Roli i Isa Boletinit në mbrojtjen e trevave shqiptare dhe në pavarësimin e Shqipërisë, sipas studiuesve, ishte tejet i madh.
Boletini që ka marrë epitetin “Gjenerali i Pavarësisë” ishte temë diskutimi në tryezën shkencore “100 vjet nga vrasja e Isa Boletinit” organizuar të premten nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Tri ditë para 104-vjetorit Pavarësisë, Boletini, është cilësuar si një nga figurat kyç të kthesës në historisë shqiptare. Ndër të tjera, ai është thënë se ishte njëri nga njerëzit të cilëve Ismail Qemali i besonte fort. Përderisa për të u interesua edhe bota, shkruan sot Koha Ditore.
Anëtari korrespondent i AShAK-ut, Jusuf Bajraktari, derisa ka lexuar kumtesën “Çka simbolizon Isa Boletini në historinë kombëtare”, ka thënë se Boletini është cilësuar nga kronistë, studiues e diplomatë të kohës si atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për bashkimin e viseve me shumicë shqiptare në një shtet të përbashkët e demokratik.
“Një kontribut shumë të çmueshëm na ka lënë me kujtimet e tij me dy vëllime, nipi i Isait, Tafil Boletini, të përpunuara me kujdes maksimal profesional nga profesor Marenglen Verli, me titull ‘Pranë Isa Boletinit’ dhe ‘Përballë sfidave të kohës’… Gjithashtu Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës të botuara në Romë, më 1963 dhe në Tiranë më 2001, sikurse edhe Kujtimet e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Kostë Çekrezit, Nimon Ferizit e shumë veprimtarëve të tjerë shqiptarë na japin të dhëna të bollshme për veprimtarinë e gjithanshme të Isa Boletinit”, ka thënë Bajraktari. (Koha Ditore)