Artan Lame: Don Kishoti, përkthimi i Nolit sipas “midesë” dhe zhdukja e së shkuarës

DON KISHOTI

Çdo rradhë që e këndoj Don Kishotin, e kuptoj ndryshe nga rradha e mëparme. Kjo nuk përbën ndonjë çudi, sepse siç ka thënë një i mënçur “e lexova Don Kishotin në të 20-at dhe qesha, e rilexova kur u bëra 40 vjeç dhe u mendova, e lexova kur u bëra 60 dhe qava”.
Mirëpo përveç kësaj, sa më shumë që e lexoj, e aq më shumë i vë faj Fan Nolit përkthenjës. Kjo e dyta ngjet sepse Noli ka dy të “këqia”, është jo thjesht përkthenjës i shkëlqyer por edhe shqipëronjës – dhe i guximshëm madje – që i ndryshon iderat e autorit si t’i dojë mideja.
Dhe si të mos mjaftojë kjo, Noli merret dhe me politikë dhe urren atë që ai e quan “kllasi i bejlurçinave të Shqipërisë”. Duke patur këtë urrejtje në kokë, përgjatë gjithë veprës së përkthyer, ai veç përpiqet të bëjë qesharak kalorësin e Mançës me qëllim që të dalin sa më qesharakë edhe bejlerët e Shqipërisë. Dhe kështu mbulohet floriri me flori, sepse floriri i mejtimeve të vërteta të Servantesit, fle ndën shtresën e floririt që i ka veshur atyre përkthimi sipas midesë që ka bërë Noli ynë.

Së fundmi, ja dola të shoh një tjatër bukuri në romanin e pavdekur të Servantesit, në një kapitull të gjatë dhe gati hermetik, që pak’kush ka arritur ta kuptojë dhe për të cilin ende kritika s’ja ka dalë t’i gjejë kuptimin parësor. Thonë se kritikët ende hahen e ziren mbi këtë pikë, e i zë gjumi nëpër divanët e salloneve, pa ja dalë të jetë më një mëndje.

Në këtë kapitull, mblidhen prifti, berberi dhe mësonjësi i fshatit, hyjnë në bibliotekën e Don Kishotit i zënë librat një nga një, u bëjnë analizë dhe pastaj ngrenë një turrë me ta dhe u vënë flakën. Deri këtu duket normale, sepse një nga arsyet kryesore se përse u shkrojt Don Kishoti, ishte pikërisht për të tallur librat boshe të kalorësisë që i kish (kalorësisë) dhe u kish (librave) perënduar ylli.
Çudia është se Servantesi, nëpërmjet gojës së tyre (të priftit, berberit dhe mësonjësit), zë dhe i lëvdon librat që flasin për trimërira e për vepra të mira të kohëve të shkuara dhe pastaj i dënon me djeg’je. Mirëpo sapo e thamë që Servantesi e ka shkrojtur kryeveprën e tij tamam për t’u vënë ferrën librave të kalorisë, që tani në këtë kapitull zë e i lëvdon. Me ç’duket, personazhet e mësipërm, të pafuqishmë dhe të çgënjyer nga bota ku jetojnë, të ngërthyer në konradiktën mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë, e gjejnë zgjidhjen në zhdukjen e dëshmive të shkruara të lavdisë së kohëve të mëparshme.
Pra, llogjika e tyre thotë: “jetojmë në mes zvetënimit, ndaj që t’i fshihemi krahasimit me kohët e bukura, hajt të zhdukim gjurmët e saj dhe kështu ndjehemi të qetë”. E trishtë vërtet por gjeniale, apo jo! Libri i Servantesit, i botuar në kohën e degradimit të përgjithshëm të Spanjës së shekullit XVII, kthehet kështu brenca ca pak faqeve në një kritikë indirekte dhe monumentale e realitetit të Spanjës dhe jo e ëndrrave të Don Kishotit.

Kanë shkuar shekuj që atëhere dhe në jo pak raste, popuj e qeverira, në momente të përafërta, i janë drejtuar kësaj zgjidhjeje barbare, për të fshehur pazotësinë e tyre për të ndrequr punët. Apo, të pafuqishmë të ndalin rrjedhën e historisë kur ajo merr për keq, përpiqen të gjejnë ngushëllim në të zhdukurit e gjurmëve të së shkuarës, e cila duan s’duan i bën të mejtohen.
Kështu, duke i vënë fshesën së shkuarës, edhe me veten e tyre gjejnë rehat, por edhe ata që do vijnë pas, do gjejnë vetëm shkretinë e sotme dhe as do i dënojnë e as do i zënë dot për barbarë.

A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *