Edi Pula: “Reja” e Fojimotos aventurë unike, si një vepër që jetohet

Edit-Pula

“Jam përpjekur të krijoj diçka që shkrihet në gjelbërim. Në fillim nuk mendoja se më pëlqente të bëja një re. Mbeta i mrekulluar nga rrethinat e Kopshtit Kensington, gjelbërim i bukur që më bëri të krijoja diçka që shkrihej me atë gjelbërim. Sigurisht që struktura duhej të ishte artificiale, kështu që mendova të ndërtoj diçka mes arkitekturës dhe natyrës, ai lloj koncepti ka qenë një interes i madh në karrierën time, kështu që ishte krejt e natyrshme ta shtyja përpara atë koncept për të ardhmen”. Arkitekti japonez Sou Fujimoto e prezantonte me këto fjalë në vitin 2013 “Renë” e tij, një instalacion i ndërtuar për “Serpentine Gallery” në Londër.

Vepra do të jetë në Tiranë për një kohë të pacaktuar dhe po ndërtohet para Galerisë Kombëtare të Arteve. Edit Pula (artiste), këshilltare e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe drejtore e këtij projekti, tregon për “Gazeta Shqiptare” se si do të funksionojë “Reja” në Tiranë, si u arrit të sillej, kostot për shtetin shqiptar dhe se si, kjo vepër arti që nuk është skulpturë parku do të ndërveprojë me publikun. “Me buxhetin e limituar të Bashkisë së Tiranës, ne e kishim të pamundur të përballonim qoftë edhe qiranë apo punimet për instalacione të tilla, ndaj u jam shumë mirënjohës znj. Maya Hoffman dhe fondacionit ‘Luma’ në Zvicër dhe Francë, të cilët kanë përballuar të gjitha kostot, si të transportit, të instalimit dhe të siguracionit”, – është shprehur kryebashkiaku Veliaj.

– Do të vijë në Tiranë, një vepër e një arkitekti të njohur japonez. “Reja” e Sou Fujimoto, nga “Serpentine Gallery” vendoset para Galerisë Kombëtare të Arteve. Si u bë e mundur ardhja?
Ka qenë një marrëveshje mes fondacionit “Luma” që e ka në koleksionin e saj “Renë” dhe Bashkisë së Tiranës.
Është momenti për të falënderuar Anri Salën që me influencën dhe kredibilitetin që ka krijuar në rangjet ndërkombëtare influencon që edhe Shqipëria të marrë një vëmendje në skenën ndërkombëtare të artit. Në këtë rast, fondacioni “Luma” shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të sjellë diçka nga koleksioni i saj. “Reja” është ndërtuar në vitin 2013 si pavijon i “Serpentine Gallery” dhe është blerë nga fondacioni “Luma”. Nuk është ekspozuar më që atëherë dhe ka qenë e magazinuar. Nga kjo dëshirë e vullnet i mirë, ne e ndoqëm dhe po e sjellim këtu.

Sa kohë do të rrijë “Reja” në Tiranë?
Duhet të themi se rëndësia është e jashtëzakonshme! Kemi një pavijon të “Serpentine Gallery”, pavijon që kur mbyllet, rrallëherë mund ta rishohësh, sepse blihen nga koleksionistë. Ne kemi “Renë”, e cila vjen për një kohë të pacaktuar, por është e përkohshme, sepse nuk është dhuruar. Vepra si kjo, nuk dhurohen, pasi kanë autor dhe të drejtë autori ose zotërues të veprës. Në këtë rast, na është dhënë në huapërdorje, pa pagesë. Ne mund ta përdorim sipas kritereve të caktuara, por nuk është e falur. Nuk e kemi luksin dhe kushtet ta marrim për ta mbajtur vetëm tre muaj, siç ndodh zakonisht, ndaj koha e ekspozimit të saj në Tiranë do të jetë më gjatë – duke parë edhe impaktin e publikut dhe përqendrimin që do të ketë skena e artit ndaj veprës. Përmes saj, Tirana futet në hartën e madhe të artit bashkëkohor, sepse ka një vepër të kësaj rëndësie.

Pse po vendoset ajo para Galerisë Kombëtare të Arteve? Me ç’qëllim?
Duhet të them se, që nga momenti që ndoqëm këtë propozim, pamë disa mundësi. Kushti i ekspozimit të veprës është që: duhet në një territor të gjelbër, pasi poezia e veprës është marrëdhënia e njeriut me natyrën, dhe kushti tjetër është që, duke qenë pavijon i ‘Serpetines’, duhej të kishte një relacion me një institucion arti. Është operacion ambicioz dhe ne kemi pak eksperiencë në marrëveshje të tilla. Ne si bashki, bëmë një vlerësim të territoreve të mundshme ku mund ta vendosnim këtë vepër, dhe ndër propozimet ishte edhe zona e Universitetit të Arteve afër Liqenit. Sepse, theksoj, duhet të ketë një interaksion mes veprës dhe asaj që e rrethon; ajo nuk është si një skulpturë parku, por si një pavijon ku ndodhin ngjarje. Duhej pra që vepra të ishte në relacion me një institucion artistik krijues dhe natyrën. Nga hulumtimet tona, ku merrej parasysh edhe një garanci e ruajtjes së saj nga vandalizmat e mundshëm e në konsultë me ‘Serpetines’ dhe fondacionin “Luma”, mes disa propozimeve u vendos që të lihej para Galerisë Kombëtare të Arteve. Për disa arsye: vizibiliteti i saj, qendra e Tiranës, gjelbërimi dhe GKA. Gjetëm mirëkuptimin e GKA-së dhe u konsultuam për këtë vepër.

Si do bashkëveprojë kjo vepër me publikun, si do ruhet, si do i qasemi asaj dhe sa i jep Shqipërisë kjo vepër?
Shpresoj shumë që publiku, dhe jo vetëm ai i elaboruar e artdashës, të kuptojë që kjo vepër publike nuk është skulpturë parku. Skulpturën e sheh dhe nuk ke ndërveprim me të. Ndërsa “Reja” është një risi, për të treguar se arti nuk është gjë e paprekshme ku nuk mund të ndërhysh; e sheh dhe e prek. Duke qenë vepër publike, në park e territor publik, pa dyer e pa dritare, aksesi është i përhershëm. Po mendojmë mënyrën e administrimit: ndoshta në oraret e natës vonë, me paranojën që kemi për shkak të sigurisë për të cilën do marrim masa, mbase kufizohen vizitat. Ende nuk e kemi gjetur formulën. Kjo lulishte para galerisë, do të ketë të njëjtën gjallëri e jetë që ka pasur: fëmijë e gjyshër që vijnë, argëtohen e ulen. Përveç barit e luleve, tashmë ata do futen në një vepër arti, ta përjetojnë, ta shijojnë e të kuptojnë diçka më shumë. Do marrim masa të ketë aktivitete të artit bashkëkohor në të, që përçojnë vlerat e veprave të artit dhe një dialog mes gjërave të mëdha dhe një lokacioni gjeografik të një vendi të vogël.

Nga fotot e “Serpentine Gallery”, “Reja” ofron vende për t’u ulur, konsumohet kafe. Si do funksionojë këtu? Do merret edhe forma e funksionimit prej ‘Serpentine’?
Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është se ‘Serpentine’ kur komisionon për të ndërtuar në lulishten e saj një arkitekt të ri, avangard dhe vizionar të zgjedhur, e ndërton një vepër arkitektonike, në funksion të pavijonit ka një event social – jo një skulpturë, por një vepër të jetuar, ndaj quhet pavijon. Kjo vepër arti, që në vetvete mund të qëndrojë aty pa bërë asgjë, është edhe pavijon, dhe duke qenë pavijon ka edhe një program artistik e kulturor. Duke qenë në hapësirë publike, ka, por jo gjithmonë, edhe një kafene, ku bëhet leksion, pritje, mund të pish kafe, të bisedosh – ke një shërbim me të cilin e shoqëron veprën, por nuk është qëllim në vetvete. “Reja” vjen siç ka qenë në Londër: me tavolina e karrige, por kafeja nuk do të thotë se është kafe-bar.

Pra, funksioni nuk është kafene?
Këtë dua të them: është një shtesë shërbimi për të bërë komod qëndrimin në një vepër. Është minimal, mund të rrish me orë, pa konsumuar asgjë dhe mund të duash një shërbim dhe e ke. Nuk është qëllim në vetvete, është thjesht një qëllim i shtuar. Ne e marrim pavijonin siç është atje – shërbimi i kafenesë ose jo, nuk është fare përparësi në këtë pikë. Mund të mos ndodhë fare, nuk e kemi përqendrim kryesor.
Arkitekti vetë, Sou Fujimoto, sa është në dijeni për ardhjen e veprës në Tiranë?
Arkitekti është, pa dyshim, në dijeni. Ditë më parë, ne hodhëm një foto dhe papritur në shkronja japoneze pati një ritweet nga ai. Ai i anoconte botës se pavijoni i tij është në Tiranë. Ne nuk jemi në komunikim të vazhdueshëm me arkitektin vetë, por fondacioni ka. Presim të caktojmë datën e inaugurimit, ku të jetë i pranishëm edhe arkitekti dhe shumë përfaqësi të artit bashkëkohor, përfshirë fondacionin “Luma”. Pra, është edhe një shpallje në skenën ndërkombëtare të artit kjo që po ndodh në Tiranë.

