Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, ka kaluar me sukses provën gjenerale në Traviatën që pritet të jetë suksesi i radhës në Operan e Sydneyt.
Televizioni australian “7 news” , në një lajm dedikuar sopranes shqiptare raporton se Ermonela Jaho përfundoi me sukses provën gjenerale për debutin e saj në Australi me operan Traviata me Sidney Opera House.
Premiera e kësaj opera në Australi do të jetë të premten në mbrëmje me orën lokale.
Faqja zyrtare e Shtëpisë së Operës në Sydney të Australisë ka njoftuar se sezoni i vitit 2017 do të nisë me artisten e madhe shqiptare Ermonela Jaho, e cila në shfaqjen operistike “La Traviata” do të paraqitet në rolin e Violetës.
Shtëpia operistike në Sydney të Australisë, në faqen zyrtare ka shkruar se edhe prestigjiozja “The Economist”, e ka cilësuar sopranon shqiptare si më të vlerësuarën.
Ky është debutimi i parë i sopranos Ermonela Jaho në kontinentin australian dhe përgjatë gjithë muajit Shkurt do të ketë disa data të shfaqjes së Traviatës.
Ndërkohë që viti 2017 ka startuar me shkëlqimin e duhur për sopranon shqiptare e cila e nisi vitin me interpretimin me Orkestrën shtetërore franceze në Francë 3 dhe vijoi në Royal Opera House Muscat në Oman ku ishte e ftuara e tenorit me famë botërore Placido Domingo.
Ndërkaq, një tjetër shqiptar po shkëlqen në Operan e Sydneyt, tenori Saimir Pirgu i cili debutoi me sukses me operan King Roger në rolin e bariut. Një produksion që e rendit atë në listën e të nominuarve për çmimin Grammy të këtij viti.(kohanet)