Shpata e satirës te “I ringjalluri i penduar” i Rexhep Qosjes

Nga Ag Apolloni
Tregimi “I ringjalluri i penduar” i Rexhep Qosjes ka statusin e satirës, sepse kërkon leximin e tekstit karshi kontekstit të cilin e përqesh. Edhe pse e bën pjesë të lojës edhe heroin kombëtar, tregimi nuk fiton statusin e parodisë, sepse nuk fshikullohet Skënderbeu, por ata që manipulojnë me figurën e tij. Duke i pasur parasysh prototipat e tregimit (politikanë të njohur kosovarë), mund të thuhet që personat e personazhizuar këtu nuk janë aq të lartë sa për të bërë parodi me ta, por as aq të ulët sa për të mos mundur të satirizohen. Parodia përmbys heronj, profetë, legjenda, kurse satira është zhanër që fitohet duke alternuar diskursin përqeshës me një temë aktuale politike. Në këtë tregim satira rri në prag të parodisë, sepse edhe habia e heroit shpesh shkakton të qeshura te lexuesi. Pra, satirë përbëjnë: teksti, politikanët, e përditshmja, e zakonshmja, ndërsa parodi: preteksti, heroi, e rralla, e jashtëzakonshmja.

Shikuar sipas tri parimeve retorike, stili reflektues në këtë tregim ndikon në shmangien e taxis-it dhe në theksimin e lexis-it. Në aspektin e euresis-it, tregimi mbetet i jashtëzakonshëm. Në stadin e parë retorik (euresis), tregimi shfaq të jashtëzakonshmen (tre politikanë kosovarë shkojnë në kishë për t’u lutur për ringjalljen e Skenderbeut). Në stadin e dytë (taxis), autori rrëfen për udhëtimin linear të heroit (nga kufiri i Morinës deri në Prishtinë), duke përzgjedhur marrëzitë e folura të politikanëve. Në stadin e tretë (lexis), tregimi shfrytëzon të gjitha mundësitë stilistike.

Euresis

Tema e këtij tregimi është marrë nga realiteti politik kosovar. Krejt aventura e Skenderbeut realizohet gjatë një dite, më 28 nëntor 2001 dhe përfshin udhëtimin nga kufiri Shqipëri-Kosovë deri në Prishtinë. Pra, përveç kapitullit të parë, që rrëfen përlutjen, dhe kapitullit të pestë që është një intermezzo, gjashtë kapitujt e tjerë rrëfejnë për udhëtimin dhe arritjen.

Kështu, tregimi nis me një ekzagjerim tematik: kërkesa për prurjen e monumentit të Skënderbeut në Prishtinë kthehet në dëshirë dhe lutje për ringjallje të heroit kombëtar.

Përtej petkut artistik, ne shohim një tregim që luan me figura të njohura të një partie kosovare, në fakt me marrëzitë e tyre që aq shpesh i kemi parë në realitet e në televizion dhe i kemi lexuar në gazeta. Tregimi është shkruar menjëherë pas ardhjes së Skenderbeut në Prishtinë, prandaj trajtimi nënkupton edhe përfilljen e një prej kritereve bazike të satirës: aktualitetin politik.

Taxis

Bota narrative e tregimit I ringjalluri i penduar përbëhet nga ngjarje reale politike dhe nga personazhe të njohura që mbanin poste të rëndësishme politike. Personazhet kanë prototipe politike, kurse narratori është e vetmja qenie fiksionale, pa prototip në realitetin e lexuesit. Krejt rrëfimi kontrollohet nga narratori homodiegjetik, mjeku dhe gazetari Çerem Çapari, i cili rrëfen për ato që sheh, lexon dhe dëgjon. Fokusi i tij krijon kornizën tonë, përtej së cilës ne nuk na lejohet të shohim. Edhe zërat që dëgjojmë në tekst, janë zëra që na vijnë të filtruar nga narratori. Në këtë mënyrë, fokalizatori dhe vokalizatori janë sytë dhe goja e narratorit, që e sundon botën narrative. Ne si lexues, jemi jashtë botës narrative, por jashtë disa ngjarjeve duket edhe vetë narratori, i cili për ngjarjen ku mungon (në kishë) u referohet dokumenteve.

Struktura kompozicionale e tregimit, me ngjarje zinxhirore, është kjo: tre politikanë luten për ringjalljen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, lutja bëhet aty ku, sipas priftit, e pazakonshmja bëhet e zakonshme; i ringjallur me gjithë kalë, heroi ndalohet në kufi për kontroll dhe aty ia marrin shpatën, pastaj futet në Dardani (Kosovë) dhe, duke udhëtuar, sheh popullin e hipnotizuar nga partia, sheh tenda, jo të ushtarëve, por të njerëzve që u janë djegur shtëpitë gjatë luftës, dëgjon sesi njerëzit po i kthehen fesë, sheh bizonë (buaj e buallica); duke kaluar nëpër qytetin e fundit para se të hyjë në kryeqytet, heroi sheh fabrikën e cigareve Indipendenca dhe një xehe ku është gjetur uranium, me të cilin, siç ka thënë lideri pacifist, mund të prodhohet bomba atomike dhe të pasurohet arka e shtetit; duke hyrë në kryeqytet, heroit i prezantohet ferma e qenve, ku njëri lloj i tyre, qeni i Sharrit, synohet të shpallet vlerë kombëtare, madje edhe vlerë universale; kur heroi hyn në kryeqytet, bëhet një paralele mes pritjes së Marshall Titos dikur dhe pritjes së Skenderbeut tani dhe, po ashtu, siç e pret populli Skenderbeun, edhe Skenderbeu detyrohet ta presë liderin, të parin e parë, i cili më në fund vjen, me një kapele sportive në kokë për të mbajtur fjalimin për heroin me përkrenare; në kapitullin e fundit, pasi ka marrë fund udhëtimi historik, jepen fjalimet historike që kulmojnë me fjalimin e presidentit historik, i cili në fund, ia dhuron heroit një shportë me dardha, si specialitet të Dardanisë, dhe largohet nga tubimi. Skenderbeu i dëgjon të gjithë, por atë s’e dëgjon askush. Kështu, heroi kombëtar, pushtohet nga dëshira që të kthehet e të pushojë atje ku kishte qenë, i zhgënjyer nga politikanët që kujdesen për qentë, por jo edhe për popullin.

Lexis

Pas gjetjes së temës së jashtëzakonshme, pas strukturimit zinxhiror, vjen faza e zbukurimit, e cila, për nga radhitja retorike është e treta, por për nga rëndësia estetike është e para. Kjo nëkupton procesin e zbukurimit të tekstit, ornare verbis. Kështu, stili bëhet dekor dhe domethënie, në të njëjtën kohë.

Për ta zbukuruar diskursin satirik, Qosja përdor të gjitha mjetet e nevojshme stilistike, duke e mbushur me ekzagjerime, që janë teknikat më të zakonshme satirike (Claridge 2010: 257),duke mos synuar ta bëjë qeshjen komponente thelbësore të satires (Corum 2002: 175), por duke e bëre ironinë militante, i vetëdijshëm se dallimi kryesor mes ironisë dhe satirës është se satira është ironi militante (Frye 1971: 223), duke provuar shkathtësitë nëpër nivele të humorit dhe duke u pozicionuar haptazi kundër objektit që përbëhet nga marrëzitë e folura të personazheve. Në këtë rrafsh, janë bërë disa gjetje mjeshtërore fonostilistike, morfostilistike, sintaksostilistike e semantostilistike në funksion të përqeshjes së diskursit absurd të personazheve. Duke i mbetur besnik motos së këtij tregimi se marrëzirat e bëra nganjëherë edhe mund të përmirësohen, por marrëzirat e folura janë të papërmirësueshme, stilizimi i diskursit narrativ është bërë kryesisht duke përdorur figurat e fjalëve, si:metafora, krahasimi, hiperbola, ironia, klisheja, oksimoroni, neologjizmat, truizmat etj.

Satira dhe Satiri

I ringjalluri i penduar është quajtur tregim, por mund të quhet edhe novelë, apo roman. Ka kohë që teoria e zhanreve nuk paraqet më rëndësi. Sipas Todorovit, i cili i studioi zhanret letrare (1970), letërsia ka hequr dorë nga ndarja në zhanre. Ngjashëm kishte pohuar edhe Blanchot: libri nuk i përket më një zhanri (1959: 244). Ndërsa, në postmodernizëm Hutcheon flet për një ndërveprim zhanror kompleks (1988: 139), që nënkupton strukturën e hapur që paralizon përpjekjen për përkufizim zhanror. Tregimi i Qosjes, duke qenë diskurs brikolar (Derrida 1967: 418), merr citate dhe modele nga kategori të ndryshme tekstesh dhe strukturohet si tregim, si novelë, si roman, si ese, si tekst filozofik, si tekst politik, si tekst publicistik etj. Meqenëse, të gjitha këto lloje diskursesh që përbëjnë një lanx satura, apo një pjatë me fruta të ndryshme (Kharpertian 1990: 25-7), i shërbejnë qëllimit të autorit për me tregue, jo me shfaqë, një histori, atëherë autori zgjedh dominanten dhe e cilëson veprën tregim, ndërsa vetë tregimit ia vë epitetin satirik.

Satira nuk është strukturë, por është tonalitet. Origjina e saj lidhet me satirin, i cili te grekët ishte njeri me tipare të kalit, kurse te romakët – njeri me tipare të cjapit. Njeriun, kalin, cjapin i gjejmë edhe në monumentin e Skenderbeut: mbi kalë është njeriu që në përkrenare ka kokën e cjapit. Kështu, tregimi i Qosjes përmban edhe origjinën greko-romake të satirës.

Satira, si tekst që lidhet me kontekstin politik dhe çështjet aktuale, është përqeshje e marrëzive dhe e veseve të njerëzve. Siç thotë Frye, veseve të mëdha nuk u nevojiten njerëz të mëdhenj që t’i përfaqësojnë (1971: 228). Prandaj, edhe pse në tregimin e Qosjes më i madhi është Skenderbeu, veset e mëdha i përfaqësojnë të tjerët. Si qëllim final, narratori, i identifikueshëm me autorin për nga qëndrimi ndaj objektit, krijon një satirë dhe bën një gjykim moral, sepse ai përzgjedh marrëzitë që do t’i trajtojë dhe, fundja, vetë akti i përzgjedhjes është një akt moral (Frye 1971: 224).

Shikuar nga pikëpamja historike e zhvillimit të satirës shqipe, I ringjalluri i penduarvjen si satira më e bukur dhe më e sertë e kësaj letërsie. Në të autori, me njohje të thellë mbi narratologjinë, është fshehur pas narratorit, kurse narratori pas heroit. Shpata Skenderbeut i merret në kufi, por një shpatë tjetër, ajo e satirës, vret e pret pa ndërprerë në një betejë të dyfishtë: kundër personazheve satirike dhe kundër prototipave politikë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *