Ekspozohen 30 vepra arti dhe dokumente historikë për Skënderbeun

Më datë 20 Maj 2016, ora 11.30, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, çelin ekspozitën “Skënderbeu në artet pamore shqiptare”. Ekspozita do të inagurohet në qytetin e Krujës, në sallën e Pinakotekës të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti, është vazhdim i projektit që filloi në Paris (Francë) në janar 2016, i cili erdhi si një bashkëpunim mes GKA dhe “Maison de l’Albanie”, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në Krujë, ekspozita me 30 vepra arti dhe dokumente historikë do të prezantojë punë të rëndësishme nga fondi i GKA, nga studiot e artistëve dhe vepra të koleksionistëve. Përmes saj do të shfaqet një panoramë më e zgjeruar e figurës së Skënderbeut, në artet pamore shqiptare dhe dokumentat historik. Në të janë paraqitur vepra nga më të hershmet e unikalet, të realizuara nga piktorë patriotë shqiptarë si Anastas Ballamaçi e Theohar Gjini, e më vonë Spiro Xega.

Përmes rendit kronologjik, publiku do të njihet me një koleksion po aq të veçantë veprash origjinale. Nëpërmjet qëndrimeve stilistike personale ku pasqyrohen konceptime dhe ndikime të kohës kur ato u krijuan, mjeshtra të pikturës shqiptare si Andrea Kushi, Zef Kolombi, Simon Rrota, Kel Kodheli, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Vilson Kilica, Zef Shoshi, Nexhmedin Zajmi, Pandi Mele, Ibrahim Çezma, Arben Golemi, Dhimitër Theodhori, Anastas Kostandini, Genti Proko dhe Sokol Gidaj, kanë dhënë secili interpretimin e tyre për këtë figurë komplekse historike.

Veprat jane në teknikën e vajit, akuarelit, grafikës, vizatimit, si dhe dy postera të vitit 1968.
Ekspozita do te shoqerohet edhe me katalogun përkatës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *