Aurel Plasari
100 vjet nga gjykimi, dënimi me pushkatim dhe ekzekutimi i Themistokli Gërmenjit prej një gjyqi ushtarak të shtabit francez në Selanik të “Armatës së Lindjes”, dosja e procesit të tij ka mbetur “mister”. Me gjithë përpjekjet që bëri qyteti i Korçës për të mësuar të vërtetën e procesit, me gjithë përkushtimin disavjeçar të avokatëve të vejushës Gërmenji që u paguan nga vetë qytetarët korçarë, dosja e procesit u mbajt e mbyllur. E vërteta është që edhe shteti shqiptar bëri një numër përçapjesh për shqyrtimin e dosjes në fjalë, por Republika Franceze ka ngulmuar ta ruajë të mbyllur me xhelozi atë dosje. Edhe historiani zyrtar që ka mbuluar historinë e “Republikës Autonome të Korçës”, Muhin Çami, është dorëzuar. Në botimin e tij më të fundit “Shqiptarët dhe francezët në Korçë 1916-1920” (Dituria 1999) ka pohuar: “Edhe tani kur po shkruajmë këtë artikull studimi nuk mund të themi se e kemi dokumentacionin në dorë. Na mungojnë, p.sh., aktet e gjyqit të Themistokliut, kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm” (f. 72).
E pra: ja më në fund disa të dhëna të nxjerra pikërisht nga dosja “misterioze” e procesit gjyqësor që ruhet aq xhelozisht nga shteti francez. Fotot janë bërë në mënyrë jolegale, d.m.th. pa leje, por edhe kështu ato kanë vlerë për të hedhur pak dritë mbi procesin e gjykimit, të dënimit dhe të ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit.
Prej tyre kuptohet vendimi që procesi i Themistokli Gërmenjit – në akte ky shënohet si “shef i Policisë së Korçës” – të kryhet “me dyer të mbyllura”, si dhe që aktet e tij të mos bëhen publike. Ka pasur disa dëshmitarë, që e kanë ngarkuar Themistokliun me akuzat e tyre. Në proces kanë shërbyer tre përkthyes: i shqipes, i greqishtes dhe i frëngjishtes. Përkthyesi i shqipes, me sa mund të lexohet, quhet Bard (Bardh?) Germani (Gjermeni?). Dëshmitari kryesor i akuzës është një “Demir Hassan”, pra Demir Hasani ose Hasan Demiri, varet nga mënyra frënge e shkrimit të emrave dhe mbiemrave. Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit francez në kuadrin e shërbimi të informacionit të “Armatës së Lindjes”. Me pohimet e tij gjatë procesit gjyqësor ka dëshmuar kontaktet e fshehta që ka mbajtur Themistokli Gërmenji me “anën tjetër” të frontit, atë të forcave ushtarake austriake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e “Armatës së Lindjes” kontakte të tilla trajtoheshin si “tradhti” në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”.
Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Themistokli Gërmenjit përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të “Republikës Autonome të Korçës”, si dhe të së ardhmes së saj kur Lufta (e Parë) Botërore të kishte përfunduar. Më vonë edhe vetë gjenerali francez Decoins, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve në përgjithësi, e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje TEK armiku, çfarë nuk do të thotë ME armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje së bashku në shumë raste…” (Gén. Descoins, Six mois d’histoire de l’Albanie. Novembre 1916-mai 1917, A. Costes 1930, f. 51).
Themistokli Gërmenji, me vendim të gjyqit në fjalë të marrë “en unanimité” më 7 nëntor 1917, u dënua me pushkatim dhe vendimi u ekzekutua më 9 nëntor 1917.