Shtëpia e Alfabetit në Manastir në sulm, përpjekje për t’i vënë flakën muzeut

Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar mëngjesin e ditës së sotme muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir. Ngjarja vjen në një kohë kur Maqedonia është përfshirë nga një krizë e thellë politike dhe tensionesh në rritje mes palëve, ndërsa shkak për këtë është bërë qeveria e re e Zaev, e cila nuk u mandatua nga presidenti Ivanov pasi ky i fundit e pa si plan të Shqipërisë këtë qeveri. Ivanov, i njohur si mbështetës i politikave të VPMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevskit ka dalë hapur kundër Zaev.
Lajmin e Agjencisë së Lajmeve “Zhurnal” për sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, e konfirmon edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Nga MPB për Zhurnal thonë se në orët e hershme të mëngjesit 4 persona të maskuar kanë tentuar t’ia vënë flakën Shtëpisë së Alfabetit në Manastir. “Policia e Manastirit ka siguruar kamerat e sigurisë dhe një shishe molotovi e ka nisur për ekspertizë kriminalistike në Shkup, që të mund të sigurohen provat e nevojshme për kryerësit e veprës. Është kyçur edhe sektori i krimit të organizuar dhe shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit. Është urdhëruar edhe hapja e verifikimeve operative dhe plan operativ”, kanë theksuar nga MPB. Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar kur disa persona, ende të paidentifikuar, thyen xhamat e ndërtesës dhe shënuan mbishkrime nacionaliste në mure.
Kongresi i Manastirit
Kongresi i Manastirit (apo Kongresi i Alfabetit) është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor – 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë rrugës së zhvillimit historik të letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Njëri nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes dhe bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *