Çfarë mbetet prej legjendës në një fotografi? Një turmë anonime, që thotë Rroftë!

RROFTË!- ekspozitë e përmasave të mëdha kuruar nga Blerta Hoçia çelet të
premten me 21 prill 2017, ora 18:00 te Muzeu Marubi.
“Kjo ekspozitë kërkon të nxjerrë në pah një përbërës kaq të rëndësishëm në zhvillimin e historisë së çdo shoqërie, por ndoshta gjithmonë të lënë në hije: masat, turmat.
Turma si popull apo turma si kopé? Në të dyja rastet ajo ka qenë vendimarrëse në krijimin e asaj çka jemi sot.
Turma heroike në ngritjen e flamurit për Pavarësi në njërën anë dhe turmat po aq të frymëzuara të secilit regjim.Tiparet kryesore të një turme të frymëzuar, sipas antropologut dhe sociologut francez Gustave Le Bon, mund t’i dallojmë në çdo grupim njerëzish të cilët ndajnë me fanatizëm të njëjtën ide që iu është ngjitur si një infeksion deri në atë pikë saqë cilido qoftë niveli i tyre intelektual, ata shndërrohen në një qënie të përbashkët pa individualitet, një organizëm të formuar prej qindra mijëra organizmash të tjerë ku secili më vete dikur ka pasur pavarësi, pavarësi që zhduket në momentin e shfaqjes së magjepsjes që ushtron një formulë apo një ideal në mendjet e tyre.
Materiali i kësaj ekspozite nuk ofron një studim mbi formimet e turmës, por vjen më shumë si një dëshirë për ta vështruar atë, për tu përballur me faktin që ajo është dhe ekziston si e tillë edhe në kohën tonë digjitale. Një dëshirë për tu ndërgjegjësuar së pari vetë ne, që në çdo moment mund të shndërrohemi në turmë.
Në këtë vështrim fotografia është ai mjet që i ka dokumentuar këto krijime dhe bashkime njerëzish duke qënë thjesht e pranishme, duke i ndarë me turmën ethet e ideve të paqarta që atë e entuziazmojnë.
Një dokument i rëndësishëm vizual për historinë e kohërave të fundit të Shqipërisë është arkivi i pasur i fondit të Muzeut Marubi. Ky fond është një pasqyrë që ilustron historinë e vendit dhe zgjerohet në shumë fusha të ndryshme si ajo sociale, etnografike, politike etj.
Duke kërkuar në të ato formime e grupime të popullit ku mund të hasej karakteri i tij, kemi përpirë histori të mbështjella në legjenda të jashtëzakonshme.
Por çfarë mbetet prej legjendës në një fotografi? Një turmë anonime, që thotë Rroftë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *