Besim Zekthi, gëzuar ditëlindjen mjeshtër!
Besim Zekthi – Mjeshtri i madh, feston 81-vjetorin e lindjes së tij. Kërcimtari, ikonë e valles popullore shqiptare, solisti i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura si: “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”, ështe ndër protagonistët kryesorë, që i dha “Gjerdanin e Artë” vendit tone, në festivalin e Dizhonit në Francë, në vitin 1970.
Fillimet e tij artistike janë të vendosura në fëmijërinë e tij, në lëvizjet e atëhershme, në aktivitetet e shtëpive të pionierit. Më 1952 prezantohet në Filarmoninë e Shtetit, në një konkurs ku fitoi me pikët maksimale dhe filloi karrierën si valltar dhe morri pjesë në baletin “Esmeralda” në vitin 1953 dhe “Vallja e shpatave” në viti1954. Në vitin 1955 kreu shërbimin ushtarak. Me ndarjen e intitucioneve, në vitin 1957, krijohet dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Vallja popullore në ecurinë e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe nderimeve, që e kanë ndjekur për katër dekada.
Tek ai, arti në tërësi dhe vallja në veçanti, kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Nga viti 1957 deri në vitin 1990, ai numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptar. Shkathtësia, mprehtësia, impulsi dhe dinamika e mjeshtrit të madh, kanë mahnitur mijëra e mijëra spektatorë. I cilësuar si kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimikë shumë të pasur dhe ekspresive. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të Ansamblit Popullor. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vëna në skenë me sukses të plotë nga artisti i madh. “ Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj, janë disa nga veprat e vëna në skenë me koreografi të mjeshtrit. Edhe jashtë kufijve të vendit, Besim Zekthi, ka debutuar me shumë sukses në vende të ndryshme të Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.
Për talentin, punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore, është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe të ndryshëm, deri tek ai i fundit duke mbajtuir sot titullin “Mjeshtër i Madh”.