Galeria e Arteve ekspozon thesaret për Natën e Bardhë

Më datë 29 nëntor 2016 Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve sjellin për publikun e gjerë “Nata e Bardhë në Muze”. Gjatë “Nata e Bardhë në Muze” publiku do të ketë mundësi të vizitojë koleksionin e pikturave, vizatimeve dhe skulpturave të ekspozuara në sallat e Galerisë Kombëtare, duke komunikuar kështu me veprat e autorëve shqiptarë të para luftës dhe të periudhës së realizmit socialist.
Kjo natë në Galerinë Kombëtare të Arteve, i bashkohet traditës së 120 qyteteve europiane, në një mbrëmje që starton me orën 18.00 të 29 Nëntorit për të vazhduar deri në orët e para pas mesnatës.  

Enkas për këtë mbëmje artisti i ftuar Eltjon Valle do të përurojë veprën e tij me titull “Primigenius”, një skulpturë që do të vendoset e zbulohet pranë hyrjes qëndrore të kësaj galerie.

Artisti bashkëkohor Eltjon Valle përmes kësaj vepre sjell shqetësimin e tij për ekologjinë, ambjentin e tokën. Vepra e përbërë nga dy struktura është një fuzion i tokës – si vazhdim i ciklit që artisti krijon me tokën dhe natyrën.
Sipas kuratores Angela Madesani, në “Primigenius”, toka bëhet subjekt i një derdhjeje në alumin, një përpjekje që sjell në dritë aspektin organik, jetësor të saj: një operacion kompleks, ku skulpturat pasi të ekspozohen, duke rënë në kontakt me ambientin e jashtëm do të kenë reagime të ndryshme, jo plotësisht të parashikueshme. Materia do të vazhdojë të jetojë, të ngrohet, të ftohet dhe të ndryshojë erën e saj. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *