Nga Dom Gjergj Meta
Edhe një herë Europa u godit nga terrorizmi, nga ai më i pabesi dhe më hileqari. Terrorizmi është kundër njeriut, e si i tillë kundër Zotit, dhe pikërisht terrorizmi në emër të Zotit është një blasfemi kundër tij. Europa u godit në Stokholm, sikurse më parë në Paris e në Berlin, kryeqytete simbolike të kontinentit të vjetër. Po ashtu, terrorizmi kimik vrau të pafajshëm në Siri e vazhdoin të vrasë përditë.
Nganjëherë pyes veten: A do të ishte bota më e mirë nëse të gjithë do të ishin të krishterë? Europa nuk ishte më me mirë kur ishte e gjitha e krishterë, madje të krishterët kanë vrarë për shekuj njëri-tjetrin. A do të ishte ndoshta më e mirë po të ishim të gjithë myslimanë? Nuk më duket, aspak. Pikërisht terrorizmi me matricë islamike ka vrarë më shumë myslimanë se sa të krishterë apo ateistë. Apo ndoshta po të ishim të gjithë ateistë e të pafe do të ishte bota më e qetë? E provuam me ish vendet komuniste dhe nuk doli aspak ashtu, përkundrazi viktimat dhe mohimi i lirisë ishte më i tmerrshëm se pothuasje në asnjë epokë tjetër.
Po çfarë e bën botën më të mirë dhe më të paqtë? Dhe a është e mundur paqja në planetin tonë?
Patjetër, ne po jetojmë në një epokë që duket se po shkon drejt një fundi të saj, drejt një kulmi. Karakteristikë e kësaj epoke është pështjellimi i madh i saj. Ndërsa asistojmë në arritje të jashtëzakonshme teknologjike të cilat po prekin përmasa të padëgjuara të dijes njerëzore, gjithashtu si asnjëherë tjetër po përjetojmë ç’natyrimin e njeriut prej njeriut në përmasa tmerruese. Kur sheh sulmet terroriste dhe egërsinë e tyre, menjëherë të bie ndërmend maksima sartriane ‘homo homini lupus’. Njeriu sot ka mundësi të mëdha, por pikërisht këto mundësi të vëna në duart e njeriut po kthehen kundër tij e ai po i përdor kundër të ngjashmit të vet; për të sunduar mbi të e për të shtrirë hegjemoninë e tij mbi të tjerët. Zhvillimi teknologjik po kthehet në instrumentin e një lufte të pashoqe midis njerëzve. I paaftë për të shikuar përtej hundës së tij, njeriu modern po kthen idetë dhe instinktet e vetvetes në një absolut, duke krijuar kështu një kult të ri, një njeri-tiran.
Frika është instrumenti nëpërmjet të cilit terrorizmi, duke përdorur çdo lloj mjeti, po avancon luftën e tij. Kuptohet tashmë se pas këtyre njerëzve nuk ka asnjë ideal, nuk ka asnjë frymë fisnike apo fetare që i udhëheq, por vetëm instinkti kafshëror kundër njeriut. Dhe duhet wordpress të përgatitemi që kjo luftë do të zgjasë, për aq kohë sa do të rrimë të mbyllur, të ndarë me njëri-tjetrin dhe të paaftë për dialog. Botën më të mirë nuk e bën homogjeniteti, por e bën pranimi i larmisë dhe diversitetit si një mundësi për t’u pasuruar njerëzisht. Sa herë që kërkojmë të homologojmë të tjerët për t’i bërë si vetja jonë, aq herë kemi hapur luftë ndaj natyrës e natyra rebelohet, herët a vonë. Kryet e këtij lloj terrorizmi gjenden drejt e në shpellën e qoftlargut. Është ai, armiku i natyrës njerëzore, djalli vetë, që bën këto plane dhe i shtien në veprim nëpërmjet disa mjeranësh që shpërndajnë farën e së keqes duke mbjellë panik.
Por, frikës ne duhet dhe mund t’i kundërvihemi. Si? Nëpërmjet dashurisë. Qytetërimi i frikës mundet vetëm nga qytetërimi i dashurisë. Ky qytetërim është i mundur vetëm atëherë kur njeriu flijon unin e tij, jo duke u shpersonalizuar, por duke pranuar të jetojë në liri dhe të lejojë të tjerët të jetojnë të lirë e ku të gjithë bashkë ruajmë e ndihmojmë lirinë e njëri-tjetrit. Vetëm dashuria, që do të thotë, mohimi i vetevtes për të jetuar me të tjerët dhe për t’u shërbyer të tjerëve, e zmbraps qytetërimin e frikës që terrorizmi kërkon të krijojë.
Këtë javë, ne të krishterët në të gjithë botën i përgatiten Pashkës nëpërmjet javës së Pasionit të Krishtit. Ky njeri, që për ne të krishterët është vetë Biri i Hyjit, duke vdekur mbi kryq, na la një shembull ne dishpujve të tij, na la një urdhër, të vetmin urdhër: Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve. Ky “tjetër” për t’u dashur nuk ka një kufi, ose më mirë përfshin edhe më të skajshmin kufi: Edhe armikun. Kur dashuria jonë të mbërrijë edhe armikun, atëherë bota do të jetë më e paqtë e më e bukur; në Europë e në Siri.
©Politiko.