A pritet një ‘feedback’ nga kjo vepër në Tiranë? Qoftë nga artistët e rinj, qoftë nga të tjerë. A pritet një ‘feedback’ prej ardhjes së saj?
Po, kjo është pjesa interesante. Ne si bashki kemi marrë përsipër dy gjëra ndaj kësaj nisme kaq bujare: sigurinë dhe mirëmbajtjen. Pra rojet dhe një kamera sigurie, si edhe mirëmbajtjen, mbikëqyrjen e publikut, dhe shpresoj se do mbërrijmë në ditën ku veprat nuk vandalizohen. Do ketë një edukim për publikun, informacion për veprën. Ndërkaq, po ndërtojmë një program aktivitetesh që do të mbahet në të. Këtë do e bëjmë me skenën lokale, artin bashkëkohor në shumë zhanre: muzikë, art, kulturë, leksione. Ajo mund të rrijë edhe pa aktivitete, por mund të ketë edhe ndërveprim, si gjenezë për të krijuar diçka origjinale mbi këtë vepër. “Reja” si strukturë është edhe “amfiteatër”. Vepra përdoret si territor për një audiencë. Por këto duhet të jenë të kuruara. Këtë program do e bëjmë në partneritet me artistë lokalë, por pa dashur ta ngjeshim. Kështu ka funksionuar në ‘Serpentine’. Dhe ka qenë fondacioni “Luma” që është përfshirë në të gjithë aventurën e ardhjes së saj dhe transportin.

Ju folët për dy gjëra që bashkia ka marrë përsipër, por edhe për rolin e fondacionit “Luma”. Thatë që gjithë ardhja e veprës ka qenë e sponsorizuar. Megjithatë, një pyetje e drejtpërdrejtë: a ka një kosto për shtetin shqiptar ardhja e “Resë” në Tiranë?
Siç jua shpjegova shumë qartë, ka dy angazhime, që konsistojnë në kontratë-marrëveshjen mes bashkisë dhe fondacionit “Luma”. Përgjegjësia është minimale, por tejet e rëndësishme, që t’u dalim për zot atyre. Janë angazhime si ruajtja dhe mbikëqyrja, që konsistojnë në sigurinë që kjo vepër do të ketë në çdo moment, ruajtjen e një vepre arti, që nuk do ketë dëmtime, e nëse dëmtohet riparohet. Pra, vepra është si një vepër muzeu. Uroj ta mbajmë! Këto janë angazhimet.

Po siguracionin, kush e mbulon?
Është e siguruar në Zvicër dhe ne do të bëjmë një partneritet po në formë sponsorizimi për qëndrimin në Tiranë. Është aventurë unike. Dhe ka pasur bujari dhe kërshëri nga partnerët që e kanë mundësuar. Siguracioni, do jetë po në formë donacioni. Për herë të parë i bie një kompanie ndoshta të sigurojë një vepër arti të këtij kalibri. Edhe konstruktorët: kompania që ka marrë përsipër punimet ka një vullnet, gatishmëri e dedikim. Vepra vjen e paketuar dhe montohet këtu.

Ju përmendët Anri Salën; ku konsiston ndihma e tij dhe si mund ta përshkruani ekspozitën e tij të fundit në tri katet e “New Museum” në New-York?
Si fillim, po sqaroj se nuk e sjell Anri, por influenca dhe kredibiliteti i tij. Anrin e njoh prej vitesh, që kur ishim në lice. Ai artist është i rrallë për raportin që mban me vendin e tij. Anri ka influencuar me kredibilitetin e karrierën e tij që të mundësojë besueshmëri në fondacione si “Luma”, e për njerëz për të cilët Shqipëria nuk është në hartën e artit kontemporan. Ai i jep kësaj skene me influencë dhe është garanci prej nga lind kjo marrëveshje. Përndryshe, ai nuk ka asnjë arsye, sepse karriera e tij është në kalibrin më të lartë. Vlerësimi që iu bë, pritja në atë muze dhe një ekspozitë retrospektivë për Anri Salën, që është ende një artist i ri, në muze të kësaj rëndësie dhe një publik që nuk mbaronte për disa ditë është diçka shumë e madhe.

Përmendim edhe vlerësimet e “New York Times” apo ato të “The Guardian”. Ishte magji të ndiqje atë ekspozitë! Jam munduar të ndaj personalen dhe njohjen me të nga impakti që mora aty. Anri, pavarësisht viteve larg dhe suksesit që ka pasur në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, ka ruajtur një bujari të rrallë. Kuratorë e kritikë shprehnin habi që ky artist ka mbetur kaq njerëzor dhe që ka këtë raport kaq të thjeshtë me Shqipërinë e me skenën ndërkombëtare. Fama nuk i ka ndërhyrë në aspektin njerëzor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *