’
Në takimin që patëm me të, Gëllçi na tha që jemi tepër të kualifikuar, por nuk ka asnjë propozim konkret”. Kështu u shpreh dje për “Gazeta Shqiptare” kompozitori Edmond Zhulali, një nga tre kompozitorët që ranë pre e reformës që po bëhet në RTSH. Kompozitori tha dje se “unë dhe kolegët e mi e kundërshtuam për disa opsione që ai parashtroi”. Nga ana tjetër, kompozitori tjetër, Alfred Kaçinari ka deklaruar se e kishin mësuar më herët lajmin dhe i kanë kërkuar takim drejtorit, dhe komunikimi u është bërë në zyrën e tij, duke u sqaruar se është shkurtim i vendit të punës. Lajmin për shkarkimin e tre kompozitorëve e bëri të ditur Koordinatori i Artit dhe Kulturës në PD, Arben Skënderi, i cili tha se tre artistët janë pushuar nga puna pa asnjë lajmërim dhe në kundërshtim të hapur me ligjin, ndërkohë që sipas tij, nuk iu është dhënë asnjë mundësi alternative për të vazhduar kontributin e tyre.
-Kur e morët vesh shkarkimin ose largimin nga Departamenti i Muzikës në RTSH?
Të mërkurën në mëngjes, mbasi kishim marrë vesh që ishte bërë mbledhja e Këshillit Drejtues, kërkuam një takim me Drejtorin e Përgjithshëm, z. Gëllçi, i cili na priti dhe na sqaroi që në fillim që është marrë një vendim nga Këshilli Drejtues, në funksion të reformës që është bërë në RTSH, dhe na tha që ‘me strukturën e krijuar, zyra juaj është shkrirë’. Na tha që ‘ju do të vazhdoni tre muaj sipas ligjit të jeni në dispozicion, e më pas do ikni. Nëse gjatë kësaj kohe do të gjeni ndonjë vend te listat që do të shpallen me sistemin e ri, mund të na thoni, ose nëse unë do të kem ndonjë gjë, do t’ju them. Pra, pas kësaj ju do të ikni’.
-Si ishte komunikimi?
Kur shkuam ne aty, m’u duk ndryshe në komunikim. Ne në fakt e dinim dhe ishim të qetë.
Diskutuam rreth problemit, unë dhe kolegët e mi e kundërshtuam për disa opsione që ai parashtroi. Nuk bëhet fjalë për punën time a të kolegëve, sepse ne jemi të aftë të punojmë në çdo kohë e në çdo vend, dhe jemi në kulmin e karrierës e pjekurisë profesionale e të moshës dhe jemi të gatshëm të bëjmë çdo lloj detyre që na ofrohet e jo të trajtohemi në këtë mënyrë.
-E kundërshtuat ju?
Unë i thashë që zgjidhja është e gabuar. Kjo zyrë ka 55 vjet që është krijuar dhe është zyra kryesore nga ku kanë dalë të gjitha festivalet, e para nesh kanë qenë Abdulla Grimci, Nikolla Zoraqi, Gjon Simoni, Spartak Tili, Zhani Ciko etj. Me ardhjen tonë, mori përsipër të bëjë shumë aktivitete të tjera dhe ne kemi bërë, veç Festivalit të RTSH-së, edhe Festivalin e Këngës Popullore, Festivalin e Këngës për Fëmijë në Eurovizion, Festivalin HIT Fest për të rinj, dhe aktivitete të tjera e koncerte.
-A është festivali, sipas jush, kali i betejës në këtë rast?
Festivali ka një rëndësi shumë të madhe si për RTSH-në, ashtu edhe për mbarë opinionin publik, është festivali historik i këngës së lehtë shqiptare që mban mbi supe 55 vite të suksesshme, dhe si i tillë mbetet gjithmonë në qendër të vëmendjes së publikut shqiptar dhe së fundmi atij europian. Është normale që ky festival të jetë objekt i diskutimit, në vëmendjen e profesionistëve dhe publikut.
-A ju është propozuar juve një pozicion tjetër, siç shprehet drejtori?
Na ka thënë që ‘jeni tepër të kualifikuar’, por momentalisht nuk kemi asnjë propozim konkret në lidhje me vazhdimin e qëndrimit tonë në RTSH. Jemi në pritje të ditës së hënë të marrjes së një dokumenti zyrtar nga ana e zyrës së personelit.(Fatmira Nikolli)