Ardian-Christian Kyçyku në takimin e sotëm në Laipcig për shkrimtarin mes dy kulturash ka thëmë se: Qysh në fillesat e veta njeriu jeton mes dy kulturash: njëra e brendshme dhe tjetra që vjen nga jashtë, por po përmes gjuhës amtare. Në periudha të vështira historike, kjo shtresë e kulturës së huaj shërben si strehim, ose si arrati e përkohëshme. Edhe tani kulturat kombëtare janë të dyndura nga kultura e ashtuquajtur globale, por niveli i kësaj të fundit nuk është si dikur. Kur nis të shkruash edhe në një gjuhë tjetër, nuk tradhton askënd e asgjë, por thjesht zbërthen një realitet të huaj duke përdorur gjuhën e tij. Shqipja dhe rumanishtja kanë mbi 30 milionë lexues të mundshëm, por nuk cilësohen si të qarkullimit ndërkombëtar. Në varësi të talentit, një autor mund të shkruajë letërsi globale në gjuhë lokale, njëlloj siç ndodh sot me shumë autorë që bëjnë letërsi lokale në gjuhë globale. Një pjesë e vogël autorësh do të shkruajnë letërsi të madhe, që shijohet nga pak lexues, ndoshta pa u bërë të famshëm, kurse pjesa tjetër e lexuesve do të rriten bashkë me autorët e tyre.
Gjëja më e mirë që ndodh kur jeton e shkruan mes dy kulturash është një vetmi krijuese që zgjerohet dhe e cila e ndihmon autorin të zgjedhë atë që mendon se është thelbësore.(Mimoza Hysa)