Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjekë ëndrrën e saj. Jeta mahnitëse e astronomes Henrieta Levit, një nga astronomet e para në Harvardin e 1900-ës, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri. “Qiell i heshtur”, një komedi romantike, gjysmë biografike e shkruar nga Loren Gunderson është premiera e dytë e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol) që vjen premierë më 5 maj 2016, ora 20:00 nga regjisorja Armela Demaj. Është një vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja, me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut. Puna dhe pasioni i Levit vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoi se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri atë kohë. Me punën e saj dhe të kolegëve, Henrieta lufton kundër stereotipave për aftësitë dhe kontributet e grave në fushën e shkencës. “Qiell i heshtur” është historia e njerëzve, të cilëve pasioni i çon përtej limiteve që shoqëria iu vë. Dhe vetëm duke thyer këto barriera, njeriu arrin të zhvillohet, të bëjë kapërcime politike, që nuk janë vetëm vlerë individuale, por edhe botërore. Vepra është e ndërtuar në formën e një komedie romantike, por ka përplasje shumë të mëdha midis shkencës, jetës, galaksisë përtej nesh dhe njëkohësisht galaksisë brenda nesh. Muzika është e gjallë në pjesën më të madhe të shfaqjes e interpretuar në skenë. Kostumet, gjithashtu të punuara nga Ina Elezi janë të epokës. Ndërkohë efektet vizuale janë realizuar nga Elian Stefa.
Henrieta Levi vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka; Margarita, motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes, pa lënë pianon e kompozimet pas dore interpretphet nga Sonila Kapidani. Dy figura të tjera, me rëndësi në shkencë, Eni Kanon e Amina Fleming, sjellin dy përvoja të tjera jetësore po aq këmbëngulëse e uftarake në mënyrat e tyre vijnë në skenë nga Jonida Beqo dhe Verjana Abazaj. Ndërsa Piter Shoo, një personazh romantik i trilluar nga autorja, që e ka rehatinë e një terreni të gatshëm ku mund të punojë dhe një kornizë të përgatitur nga prindërit në të cilën do të jetojë, por që bie në dashuri me Henrietën, interpretohet nga Redjan Mulla. Pjesa “Qiell i heshtur” shkruar nga Loren Gunderson, përkthyer nga Jonida Beqo dhe me regji të Armela Demajt, vihet në skenë në datat 5, 6, 7, 8, 13, 14, 15, 20, 21, 22 maj.