Të hënën me 21 mars, Ditën Botërore të Sindromës Down në galerinë “Kalo” u hap ekspozita “21.3/ 47” e Irma Nikës për t’u prezantuar para një audience më të gjerë si një formë mbi ndërgjegjësimin e publikut mbi aftësitë dhe potencialin e të rinjve me sindromën Down.
Ekspozita u organizua nga Fondacioni Down Syndrome Albania dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës.
Në hapjen e ekspozitës merrnin pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri.
Ky projekt erdhi si një mënyrë për të sjellë krijimtarinë artistike më pranë dhe në funksion të kauzave sociale me qëllim ndërgjegjësimin si për barrierat ashtu edhe mundësitë që përjetojnë të rinjtë me sindromën Down. Nëpërmjet aktiviteteve të projektit do të transmetohet një kauzë, ajo e të drejtave dhe mundësive të individëve me sindromën Down për të qenë pjesë e shoqërisë dhe pjesë aktive edhe në fushën e artit. Do të sillet në vëmendjen e publikut talenti i një vajze me sindromën Down nëpërmjet ekspozitës së saj personale të pikturës, si dhe një pasqyrë e një realiteti i të rinjve me sindromën Down në qytetet ku jetojnë, nëpërmjet fotoreportazhit dhe objektivit të fotografes Soela Zani. Ekspozita “Edhe unë jam një vepër arti” e sjellur tashmë nga fotografja Soela Zani dhe Fondacioni Down Syndrome Albania në Tiranë do të bëhet pjesë e këtij projekti në mënyrë që të përcjellë mesazhin që çdo individ ka bukurinë dhe veçantinë e tij, dhe për publikun e qyteteve të tjera në Shqipëri. Pra synojmë ta transformojmë atë në një ekspozitë lëvizëse. Kjo ekspozitë ka tërhequr dhe vëmendjen e mediave botërore si Daily Mail, People, Vanity Fair.
Në fillim të marsit u shfaq ekspozita personale e artistes me sindromën Down, Irma Nika, në qytetin e saj të lindjes Bulqizë për të promovuar talentin dhe aftësitë e saj në ambjentin e saj të përditshëm, duke sjellë kështu dhe një ndryshim të qasjes së komunitetit ndaj saj.
Ekspozita “Edhe unë jam një vepër arti” do të ekspozohet në katër qytete të Shqipërisë Korçë, Shkodër, Sarandë dhe Durrës. Ekspozita do të qendrojë hapur një javë në secilin qytet për t’i dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve ta vizitojnë atë.
Fotografitë e realizuara gjatë udhëtimeve, pjesë e këtij projekti do të botohen në një katalog si një produkt i rëndësishëm në njohjen e realitetit dhe mundësive që i ofrohen të rinjve me sindromën Down në Shqipëri në kuadër të drejtave që kanë dhe mundësive për një jetë të pavarur dhe gjithëpërfshirëse.