. Burimi i dytë janë kujtimet e tij si autor. Një jetë e tërë e jetuar pranë atit të tij i ka dhënë mundësinë të ndjekë gjithë ulje – ngritjet e gjithë dramacitetin që shoqëroi jetën krijuese të një brezi shkrimtarësh, miq të të atit. Duke qenë dhe vetë shkrimtar, Ilinden Spasse i ka jetuar në thellësi peripecitë e shumë krijuesve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi. Në këtë libër janë bashkuar kërkimi, përzgjedhja dhe derdhja në formën letrare të romanit e gjithë jetës së Sterio Spasses.
Sterio Spasse lindi në fshatin Gollomboç të krahinës së Prespës. Babai i tij, një natyrë mjaft energjike në rininë e tij, me shumë mundim rriti fëmijtë e tij. Sterjon e dërgoi në shkollë. Fillimisht ai studioi në fshat, në Korçë dhe mbaroi pedagogjiken e Elbasanit. Si mësues në fshatin Dervician të Gjirokastrës, në moshën 22 vjeç, Sterjo Spasse ka gati romanin “Pse?”. Me botimin e tij në Korçë, ky roman e vuri autorin ndër pionierët e romanit shqiptar dhe i dha atij një vend prijëtar ndër autorët e quajtur të viteve ’30.
Vitet ’30 kishin sjellë në Shqipëri botimin e disa gazetave ku shpalleshin idetë e disa lëvizjeve letrare e mendore që nga ato të quajturat konservatore të udhëhequara nga Branko Merxhani dhe Vangjel Koça deri ato republikane, e të majta me përfaqësues Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, vëllezërit Stafa etj.
Sterio Spasse i përmbahej një krahu të qendrës, boton tregime, botoi romanin “Afërdita”, shkroi artikuj mbi shkrimtarët e traditës. Kjo e afroi me Dhimitër Paskon, Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun, me të cilët në vitet 40 krijuan revistën Kritika letrare.
Merr pjesë në jetën letrare pas çlirimit, duke bërë gati për botim një roman që pas shumë vjetësh u botua nën emrin “Ata nuk ishin vetëm”. Kalon me vetëpërmbajtjen dhe qetësinë e tij karakteristike vitet kur ndëshkoheshin intelektualët. Jepet nga puna me arsimin, hartimin dhe botimin e shumë teksteve mësimore. Përgatit romanin “Afërdita përsëri në fshat”. Kalimi nga parimet krijuese të një kohe me liri krijuese siç ishte ajo e viteve ’30, te një letërsi me angazhim të fortë politik dhe social ka qenë dramatik për shumë shkrimtarë që u ndodhën në kapërcyell të dy kohërave. Sterjo Spasse dhe të tjerë krijues që nuk ishin shkrimtarë të temave sociale u quajtën dekadentë, iluministë. Romani “Pse?” dhe romani “Afërdita” u damkosën si të tillë dhe nuk u botuan kurrë në vitet e quajtura të socializmit.
Në roman merr vend shtëpia e Sterio Spasses aty te rruga e Kavajës. Në këtë shtëpi me një oborr të mbuluar nga pemët mblidheshin shumë shkrimtarë, miq të Sterios. Marrëdhëniet njerëzore përzjehen me dramacitetin që mbart jeta prej shkrimtari e intelektuali në atë kohë. Veç taktit miqësor dhe human të Sterio Spases në krijimin e një klime të ngrohtë për miqtë e penës, ndihmesë të rëndësishme me mbështetjen e saj pa rezerva jep dhe e shoqja e shkrimtarit. Si një grua e traditës, pa interesa në punën intelektuale, ajo u vinte shpatullat punëve të shtëpisë, rritjes së fëmijëve, një djali dhe dy vajzave, priste e përcillte pa u lodhur miqtë e të shoqit të cilët i vlerësonte nga cilësitë njerëzore. Miq të shtëpisë ishin Dhimitër Paskua, Nonda Bulka, Mahir Domi, Mustafa Greblleshi, Kol Koci etj miq më të rrallë ishin dhe shumë piktorë, skuptorë, gazetarë. Pastaj në shtëpi hynë edhe shkrimtarë të brezit të dytë si, Llazar Siliqi, Fatmir Gjata…pastaj dhe të brezit të viteve ‘60 e ’70. Në libër vijnë hollësi me shumë vlerë për njohjen nga afër të këtyre figurave, për njohjen e atmosferës krijuese të kohës
Duke qenë një nga ndihmësit e të atit shpesh dhe lexuesi i parë dhe daktilografisti i disa prej veprave të tij, në këtë libër vijnë shumë të dhëna mbi jetën krijuese të Sterio Spasses, të dhëna për ngjizjen e disa prej romaneve, për botimin e tyre, ndonjëherë për peripecitë deri sa të botoheshin, për pritjen e tyre nga kritika zyrtare e kohës.
Sterio Spasse ka qenë një krijues sistematik, një prozator i lindur. Ai gjithë jetën është marrë me punë të tjera, si ajo me hartimin e teksteve shkollore, me punën e redaktorit në organet e shtypit të Lidhjes së Shkrimtarëve, por krahas kësaj, ka lëvruar prozën e gjatë. Në vitet e fundit të jetës ai konceptoi dhe e realizoi në një bllok ciklin e gjerë të romaneve mbi Rilindasit. Kjo temë e çoi te një material i vjelë nga jeta, nga shtypi dhe nga arkivat.
Sterio Spasse vuante nga një sëmundje e zemrës dhe sa herë mbaronte një roman, kalonte një atak të lehtë kardiak. Duke qenë nën vëzhgim mjekësor të përhershëm ai merrte veten nën regjim shtrati disa mujor, ndërkohë që mblidhte e përzgjidhte materialin për romanin pasardhës. Me pasionin e gjallë krijues, midis atakëve në zemër, si midis tërmeteve, ai punoi deri në fund, nuk u nda nga puna prej shkrimtari.
Në faqet e fundit të romanit vijnë vlerësimet e kohës për punën e tij krijuese, si: botimi i kompletit të veprës në Kosovë, pastaj edhe në Shqipëri. Romanin “Pse?” që mungonte në serinë e veprave të plota botuar në Tiranë, një miku i tij nga Korça ia skaliti në një gur mermeri në ngjyrën e formatin e botimit.
Sterio Spasse e ka ndjerë veten të plotësuar dhe të realizuar në punën e tij si shkrimtar. Në librin e tij Bisedime me nipin, ai e thekson se duke i përkitur etnikisht pakicës maqedonase, si shkrimtar, si gjuhë dhe figurë e kulturës i takon tërësisht Shqipërisë.
Ky libër i shkruar me përkushtimin e birit për babain është një ndihmesë me vlerë për njohjen e jetës e të veprës së tij prej shkrimtari. Libri është shkruar me mjeshtëri, me vërtetësi artistike, me stil të rrjedhshëm që të bën mos ta lëshosh nga dora këtë roman me kaq lëndë të plotë, me strukturë të ngjeshur e të lidhur mirë për të mbajtur peshën që ka personaliteti të cilit i kushtohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *