Ah, mos e lyp at varg!…Asht shumë ma mirë
Korimbat t’tu mos t’dijn ça do me thanë
Me qenë poet e mos me qenë i lirë,
Me kndue me gojë kur zemërngrita qanë.
Kshu qenka jeta… Me nji lamtumirë
Lyrën qi për ty e kapa due me e lanë,
Pse teli i saj, o lule, dridhet vshtirë
Kur jehon tjetër ska përveç nji zanë.
Lulzo ti prap! Un i padashtun jetën
Tash e kaloj, i vetmi ndër poetën;
E tue kujtuemun puthjen e nji dite,
Puthjen t’ande n’mërgim…un tash ia kndoj
Ma t’bukrin varg t’hyjneshës Afërditë
Ndër hije t’qiparisavet kur t’shkoj…
Ky sonet i Dom Lazër Shantojës, është mbase një ndër më të bukurit e shkruar në gjuhën shqipe. Edhe pse qe klerik katolik, soneti që mendohet ti jetë kushtuar një vajze shkodrane është një heqje dorë prej saj: “Ah, mos e lyp at varg!…Asht shumë ma mirë
Korimbat t’tu mos t’dijn ça do me thanë
Me qenë poet e mos me qenë i lirë…
Ndër hije t’qiparisavet kur t’shkoj…”
Shantoja, poet, orator, përkthyes, njohës i disa gjuhëve të huaj, ishte një ndër shqiptarët e parë që njihte mirë edhe gjuhën esperanto në Shqipëri. Pat bashkëpunuar me Anton Harapin për “Orën e Maleve”, ku pat spikatur aftësia e tij si shkrimtar e poet. Pat miqësi me me Luigj Gurakuqin, ndërsa Patër Anton Harapi do thoshte se: “Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit”.
Pat qenë në burg edhe prej regjimit të Zogut si mbështetës i qeverisë së Nolit.
Dom Lazër Shantoja ka qenë një nga klerikët katolikë që gjatë komunizmit u përndoqën gjer në vdekje. Është rrëfyer disa herë, por asnjëherë nuk ka mjaftuar ai i të ëmës, e cila e ka vizituar të birin pas dy muajsh tortura, e kur e ka parë se sa vuante u është lutur torturuesve ta vrasin që të mos vuante më. “Torturuesit i kishin këputur katër ekstremitetet e trupit. Kështu Dom Lazri ishte i detyruar të tërhiqej zvarrë nëpër qeli me gjunjë e bërryla. Kur nëna e Shantojës shkoi të vizitojë djalin e saj në qeli dhe e pa të vuajë me këmbë e krahë të prerë, iu lut me ngulm rojeve të burgut që t’i tregonin mëshirën e fundit djalit të saj dhe ta vrisnin”.
Me 5 nëntor të këtij viti, dom Lazri, i njohur ndryshe edhe si ‘famullitari i pianofortes’ u shpall “I lumë”. Si një ndër 38 martirët e kishës, për të është folur shpesh, madje është publikuar edhe vendimi me të cilin 50-vjeçari qe dënuar me vdekje nga gjykata si ‘kriminel lufte kundër pushtetit të popullit”
I lindur në Shkodër më 2 shtator 1892, ai u bë i njohur si patriot, poet, eseist, e ndërsa ia mbërriti të përkthente në shqipe edhe autorë në zë si Schiller apo Gëte, Faustin. Qe rritur e formuar, si njeri e si meshtar, në Institutin Papnor të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Ishte veçse një djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, kur u emërua sekretar i arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda, vëllai i poetit Ndre Mjedja.
Gjon Sinishta në librin e tij “Premtim i Përmbushur” shkruante se dom Lazri ishte aq i dhënë pas kulturës, sa e pat çuar pianon mbi kalë në zonën e Sheldisë, një zonë malore pranë Shkodrës, ndaj edhe njihet si famullitari me pianoforte. Qe ndër të parët që u arrestua, po në Sheldi më 1945 e pas torturash barbare u pushkatua në Tiranë më 2 shkurt 1946.