Agron Jano, ekspozohet kolesksioni me 53 vepra të arkitektit të ndjerë

Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve çelet ekspozita përkujtimore Retrospektivë Vizatimi “Agron Jano”. Janë 53 vepra, koleksion i familjes, pjesa më e madhe në vizatim, por edhe në pikturë të cilat prezantojnë krijimtarinë dhe pasionin artistik të arkitektit – piktor, i cili u nda nga jeta 3 vite më parë. Drejtori i GKA, Artan Shabani dhe kuratorja Esmeralda Dalipi prezantuan ekspozitën gjatë konferencës për shtyp. Drejtori Shabani bëri një përmbledhje të karrierës së arkitektit dhe piktorit Agron Jano dhe nënvizoi se: “Tradita e vizatimit në një bllok skicash, për shumë arkitektë dhe artistë ka një histori të gjatë dhe të mirëdokumentuar në analet e historisë së artit e të arkitekturës. Nga shekulli XX janë të famshme Cahiers-të e Le Corbusier, arkitektit të famshëm francez, i cili shprehej se “vizatimi në një bllok skicash…së pari, të mëson të shohësh, më pas, të shqyrtosh e ndoshta, në fund, tëzbulosh…e në këtë pikë ndoshta të vjen frymëzimi”. Shabani tha se me përurimin e ekspozitës “Retrospektivë vizatimi” ne e sjellim arkitektin e njohur shqiptar Agron Jano – që njihet si një arkitekt projektues objektesh të rëndësishme në Shqipëri edhe si një vizatues të shkëlqyer akademik, një arkitekt të vëmendshëm dhe një piktor sensiblël. “Dimensioni i Janos si një arkitekt – artist i talentuar në vizatim, grafikë dhe pikturë në këtë ekspozitë vjen i plotë. Veprat e tij këtu variojnë nga vizatime të thjeshta me linjë elegante dhe perspektiva të qarta në shkallë dhe harmoni, te skicime të kujdesshme e të detajuara në penë apo të shpejta, sensuale e impulsive; kurse pikturat janë kryesisht në frymëzim fauve. Fokusi i tij kryesor është harmonia e ndërtesave ‘klasike’ me peisazhin rrethues, sidomos në Itali, ku janë bërë dhe shumica e vizatimeve. Kjo ekspozitë nuk sjell për publikun vetëm sensibilitetin artistik dhe preferencat arkitektonike të Agron Janos; ajo afirmon rëndësinë e skicimit dhe të vizatimit si një pjesë vitale e procesit të projektimit, shprehisë artistike dhe vizionit personal, në një kohë kur renderat kompjuterikë duken të njëjtë në të gjithë botën”, përfundoi Shabani.
Ndërsa kuratorja Esmeralda Dalipi e përshkroi kështu ekspozitën:
“Ekspozita është konceptuar si një dualizëm midis kohës dhe personazheve. Ekspozita Retrospektivë Vizatimi e Agron Janos çelet në përkujtim të arkitektit dhe piktorit Agron Jano dhe ka për qëllim të tregojë karakterin artistik të arkitektit, këtë pasion i cili ka ecur paralelisht me profesionin e tij kryesisht gjatë qëndrimit në provincat e Lombardisë. Shumica e vizatimeve të ekspozura prezantojnë monumentet, piacat karakteristike të bushura edhe me personazhe.”
Në inagurimin e ekspozitës në orën 18.30 do të jenë familjarët e Janos, bashkëshortja Kristina dhe miku i tij Z. Artan Shkreli.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKA deri më 25 Maj 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *