Frederik Rreshpja, kur shkruante nga burgu kundër Enver Hoxhës

Nëpër portat e partive rrinë komunistët e djeshëm./Më mësojnë mua kush është Marksi./ Nëpër emblema aty-këtu,/ bronxi i thyer i Enverit shfaqet./ Komunistët e djeshëm,/ me tituj të fituar në luftën e klasave,/ më mësojnë mua ç’do të thotë disidencë/ më mësojnë mua ç’janë prangat.”

Këto vargje të Frederik Rreshpjes, janë shkruar më 1992- tashmë në liri, poeti iu drejtohej ‘kolegëve’ me tituj që i mësonin disidencën. Poezia, titullohet “Partishmëria” dhe është shkëputur nga botimi “Duke kërkuar Itakën”- një përmbledhje me ajkën e poezisë së Frederik Rreshpes marrë nëpër dorëshkrime, në gazeta, revista, almanakë, apo libra- një përmbledhje e veprës 46-vjeçare që vjen një botim tejet të përzgjedhur, plot shije, mjeshtri dhe cilësi të lartë nga enti botues “Princi”. Libri shoqërohet me një parathënie të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadaresë, ndërsa botuesi Myftar Gjana, tregon për “GAZETA SHQIPTARE” si e ka njohur poetin. Nga kohët kur vetë Gjana qe student, deri te hera e fundit që e ka takuar.

Një prej poezive më domethënëse, është mbase ajo e vitit 1982- shkruar në burg:
“Miting për Enver Hoxhën” – Ulërijnë servilët dhe injorantët: hosana/ turma pa tru të bie ndër këmbë/ si popull i maskuar fisi i arbrit/ Asnjeri s’e sheh gjakun që rrjedh,/ Anës tribunës si lumë./ Fantazmat e martirëve që ti vrave/ dëshpërohen mbi kokat e turmës./ Por do të vijë një ditë kur bronxin tënd. Turma do ta shqyejë me egërsi./ Dhe, a do të gdhendë për mallkim/ bronxin e ndonjë diktatori të ri”.

Një tjetër, që vlen të vihet në dukje, është ajo më titull “E shkruar vetëm për skllevërit”: Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje/ të këmbët e diktatorit jeni shtrirë/ Dhe më keni quajtur mua skandaloz/ për fjalën time të lirë./ Enveri lëshonte urdhër-vdekje/ Por prangat m’i keni vënë ju./ Tani shkruani për mua parulla nëpër gazeta./ Dhe i varni si prangat nëpër mure./Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë/ kope hipokritësh servilë/ unë muret dhe prangat i pështyj/ kam lindur skandaloz dhe i lirë./

– Në hyrje të përmbledhjes së poezive të Frederik Rreshpjes me titullin “Duke kërkuar Itakën”, ju tregoni për takimet tuaja me poetin. Si e keni njohur atë?
Frederikun e kam njohur qysh në vitin 1986 kur unë isha student në Inxhinierinë e Ndërtimit dhe ai vinte shpesh te dhoma ime. Mundësia e takimit më është dhënë nga Zyhdi Morava, ish-të burgosur politik. Vinte dhe na lidhte poezia. Mbasi rrinim deri në 12:30 të mesnatës zgjuar, ai në të 40-at e tija, na thoshte flini ju, fikte dritën, nxirrte një qiri dhe na shkruante poezi, të cilat në mëngjes na i linte ne. Një pjesë të tyre unë e kam ruajtur.

– Fliste ai hapur me ju për regjimin?
Në grup, studentëve nuk u fliste, ndërsa më mua fliste, sepse unë isha dikush që kisha njerëz në burgje. Kisha ardhur student pasi vdiq Enver Hoxha, pasi në atë kohë, njerëzit në Tiranë kanë folur kundër regjimit.

– Si lindi ideja e librit?
Unë e kisha një amanet këtë libër. Kam ndenjur me të, qindra herë. E kisha shumë mik, e takoja çdo javë. Ose më merrte ai në telefon, ose e gjeja unë ku ishte, sepse ai ka ndërruar shpesh herë shtëpitë me qira, pati një shtypshkronjë deri më 1997- në atë kohë ishte mirë financiarisht dhe duke qenë një nga poetët më të talentuar sensi artistik te ai ishte shumë i fortë dhe e ndalonte të bënte biznes në mënyrë racionale. Më vonë, me kërkonte që t’i botoja veprën. Më pat lënë disa dorëshkrime. Duke qenë bohem dhe në vështirësi ekonomike, më kërkoi t’ia botoja unë veprën e tij. I thashë se do ta bëja, po i thashë po ashtu “nuk e di se kur”.

E kam përgatitur botimin prej tri vitesh. I ka bërë një parathënie të mrekullueshme Ismail Kadare me dëshirën e vet dhe me shumë dashuri. Ka qenë një njeri që ka pasur respekt për poezinë e Rreshpjes. Madje ka thënë që ishte shumë i talentuar.

– A ju ka folur Rreshpja ju për dënimet?
Po, sigurisht. Ai është arrestuar 6 herë rresht. Nuk është dënuar shumë asnjëherë, sepse akuzat kryesore ishin për agjitacion e propagandë që ai edhe i hidhte poshtë. Arrestimi i parë ka qenë më 1957 në vit të tretë gjimnaz. Ai bëri 6 muaj dhe u lirua. Kishte fat se familja e tij ishte e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe një nga familjet më komuniste në Shkodër. Rreshpja nuk kishte asnjë lidhje me vëllezërit dhe motrat përveçse me të ëmën.

