XHAMIA E KUQE është një nga xhamitë më të vjetra që ruhet në qytetin e Beratit. Aktualisht gjendet në rrënojat ku ruhet salla e lutjeve me planimetri thuajse katrore dhe para saj ndodhet hajati me pothuajse të njëjtën gjerësi. Minareja është e ndërtuar në anën e majtë. Ajo është e vendsur ndryshe nga të gjitha xhamitë sepse është e kushtëzuar nga prania e mureve të rrethimit. Forma cilindrike e trupi të minaresë pa faqje është një shfaqje shumë e rrallë në arkitekturën e minareve tona. Teknika e ndërtimit e përdorur për muret e objektit është ajo e klausonazhit. Datimi i xhamisë paraqet vështirësi. Për nga teknika e ndërtimit dhe nga vendodhja e saj mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit të XV. Xhamia i ka shërbyer karvaneve që vinin nga lindja në perëndimi dhe më vonë i ka shërbyer garnizonit turk.
XHAMIA MBRET është një nga xhamitë kryesore të qytetit. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV. Përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minareja.Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formjnë strukturën dekorative të saj. Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të ZOTIT.Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Portiku është më i ri se Xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII nga Usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkadë e mbështetur në kollona guri.Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV. Nga jashtë Xhamia është tërësisht e suvatuar dhe mbi suvatim është vizatuar për të imituar muraturën e saj.
XHAMIA E PLUMBIT u ndërtua në vitet 30 të sheullit XVI.Monumenti ngrihet në qendër të qytetit dhe u ndërtua me porosi të feudalit vendas Ahmet Bej Uzgurliu, një feudal vengas i konvertuar në islam.. Elementët përbërës arkitekturor të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore mbuluar me kupola më të vogla se ajo qëndrorja dhe minareja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit. Në brendësinë e saj karakteristik është ndricimi i bollshëm nga prezenca e shumë dritareve. Dyshemeja e xhamisë ka qenë e mbuluar me tulla gjashtëkëndëshe, nga e cila ruhen vetëm disa fragmente.
XHAMIA E BEQARËVE është një monument i kategorisë së I-rë me vlera të shumta arkitekturore dhe përfaqëson një arritje të lartë në nivelin e ndërtimit të objekteve të kultit në qytetitn e Beratit. Karakteristik për këtë monument është aplikimi i pikturës murale në fasadat e jashtëme dhe të brendshme. Piktura datohet në vitet 1827-1828 dhe shquhet për një nivel të lartë kompozimi. Piktura murale është aplikuar në brendësi të sallës së lutjeve në dy rreshta horizontal. Minarja është e stilit të ulët ndërsa nga përpara monumenti për t’u përshtatur me terrrenin ngrihet mbi një portik me kollona prej rrathësh guri në ngjyrë gri. Xhamia ngrihet në dy kate për t’iu përshtatur terrenit të pjerrët, ku kati i poshtëm ngrihet në një portik me kollona prej rrathësh guri ngjyrë gri. Veçanti tjetër është rrethimi i portikut të hapur në katin e sipërm me harkada nga të tri anët e tij. Gjithashtu në pamjen e jashtëme xhamia e Beqarëve dallohet për vëllimin masiv, minaren e ulët dhe arkadën e përparme me kollona prej rrathësh guri.
TEQJA E HELVETIVE.Mendohet se është ndërtuar në shekullin e XV dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në 1782. Përbëhet nga salla e faljes me planimetri katrore, një ambient i vogël për shërbesa fetare të veçanta dhe nga një portik i hijshëm i cili paraprin hyrjen për në sallë.
Në sallën e lutjeve ndodhet një mafil ballkon i cili është i punuar në dru të dekoruar dhe është i pikturuar. Në faqen lindore të sallës së lutjeve ndodhet mihrabi i zbukuruar me stalaktika guri. Në muret e brendshme të Teqes janë pikturuar gjithsej 8 afreskë në të cilat janë pikturuar banesa, objekte kulti Muslimane si dhe peisazhe natyrore. Muret poshtë afreskëve përshkohen nga vrima të cilat përmirësojnë akustikën në sallë.Tavani i sallës së lutjes është i ndërtuar me dru dhe i dekoruar me piktura të cilësuara si më të bukura të kohës. Ai është i dekoruar sipas stilit Barok të përshtatur në artin islam dhe është i veshur me fletë ari 14c.
Portiku i teqes ka pesë kollona guri që janë marrë nga qyteti antik i Apollonisë. Sipër portës kryesore në portik gjendet një mbishkrim që i kushtohet vlerave të Teqes dhe Ahmet Kurt Pashës.
(@Drejtoria e Monumenteve të kulturës, Berat)