Festivali Letrar dadaEAST / dadaDAYS mbahet nga Poeteka në datat 26 – 30 shtator 2016.
MAMADADA – Elsa von Freytag – Loringhoven – Who is who:
Gjatë një pasdrekeje në pranverën e vitit 1918, Jane Heap priti një vizitore të çuditshme. Një femër e veshur me një fustanellë skoceze, me bordurë mobiljesh dhe kambale, me lugë akulloresh në kapelën basket dhe me një unazë të mbushur me saçme në gisht, e cila hyri krenare në dhomën e saj. Ishte Elsa von Freytag Loringhoven – një artiste performance, shumë kohë para se kjo fjalë të hynte në fjalor, një poeteshë Dada e orëve të para, që jetoi me moton: Asnjë lëshim në shijen publike. Në qarqet e artistëve njujorkezë Elsa von Freytag Loringhoven ishte e njohur me emrin Baronesha. Lindi në Swinemünde, në vitin 1874. E quajtën Else Hildegrad Plötz. Vinte nga një familje qytetare dhe u konsiderua ikonë e Dadaizmit në Amerikë, ku gëzoi popullaritet dhe ku jetoi nga viti 1913 deri në vitin 1923. Deri në vitin 1922 ishin botuar vetëm 21 vjersha të saj. Ajo ishte si pararendëse e performancës dhe madje edhe shpikëse e “ready-made”.
“E doja botën sepse aty munda të jetoj. E doja botën sepse aty mund të krijoj dhe të bëj art”, shprehej Elsa von Freytag Loringhoven, që gjurmoi gëzimin e jetës, dashurinë dhe të bukurën. Ajo ishte në kërkim të formave të reja të të vështruarit të botës, të këndvështrimit modern në art dhe të perceptimit ndryshe të gjithçkaje. Thyese e rregullave të gramatikës, të sintaksës dhe të informacionit në gjuhën poetike, krijuese e asaj ndërthurje gjuhësore-kimike, përmes të cilave ajo shkruan fjalë të reja dhe kompozime gjithë sarkazmë dhe humor. Elsa von Freytag Loringhoven pushtoi perandorinë e absurditetit, të artit pa logjikë të kthjellët klasike dhe mbeti e interesuar të thyente indentitetin gjinor.
Deri vonë asnjë botues apo media nuk ishte në gjendje të shprehte dhe të botonte dinamizmin e saj. Botimet e saj digjeshin vazhdimisht. Sulme të egra proteste binin mbi romanin “Ulysses” të James Joyce dhe vargjeve “madness” të Baroneshës. Një sulm vdekjeprurës në art”, shprehej kritikja Lola Ridge mbi vjershën “The Cast –Iron Lover” (shtator 1919), ndërsa në vjershën Mbreti Adam, (maj 1919) një femër i kërkon dashnorit të saj seks oral, por në shënimet në fund të vjershës, shënohet se vjersha i kushtohej censurës.”
Diva e çuditshme eksentrike shkruante stilizonte vepra arti të pazakonta. Trupi i saj ishte kthyer në muze, në objekt arti, të cilin ajo e zhvishte, e zbukuronte, e stoliste, e pikturonte dhe e ambalazhonte. Epshi i egër vulgar, transparent sjellë nga trupi antik-mitologjik me aftësi femërore dhe mashkullore seksuale të Elsës, shkaktoi një polemikë të ashpër në mes të seksualitetit femëror dhe fuqisë së kontrollit mashkullor. “Elsa ka një muzë të çuditshme për të joshur meshkujt dhe për t’i bërë ato për vete”, shkruan Gisela Baronin Freytag von Loringhoven në biografinë e saj, “por në këtë kohë në Gjermani nuk kishte vend për atë, për një femër që jo vetëm nuk donte të ishte një objekt i fshehur dhe inspirim.
Një herë përdorte një sytjen, të cilin e kishte krijuar nga një tubet salce domatesh, herë me një konservë sardelesh, mbi kokë, dhe me rrathë celuloidi në krahë. Një herë ajo shfaqet me një kokë të rruar plot shkëlqim dhe të llakosur, me një top baseboll për qafë, sikur të ishte një kolanë për fyt, me një çorape të verdhë dhe një të zezë, me një kapak kove qymyri si helmetë dhe me një qen të lidhur me një rrip të kuq. Me një kokë të një perandori romak me sy të gjelbër shpues, me një zë të ashpër, që vinte nga një vend i shkretuar. Kështu e prezantonte ajo Hamletin në gjermanisht.
Në fund të jetës së saj të larmishme, Mbretëresha-Dada mbeti e vetmuar, fillikat. Më 14 dhjetor 1927 vdes në Paris e fikur nga gazi. Në të vërtetë nuk dihet nëse vdiq kështu apo nga ndonjë shkak tjetër. Bashkë me të ikën edhe shumë kafshë shtëpiake të saj dhe qeni i saj dashur Dada. Mikesha e saj e ngushtë Djuna Barnes e quajti vdekjen e saj: “Një shaka e çmendur që nuk përmbante asnjë sjellje dashakeqe dhe ligësi. ”