Dom Gjergji: Cinizmi “i ligjshëm” i prof. Plasarit. Naivitet akademik?!

Cinizmi “i ligjshem” i prof. Plasarit

Lexova shkrimin e profesor Aurel Plasarit me titull “Mendime për historinë e feve si lëndë mësimore” në gazetën Panorama të ditës së djeshme 13 prill 2016.

Më shumë se sa sygjerime për një lëndë feje në shkollat publike të arsimit parauniversitar në Shqipëri, më ngjau me një “shfryerje modeste” të profesorit rreth atyre që duket se për të janë “të fshehta apo tabu’”, që fetë (në shumicë ishin argumenta që kishin të bënin me krishtërimin katolik) nuk duan t’i prekin.

Të them të drejtën, për sa i përket anës time, një shkrim i tillë, o është naivitet akademik (çka sigurisht nuk është rasti i prof. Plasarit) ose një shkrim cinik dhe cytës. Lidhur me këtë të fundit ka një të vërtetë të madhe në shkrimin e profesorit, e cila del në pah midis rreshtave dhe nga një lexim i kujdesshëm. Ai njeh mirë mendësinë shqiptare të institucioneve fetare në Shqipëri, sepse njeh mirë trajtat antropologjike të shqiptarëve, sidomos në ngjyrimet e tyre reaguese. Dhe për këtë profesor i dashur: Chapeau!

Profesori nga ana tjetër e din mirë se temat që ai ka trajtuar (në formë pyetje) nuk janë më tabu’ në Universitetet apo shkollat europiane, qofshin ato teologjike e qofshin ato laike, të administruara nga Kisha katolike ose jo. Prof. Plasari e di mirë se marrëdhëniet ndërmjet paganizmit dhe krishtërimit, në terren religjioz apo mendimi filozofik, çështja e “Donacionit të Kostandinit”, përgjegjësia e ndarjes së Kishave, etj., nuk janë tema që nuk mund preken apo të trajtohen vetëm nga një këndvështrim edhe brenda historiografisë kishtare. Një studjues si Prof. Plasari e di mirë se ku godet. Dhe sigurisht nuk jane argumentat shqetesimi kryesor i Profesorit, por reagimi ndaj tyre. Nga njëra anë më vjen keq (për religjionet) që është kështu, d.m.th. që në Shqipëri ende nuk jemi çliruar nga tabu’-të dhe kemi mbetur peng e një mënyre të të bërit e të të menduarit të gjërave reaguese dhe apologjetike e nga ana tjetër lexuesi mediokër dhe i painformuar i rreshtave të prof. Plasarit sigurisht që pështjellohet nga shtrirja e bukur dhe elegante që profesori u bën pyetjeve të tij, të cilat kanë brenda edhe përgjigjet dhe kjo është pjesa tjetër e cinizmit të profesorit. E patjetër që tonet antiklerikaliste, të hedhura aty – këtu në shkrim, i bëjnë mirë si doza melhemi atyre të përhershmëve antifetarë që vazhdojnë logjikën ateisto -militante të komunizmit apo të revolucionit francez, bijë e të cilit është edhe Observatori laik i Parisit, që është edhe “kumbari” i këtij projekti pilot të qeverisë.

Megjithatë dua të them së fundmi se në Institutin Filozofiko-Teologjik të Shkodrës, ku unë edhe jap mësim si docent i të Drejtës kanonike, tema të tilla jo vetëm nuk janë tabu’, por përkundrazi, nëse studentët e mi nuk do t’i njihnin dhe nuk do të kishin aftësinë t’i shihnin edhe në këndvështrime të ndryshme, do të kishin problem me mua dhe me profesorë të tjerë. Këtë nuk e them për t’u mbrojtur, por nëse dikush ka dëshirë të verifikojë është i mirëseardhur.

Ky është një “reagim” sqarues, dhe aspak polemizues, më shumë për veten time se sa për ata që lexojnë.

Ditë të këndshme.

P.S. Shkrimi i Profesorit: http://www.panorama.com.al/mendime-…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *