Ndërsa bota përpiqet të kuptojë se cili prej superheronjve është më i domosdoshëm, një kërcënim i ri shfaqet. Është Doomsday, i krijuar nga Lex Luthor. Tani Superman dhe Batman reshtin së garuari me njëri –tjetrin dhe bashkohen për të shpëtuar botën.
Vetëm tre ditë pas premierës botërore në Nju Jork, “Batman v Superman: Dawn of Justice”, një nga prodhimet më të fundit dhe më të zhurshme të momentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen premierë edhe për publikun shqiptar më 24 mars në kinema Millennium.
Filmi vë përballë dy nga superheronjtë e njohur amerikanë Batman dhe Superman, dhe është një vijim i filmit “Man of Steel”(2013).
Filmi është drejtuar nga regjisori i njohur Zack Snyder, me skenar të shkruar nga Chris Terrio dhe David S. Goyer. Ai ka protagonistë aktorët e njohur Ben Affleck, Henry Cavill, Amy Adams, Jesse Eisenberg, Diane Lane, Laurence Fishburne, Jeremy Irons, Holly Hunter dhe Gal Gadot.
Gjatë një interviste për median aktori Ben Affleck është rrëfyer se ishte cuditur që regjisori i kishte kërkuar që të luante rolin e Batmanit. Ndërkohë për të të luajtur sa më mirë rolin aktorit iu desh të shtonte mbi 10 kg muskuj. Ben Affleck filloi të stërvitej dy orë në ditë që nga momenti që zgjodh për rolin.
Sa i përket karaktereve ky është i dhjeti film që mban figurën e Batman që nga viti 1943. Superman, nga ana tjetër është portretizuar 16 herë që nga viti 1939. Gjithashtu në statistikat e filmit shënohet edhe fakti se ky është i pari filmi aksion me karakterin Batman që nuk shfaqet në stinën e verës.
Duhet theksuar se muzikën e filmit e ka shkruar një nga kompozitorët më të njohur në botën e kinemasë së huaj, Hans Zimmer i cili ka kompozuar edhe muzikën e filmit “Man of Steel”.
Analistët mendojnë se projeksionet e para të filmit mund të kapërcejnë rekordin e “The Dark Knight Rises”, filmi mund të arrijë të ardhura deri në 180 milionë dollarë.
Sakaq jehona e premierës së parë për publikun përcjell vetëm reagime pozitive të cilat janë shfaqur kudo në rrjetet sociale. Ashtu si edhe kritika, publiku ka vlerësuar lojën e Ben Affleck, Henry Cavill dhe Gal Gadot.