Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte sot në Gjirokastër në nisje të punimeve për Gjirokastra ‘In white’, projekti që unifikon fasadat e pallateve për lagjen ‘18 shtatori’.
E shoqëruar nga i dërguari i kryesisë së PS-së në qark, ish-ministri Çuçi dhe Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, Kumbaro tha se ky është vetëm njëri ndër projektet e rëndësishme të Gjirokstrës për ta kthyer atë në një qendër të turizmit.
“Jemi në një tjetër moment të rëndësishëm të projekteve në Gjirokastër. Pas restaurimit të pazarit, ishte shqetësim krijimi i një Gjirokastre unikale, jo vetëm tek pjesa e vjetër. Ndërhyrjet deformuese kanë krijuar mungesë ekuilibri mes pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, ndaj një vit më parë në bashkëpunim edhe me Bashkinë, nisëm punën për të lyer 140 objekte, të cilat do ti nënshtrohen një trajtimi korrigjues edhe unifikues sa i takon pikëpamjes estetike”, – tha Kumbaro.
Në këtë inspektim ministrja iu përgjigj edhe shqetësimit të përfolur mbi ngjyrën me të cilën do të bëhet ky unifikim.
“Pjesa e ndërtimeve të reja është ngjyra e hapur e ngrisë, jo e bardhë. Edhe ky projekt është në vazhdën e gjithë investimeve të tjera për ta kthyer Gjirokastrën një kryeqendër të turizmit. Çdo ndërhyrje ka vetëm këtë qëllim ndaj dua të siguroj banorët e Gjirokastrës që kam marrë shënim çdo shqetësim e merak të tyre”, përfundoi Kumbaro.