Si një “ishull” me shumicë islame në një gadishull ku mbizotëron ortodoksia, Shqipëria ka zgjuar interesin e studiuesit italian Giovanni Cimbalo, profesor në universitetin e Bolonjës, për të analizuar veçoritë e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke zbuluar në të njëjtën kohë “enigmën” e tolerancës fetare këtu, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike dhe më larg tij. I vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, arriti të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe sepse ky i fundit ka epërsi shifrash. I gjithë “subjekti” është shtjelluar në librin “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, botimet “Naimi”, i cili u promovua në mjediset e Universitetit të Evropës Juglindore, në Shkup, ku ishin të pranishëm, përvecc autorit të librit, edhe studiues e të interesuar të shumtë.
Prof. dr. Blerim Reka, pro-rektor i UEJL, duke prezantuar autorin e librit tha se “prof. Giovanni Cimbalo është profesor i së drejtës komparative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bolonjës dhe themelues i qendrës hulmutuese shkencore juridike LICODU. Ai është autor i dhjetëra librave që trajtojnë aspekte të së drejtës krahasimore, legjislacionit te shteteve të ndryshme që rregullojnë religjionin dhe lirinë fetare. Sipas prof. Rekës, promovimi i këtij libri vjen në një moment kritik të keqpërdorimit dhe te politizimit të fesë, madje militarizimit të saj: Terrorizmi nuk ka fe perkunder përpjekjeve për veshjen e tij me petkun fetar, si nga ata që betohen se këtë e bëjnë në emër të Islamit, po aq nga ata- si Brejviku- në emër të puritanizmit katolik, apo separatistët në Ukrainën lindore në emër të vëllazërisë sllavo-ortodokse”. Më tej, duke u përqendruar tek libri “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, botimet “Naimi”, Tiranë 2015, Reka tha se Shqipëria jepet në libër si një model i laicizmit dhe i tolerancës ndërfetare: si i vetmi shtet evropian me shumicë myslimane, që nuk i diskriminoi asnjëherë besimtarët e feve tjera; se në Shqipëri kurrë nuk pati luftë ndër-fetare dhe, siç shkruan autori në këtë libër, “ky ishull me shumicë myslimane, mbijetoi në një gadishull me mbizotërim ortodoks”.
Duke e marrë fjalën e rastit, prof. Giovanni Cimbalo, pasi falënderoi organizatorët e promovimit dhe kolegët që vlerësuan librin e tij, tha se Shqipëria na ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet në epokën e sotme të globalizmit dhe të Evropës së Bashkuar.