Arrestimin tjetër e pati më 1964- u arrestua student. E dënuan tre vjet, por nuk i bëri. Burgu më i gjatë ka qenë në vitet 1970- ku ai u dërgua në Spaç dhe u la katër vjet. Më pas u arrestua sërish në vitet 1980 dhe e kanë liruar. Në vitin 1986 e kanë arrestuar për spiunazh dhe e kanë mbajtur në hetuesi, nga ku më pas doli.

Më 1989 e arrestojnë, sepse bëri një parti socialdemokrate, pa program, por kishte një dëshirë për një parti të tillë.

– Çfarë ka thënë për burgun, i ka vuajtur ato vite?
I ka vuajtur, sidomos hetuesinë, sepse janë sjellë shumë keq me të, e kanë masakruar, i kanë thyer krahun, brinjët, i kanë dëmtuar dhëmbët, ka pasur vuajtje të tmerrshme, ndërsa në burg ka qenë ndryshe, kishte disa rregulla aty. Shpesh e kanë vënë në bibliotekë të përkthente.

– Çfarë është bërë me këto përkthime?
Kanë qenë përkthime të detyrueshme me qëllim përfitimi. I përdorte Sigurimi i Shtetit, ishin libra që nuk dilnin kurrë në treg, por që i duheshin Sigurimit.

– Ju keni botuar një përmbledhje të poezive të tij, si vjen ajo?
Kriteri ka qenë kronologjik. Jam përpjekur të fus në këtë vëllim, që është pothuaj vepër përmbledhëse, gjithë ato që kam mundur të gjej. Rreshpja, u ka lënë edhe të tjerëve dorëshkrime si edhe mua. Ai nuk ka pasur nevojë t’i heqim poezi, sepse nuk ka pasur poezi për regjimin, as ndonjë poezi për partinë, as për Enver Hoxhën. Teknika e tij është avangardiste.

– Ka, edhe poezi të pa përfshira në librat e botuar më herët?
Ato janë shumë poezi. Dua të falënderoj edhe Sokol Zekajn- një poet shkodran që ka punuar gjatë për këtë libër. Kemi vënë me faksimile disa që janë lënë në dorëshkrim.

– Çfarë na thotë “Marrëzia e Itakës” për poetin- aty ka akuza për Lidhjen e shkrimtarëve, për kolegët për ish-enveristët antienveristë, për atë që e denoncoi ditën që shkroi Itakën, flet për Itakën si marrëzi, aty kujtohet Petro Marko, edhe Dhimitër Xhuvani, apo Lasgushi?
Po ta lexosh është Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ose panteoni i njerëzve të letrave të cilës i referohet si Itakë. Duke bërë krahasime me Homerin dhe Odiseun, ai bën një analogji- ishte i zhgënjyer, sepse mendonte se në liri Lidhja e Shkrimtarëve duhet të ishte ndryshe, edhe në komunizëm, duhej të ishte më liberale. Ky ishte atdheu u tij- njerëzit e letrave e të poezisë. Ai u përplas aty. U zhgënjye.

– Poezia “Miting për Enver Hoxhën” e vitit 1982, kur është botuar ajo?
Ajo është një poezi e shkruar më 1982. Unë kam edhe kopje. E mbante mend përmendësh, sepse është një poezi që ka lindur kur ai ishte në burg. I ‘shkruante’ një pjesë në burg dhe i memorizonte. Arshi Pipa kështu ka shkruar për shembull. I shkruanin gjatë ditës dhe i hidhnin në letër në darkë. Ka qenë në burg në atë kohë, është shkruar më 1982, por nuk është botuar atëherë. Ai ka parë njerëzit që ndiqnin Enver Hoxhën. Pas 10 vjetësh, ai shkruante “Partishmërinë” dhe tregon zhgënjimin me Itakën. Ishte idealist që donte lirinë dhe aty u jep përgjigje ish-shkrimtarëve “komunistëve të djeshëm”. Merret me fenomenin, se si në pluralizëm u ricikluan të gjithë përmes partive. Synimi kryesor ishte pushteti, nuk kishte lidhje me lëvizjen studentore. Lëvizja ishte maternitet i partive politike, po nuk kishte lidhje me atë që ndodhi.

– Hera e fundit që e keni takuar ka qenë më 13 shkurt 2006. Atëherë, ju ka thënë: “Si nuk po vdes, mor bir? Unë kam besuar shumë në Zot, dhe i jam lutur të më marrë, por nuk po më dëgjon”. Pse ishte kaq i trishtuar e i dëshpëruar Rreshpja?
E takova te dera e Lidhjes së Shkrimtarëve. E shoh, ishte veshur bukur, me xhaketë me kuadrate, bezhë me kafe. Ishte pa syze. Ishte ulur në shkallë. Më pyeti kush isha dhe më tha që i kish ikur shikimi. Ishte prej ditësh pa ngrënë dhe qe shumë keq shpirtërisht. Më thoshte takova Kafkën dhe kuptova që nuk ishte mirë, që ishte pothuaj në halucinacion. E çova të furgonat e Shkodrës dhe tha dua të shkoj të vdes në Shkodër. Pas 3-4 ditësh mësova se kishte vdekur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *