Enver Hoxha shfrytëzonte figurën e Skënderbeut si një simbol të rezistencës

Të shumta janë studimet që albanologia nga Polonia, Agata Rogosh, ka bërë për shqiptarët, duke përfshirë traditat dhe kulturën. Por përmes ligjëratës së saj “Ikonografia e kujtesës dhe e harresës” – përfaqësime të udhëheqësit në traditën shqiptare, albanologia kësaj radhe ka sjellë këndvështrimin e saj sesi figurat kombëtare e politike janë përdorur nga liderë politikë në Shqipëri. Agata Rogosh kishte vendosur të bënte këtë studim pasi ka vizituar sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Nga Dafina Kabashi, “Zëri”
“Kam hulumtuar për historinë e sheshit ‘Skënderbej’ në Tiranë. Pastaj kam zbuluar se historia në këtë hapësirë të vogël është shumë e rëndësishme për identitetin, simbolikën, ikonografinë dhe për kujtesën kolektive të shqiptarëve”, ka thënë Agata Rogosh, në ligjëratën e organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës.

Ajo është shprehur se sheshi “Skënderbej” është i rëndësishëm jo për simbolikën që i është dhënë, por edhe për ritualet politike, duke u kthyer në një skenë, e cila është përdorur nga pushteti. “Statuja e Skënderbeut ku ndodhet në Tiranë më përpara ishte vendi për statujën e Stalinit, përpara në të njëjtin vend u vendos edhe statuja e shqiponjës dykrerëshe që ishte simbol i pushtetit fashist të Italisë”, është shprehur Agata Rogosh, duke treguar se për këtë fakt historik ka nisur studimet për ikonografinë e kujtesës dhe harresës.

“Mekanizmat e pushtetit janë përdorur për legjitimitetin e ndryshimit, këtu mund të flasim për një lojë të transformimit të hapësirës, por edhe ndryshimi i hapësirës që kanë lidhje me ndërtimin e sistemit të ri socialist dhe pastaj rezistencën kundër sistemit socialist”, ka thënë albanologia, duke shtuar se në periudhën e Pasluftës së Dytë Botërore, 1945-48, ideologjia e udhëheqësit komunist shqiptar, Enver Hoxha, e përfshinte sferën publike shqiptare në diskursin politik, një qasje të stalinizmit që ka qenë më radikale sesa para dhe pas vdekjes së Stalinit.

“Për Enver Hoxhën imazhi i Stalinit ishte i paprekshëm dhe ishte elementi më i rëndësishëm në ndërtimin e kultit të vet”, ka treguar Agata Rogosh, sipas së cilës, në fazën e hershme të pushtetit të tij, Enver Hoxha i është referuar Titos si model.

“Kulti i Stalinit, i miratuar në hapësirën kulturore shqiptare, mund të aplikohet si një arketip i proceseve të përfaqësimit dhe perceptimit të tipit të heroit, i cili është shndërruar në mesazhin politik dhe në përgjithësi figura e Stalinit në të gjitha shtetet komuniste të vitit 1945 ishte e lidhur me mitin e njeriut të ri dhe lëvizjet antifashiste, të cilat në një rast të veçantë të Shqipërisë ose të Jugosllavisë ishin lidhur me çlirim dhe ndërtimin e shtetit”.

Agata Rogosh thotë se kulti i Stalinit ishte një nga investimet më të mëdha ideologjike të Enver Hoxhës. “Ishte mbajtur gjatë dhe mbante dy funksione, propagandistik dhe pragmatik”, shprehet ajo, duke shtuar se nëpërmjet këtij kulti Enver Hoxha u promovua si komunist, i cili mbeti me parimet marksiste.

Pas Stalinit, Agata Rogosh tregon se Enver Hoxha ngjalli traditën e kultit të Skënderbeut. “I njëjti model simbolik ishte vendosur në fillim të shekullit 20 nga ana e Mbretit Zogu, i cili u përpoq të përfaqësonte shtetin e tij si rilindësit heroin kombëtar shqiptar. Edhe regjimi komunist e përvetësoi në mënyrë të ngjashme Skënderbeun, si simbol rezistence ndaj kërcënimit të jashtëm”, ka thënë Rogosh. Ajo shprehet se proceset tregojnë se kujtesa e popullit për Skënderbeun në shekullin 19 ka qenë në zbatim të identitetit të ri, që synon bashkimin e popullit shqiptar.

“Skënderbeu në kohën e komunizmit, pas viteve 60-a të shekullit të kaluar dhe më herët, u bë një subjekt i ri politik”, ka treguar albanologia nga Polonia. Agata Rogosh thotë se edhe gjatë Rilindjes Kombëtare ishte fshirë koncepti fetar që lidhje me mitin e Skënderbeut. “Miti i udhëheqësit, i cili u sanksionua me figurën e heroit kombëtar, Skënderbeut, u zhvillua në kohën e Pasluftës së Dytë Botërore. Enver Hoxha ka ndërtuar mitin e tij të udhëheqësit duke treguar figurën e Skënderbeut në kategoritë e mesazhit ideologjik dhe politik”, është shprehur Rogosh, duke shtuar se nuk ka folur për figurën historike të heroit, por për një komunikim të ideologjizuar edhe pse në Shqipërinë socialiste miti i Skënderbeut si shumica e miteve mori një dimension të ri ideologjik. “Për shembull, në konstruktin e Shqipërisë së re ai u interpretua jo vetëm si themelues i shtetit shqiptar, por edhe si një revolucionar, udhëheqës dhe si partizan gjeneral”, ka thënë Agata Rogosh, duke shtuar se momenti i parë që Skënderbeu është përdorur në hapësirat publike nga Enver Hoxha është zbulimi i statujës së Skënderbeut në sheshin kryesor, që zëvendësoi statujën e Stalinit. “Enver Hoxha dhe regjimi i Enver Hoxhës e shfrytëzonte figurën e Skënderbeut si një simbol të rezistencës ndaj forcave të jashtme”, ka treguar Agata Rogosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *