Ermal Sela prezanton 100 instrumente të rralla shqiptare

Dëshira e tij për të koleksionuar instrumente tradicionale shqiptare të vjetra i ka nisur qysh në fëmijëri. Atëherë kur në familjen e tij, gjyshi ruante në një sënduk të vjetër libra që ishin shkruar me fije ari.

Nga Valeria Dedaj, “Shekulli”

E kujton fare mirë atë periudhë, që më pas ndikoi fort në jetën e tij, kur askush nuk duhet që ta prekte sëndukun. Këto detaje sjell në kujtesë, trombisti, Ermal Sela, i cili këto ditë ka çelur në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit ekspozitën “Rrënjët” me instrumente të rralla shqiptare. Kështu, gradualisht, dëshira e tij për të koleksionuar objekte të rralla nisi të shtohej, aq sa sot kujdeset për më shumë se 100 instrumente, veshje tradicionale, monedha dhe objekte të rralla.

Gjatë një bisede për “Shekulli”-n, Ermal Sela tregon se për Festivalin e Tunxhit (edicioni i parë) ka zgjedhur që të ekspozojë vetëm instrumentet muzikore, për të cilat njerëzit shpeshherë mendojnë se nuk kanë vlerë. “Ajo që është më interesante në këtë koleksion është se ne mësojmë se si ka ndryshuar në kohë funksioni i instrumenteve paramuzikor dhe muzikor, pra instrumente që ne i përdorim sot”. Më tej, koleksionisti na tregon funksionin e objekteve të ndryshme që ekspozon përgjatë këtyre ditëve. “Bobël quhet një guackë, që është përdorur në raste rreziku për përmbytje apo zjarr në pjesën bregdetare të Shqipërisë. Briri është përdorur për të dhënë sinjale të ndryshme.

Zumarja është një instrument, i cili është në zhdukje. Bilbili është zhdukur nga qarkullimi. Frula është një instrument që është përdorur nga fëmijët për argëtim, por që nuk përdoret më. Kemi culen dyjare, bilbilat, gajden, lahutën dhe çiftelinë etj. Poçi i Zardimës është punuar me kungull dhe lëkurë lope, por që nuk prodhohet më. Janë pipëzat që janë përdorur masivisht në të gjithë Shqipërinë dhe janë gjithmonë në zhdukje”. Këto janë vetëm disa nga instrumentet që numëron koleksionisti.

Artizanët që prodhojnë instrumente tradicionale, drejt zhdukjes

Artizanët janë drejt zhdukjes. Sela ka takuar disa nga afër, por, sipas tij, ata nuk merren vetëm me prodhimin e instrumenteve tradicionale, sepse janë njerëz të thjeshtë, të cilët punojnë në zanate të ndryshme. Mosinteresimi për këto instrumente nga njerëzit ka çuar dhe në mospunimin e tyre. “Trashëgimia e zanatit të artizanit është pa interes. Nuk ka interes nga ana e popullit, prandaj kalimi i kësaj trashëgimie tek të afërmit apo fëmijët është gjithmonë në zhdukje”. Koleksionisti ka arritur që t’i regjistrojë artizanët dhe t’i kontaktojë për t’i filmuar, meqenëse ata janë shumë pak. Ai na tregon se këtë e bën për të ruajtur dhe rizgjuar përdorimin e këtyre instrumenteve muzikorë. “Nëse ne mund që t’i dokumentojmë, do të kemi mundësi dhe t’i riprodhojmë në një moment të dytë.

Transformimi i vlerave të tyre

Instrumentet muzikore janë pjesë e Trashëgimisë Shpirtërore Shqiptare, janë pasuri shumë e madhe, sepse rrëfejnë historinë e popullit shqiptar ndër vite. Ky është mendimi i Selës. “Edhe në koleksionin që unë kam ekspozuar ka shumë gdhendje, të cilat tregojnë për origjinalitetin e këtyre instrumenteve. Simbolet u përkasin periudhave të ndryshme. Ndërsa instrumentet që prodhojnë sot artizanët janë për përdorim të përditshëm”. Sipas Selës, nisma e ndërmarrë nga Muzeu Historik Kombëtar që çdo individ mund të ekspozojë në një kënd objektet me vlerë, që trashëgon apo posedon nga pasuria jonë kombëtare, ndihmon në ruajtjen e kësaj pasurie.

Rreth 100 instrumente nga e gjithë Shqipëria

Koleksionisti, i cili tashmë i ka të regjistruara këto instrumente na tregon se një pjese të tyre ja kanë dhuruar. “Koleksioni im i instrumenteve arrin deri në 70 instrumente muzikorë, një pjesë janë origjinale dhe një pjesë të riprodhuara. Në koleksionin tim jam munduar që të prek të gjithë zhanrin e mundshëm, prandaj shikojmë lahutë autori, të prodhuar dhe zbukuruar në mënyrë perfekte. Lahuta me kokë blete, që është shumë e vjetër dhe një lahutë më përkrenaren e Skënderbeut. Prandaj në këtë koleksion preken të gjitha, instrumentet që janë në zhdukje dhe pse janë përdorur gjerësisht në Shqipëri. Në koleksionin tim janë gjashtë zumare të zonave të ndryshme të Shqipërisë, të cilat dallojnë nga punimi dhe zbukurimi në një krahinë në tjetrën”.

Ilir Kodhima (trombist)

Instrumentistët gjatë prezantimit të ekspozitës ndalën edhe te Festivali i Tunxhit (edicioni I). Ilir Kodhima, trombist, shprehet se:Është kënaqësi që të kontribuosh për vendin, të jesh pjesë e tij në çdo kohë, edhe në periudha të vështira. Ne në edicionin e parë të Festivalit të Tunxhit në Shqipëri sjellim artistë nga Australia, Serbia, Kosova etj.

Isak Shehu (profesor i Trombës në UA)

Në Shqipëri kanë nisur që të ngrihen formacione frymore. Orkestra që performoi dje në kuadër të Festivalit të Tunxhit është një shembull shumë i mirë, se si ne duhet që t’i ringremë këto formacione. Në fillimin e shekullit të kaluar Shqipëria ka pasur më shumë instrumentistë tunxhi sesa ka sot, prandaj kjo është një gjë që duhet ta ringremë patjetër. Këto 25 vite tranzicioni ne na kanë tërhequr pak mbrapa.

Andrea Canaj (profesor i Kornos pranë UA-së)

Mendoj që të ketë një ringritje dhe kujdes të madh edhe në shkollat e rretheve, sepse kjo gjë nuk përfshin vetëm këto aktivitete, por edhe kujdesin ndaj teksteve, që më pas të kemi studentë për këto instrumente.

Biografia

Ermal Sela (1985) lindi në Tiranë. Pasi mbaroi studimet në Liceun Artistik “ Jordan Misja” me pedagog L. Gjergji, vazhdoi studimet për Trombë në Universitetin e Arteve nën drejtimin e pedagogut Sokol Saraçi. Ka luajtur në instrumentin e kitarës, bass në grupe të ndryshme pop-rrok dhe në ansamble popullore, si ai i “Ansamblit Tirana”, duke përfituar njohje të shumë rrymave të ndryshme muzikore. Gjatë Festivalit Folklorik të Gjirokastrës “Argjiro Fest 2016”, ka qenë pjesë e Komisionit Përzgjedhës për grupet pjesëmarrëse, qysh prej vitit 2000 është angazhuar në mbledhjen dhe koleksionin e instrumenteve të rralla tradicionale shqiptare. Sot koleksioni i tij është mbi 100 instrumente të lincesuar e të temperuar, veshje tradicionale dhe shumë artikuj që janë mbi 100-vjeçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *