“Donte të ishte gjithnjë i rrethuar nga njerëzit”, u thotë Sadija, miqve, të afërmve, dashamirësve të Dritëroit, në drekën përkujtimore në mbyllje të kësaj dite të trishtueshme.
Sadija:
Ju falenderoj që morët pjesë në përcjelljen e trupit të Dritëroit. Dritëroi i donte të gjithë njerëzit.Të rrojmë me kujtimet e tij, me zërrin e tij se kishte zë të fuqishëm. Ma përcollën poezitë që recitonte, ai i ndiente ato poezi dhe rezitonte më mirë se çdo aktor tjetër, ishin poezi të shpirtit të tij.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në drekën përkujtimore për Dritëro Agollin, e ka hequr petkun e politikanit, duke ngritur dolli për devollitin e papërsëritshëm.
Ndërsa ka kujtuar kohët kur eksperienca pranë Dritëro Agollit në fillimet e tij si politikan, i kanë shërbyer më shumë se asgjë tjetër.
Meta:
Ai me të thënë të drejtën ishte nga Devolli po e donte shumë dhe Skraparin, nuk e donte pak. Duke shfrytëzuar traditat tona, shëndetin e parë e kam për devollinjtë që i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në gjithë botën, një poet, një shkrimtar dhe një njeri të jashtëzakonshëm si Dritëro Agolli. Unë kam hyrë në Parlament 22 vjeç dhe rrija tërë ditën pas Dritëroit dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë për të mësuar dhe nga politika dhe shumë aspekte të tjera. Nëse Dritëro Agolli do konfliktohej seriozisht me dikë nuk kishte të bënte me idetë politike, por me luftën dhe sakrificat e popullit shqiptar. Shumë shokë, por edhe Sadija e di që kjo ishte një gjë e shenjtë për të.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se emri i Dritëro Agollit do të përjetësohet me emrin e një shkolle dhe rruge.
Veliaj:
Nuk humbëm vetëm një Qytetar Nderi, por humbëm një simbol të frymëzimit dhe integritetit në gjithë qytetin tonë. Mezi pres që bashkë me Sadijen, Tanin dhe Elonën ne të vendosin cila shkollë e re e Tiranës do ketë emrin e Dritëroit dhe cila nga shumë rrugë të reja të Tiranës do të përjetësohet me emrin e Dritëroit. Kur kemi përjetësuar disa njerëz që nuk kanë pasur ndonjë vlerë në shoqëri dhe që po na vjen turp të shkruajmë adresat, jo më njerëz si Dritëroi dhe shumë të tjerë që meritojnë një piedestal shumë më të dukshëm në zemrën e qyteteve tona. Dua ti uroj shëndet familjes, jetë të gjatë Sadijes, Elonës, Tanit, të gjithë pasardhësve.
Familja, miqtë, lexuesit u ndanë nga Driteroi, por tanimë do të jenë edhe më pranë veprës, vargjeve dhe prozave të penës së mprehtë dhe të mençur.(oranews)