Nga Alda Bardhyli-Gazeta Shqip
Takimet e saj të para me Proust, Albert Kamy apo vargjet e Boudelaire do të ndodhnin fshehur. Nën pasionin e një zbulimi të ri, atëherë vetëm një studente në vitet 80-të, Mirela Kumbaro do të ndjente jetën tjetër, që ta jep letërsia e vërtetë, qoftë dhe përmes një rrëfimi. Ishte vetëm ajo dhe Rimbaud, dhe vargjet e tij shpesh të fuqishme që dukeshin si një kalim në një botë të re, për një vajzë që sapo ka kaluar të 20-tat. Më pas rendja e saj drejt librit vazhdoi të ishte e natyrshme, si ecja në një rrugë ku ndjen se përket. Ishin librat ato që i bëjnë të paharrueshme takimet që ajo ka sjellë në shqip me autorë si Milan Kundera apo Margarite Duras…Tashmë Ministre e Kulturës, Kumbaro vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës…
-Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?
Në këtë çast që flasim, Kundera mbetet një autor i zemrës, ndoshta sepse e kam përkthyer, ndoshta edhe sepse kam në dorë përkthimin e “Lehtësisë…”; “Princi i Vogël” i Saint Exupéry-s është një libër që ma ka rrëmbyer përgjithmonë zemrën; “Buzë të ngrira në gaz”, janë poezitë e Zef Zorbës që i mbaj në tryezën e punës. Nesër mbase do të jap një përgjigje ndryshe…
-Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Nuk besoj te formulat absolute “më i miri a më e mira e të gjitha kohërave” që në fakt e për fat ende s’kanë ndodhur. Në përgjithësi s’i jam përgjigjur kësaj pyetjeje, sepse sa herë më pyesin më vjen një përgjigje e ndryshme nga e para; pastaj, kush jam unë që të jap definicione për “të gjitha kohërat” !
-Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Prapë.. Nuk e di. Unë kam lexuar me qejf në fëmijëri tregimet e Azis Nessinit, në rininë e hershme ato të Cvjagut, tregimet e Zija Çelës, më vonë tregimet e Kafkës. Tashmë nuk lexoj më tregime. Do të vijë një kohë që do t’u rikthehem besoj.
-Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Në dijen time, që t’i ketë bërë të gjitha, dhe t’i ketë bërë mirë, një emër më vjen menjëherë ndërmend: Umberto Eco, madje as ai s’shquhet për poezi, por ka bërë përkthime të shkëlqyera. Me ikjen e tij u shua mendja e fundit gjeniale e letrave bashkëkohore, besoj.
-Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
S’kam parapëlqime gjinie. I vetmi kriter është cilësia. Sot lexoj thuajse vetëm eseistikë dhe histori politike për mungesë kohe. Dhe për të njëjtën arsye nuk arrij dot të lexoj letërsi artistike siç kam lexuar. E them me shumë keqardhje këtë.
-Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Në fakt unë s’e di se çfarë do të befasonte dikë tjetër në bibliotekën time. Di të them që gjenden aty që nga Pinokio e deri të Meshari i Gjon Buzukut, nga Marquise de Sade e deri te Kurani e Bibla, nga Përrallat e Nastradinit deri tek antikuarë nga Libraria “Lumo Skëndo”, por edhe autografe nga akademikë francezë dhe autorë si Umberto Eco. Ç’t’ju them! Ec e gjeje se çfarë mund të jetë befasuese aty…
-Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Piter Pan dhe Meri Popins J Përtej shakasë, nga leximet nuk para më mbeten heronjtë apo heroinat, më mbeten librat dhe autorët, më mbetet Edukimi i ndjenjave dhe Flaubert, Kronikë në gur dhe Kadare, sikurse më mbetet Njeriu që qesh dhe Hugo-i apo 2666 dhe Roberto Bolano, por edhe Poema e Mjerimit dhe Migjeni, Nemesis dhe Philip Roth, do të ishte e gjatë lista se për fat të mirë qarkullimi i letrave botërore nuk pasuron vetëm bibliotekat, por sidomos imagjinatën. Aty brenda ka plot heroina e heronj.
-Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Lexues grabitqar. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë dhe përfytyroja librat që doja të lexoja dhe që s’mund t’i kisha. Zgjedhjen e kishim shumë të ngushtë e të kufizuar asokohe. Romani i parë, ka qenë Ariu Artist i Gaqo Bushakës. Mund të kem lexuar mbi dhjetë herë Tom Sojerin, vdisja për “Aventurat e Çipolinos”, përpija Zhyl Vernin, adhuroja vargjet e Naim Frashërit. Kujtoj me nostalgji që shkoja çdo javë me tim atë në librari për të blerë librin e javës. Asnjë ndryshim nga brezi im. Lexonim të gjithë të njëjtat libra. Ndryshonte vetëm mënyra dhe kufijtë e shtyrë të fantazisë që ngacmonin te gjithsecili prej nesh ato lexime. Por këtë e shprehnim më pak se sa sot ose shumë pak nga ç’e mendonim sepse jemi rritur në një shoqëri ku fjala ishte nën pranga dhe ne ishim mësuar të lexonim mes rreshtave.
-A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Normalisht s’kisha asnjë mundësi të lexoja libra të tjerë veç atyre të lejuar. S’kisha “miq” në Bibliotekën Kombëtare dhe mesa dukej s’isha ndër njerëzit e besuar për t’u futur në të ashtuquajturin “rezervat” ku gjendeshin librat e ndaluar. Në fakultet, falë dy profesorëve të mi francezë, m’u dha mundësia në kushte krejt klandestine të lexoja libra të ndaluar në Shqipëri, ata më zbuluan Proust dhe Camus, Baudelaire dhe Rimbaud. Mbetej shumë e rrezikshme kjo gjë edhe në fund të viteve ‘80 kur na thirrën autoritetet universitare dhe na ndaluan komunikimin me profesorët nën presionin e pasojave që mund të kishim. Por vijuam të takoheshim fshehurazi, ndonëse më shumë trembesha për prindërit e mi të cilët ishin më të ndëshkuar se unë nga spastrimet politike në dekada dhe për pasojë edhe më të panikuar. Prandaj i lexoja fshehurazi tyre që të mos i shqetësoja. Këtë profesorët Champseix e tregojnë më mirë në librin e sapobotuar në shqip Bulevardi Stalin, Nr 57, nën përkthimin e shkëlqyer të shoqes time të universitetit Irena Rambi.
-Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?
Asnjë libër vetëm s’të bën ai/ajo që je. Nëse doni një përgjigje metaforë për këtë pyetje ai libër është Libri i Jetës ku autorët e parë, më të rëndësishmit dhe të pazëvendësueshmit janë dy prindërit e mi.Pastaj, jeta bën të vetën duke shtuar fletët.
-Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Tekstet që kam rishkruar janë shumë më të mire se ata që kam shkruar. Domethënë përkthimet, sepse i kanë shkruar të tjerët shumë mirë. Vështirë t’i ndaj nga njëri-tjetri, por po veçoj një libër të jashtëzakonshëm, Mesdheu i Fernand Braudel – histori, eseistikë, prozë poetike, antropologji, të gjitha bashkë në emëruesin e një mendjeje të ndritur dhe të një mjeshtri të shkrimit.
-Po qe se do t’i kërkonit Kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Asnjëherë s’kam lexuar, ose të paktën s’kam lexuar me qejf, librat që më kanë kërkuar të lexoj, se nuk i qasem dot librit kështu. S’besoj se do ia bëja këtë dikujt tjetër, cilido qoftë ai. Rruga drejt Librit dhe drejt çdo libri është shumë personale.
-Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Duke qenë se në imagjinatë lejohet çdo gjë po guxoj të ftoj: Faik Konicën për cinizmin e vet. Oriana Fallaci-n për guximin e saj Orhan Pamuk-un për ngrohtësinë e Mesdheut oriental.
-Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Ka një arsye pse nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Sado që ju më bëni pyetje siç i bëhen çdo studiuesi pakkush do të shihte studiuesen apo thjesht lexuesen sot tek unë. Si e tillë nuk kam hezituar dikur të kritikoj me emër e mbiemër tituj e autorë kur e kam gjykuar të nevojshme. Në pozitën e ministrit të Kulturës, çdo gjykim i mirëfilltë studiuesi qoftë edhe subjektiv do të konsiderohej si një paragjykim i institucionit që unë drejtoj. Kam vendosur qysh në krye të herës, pikërisht sepse vij nga ajo botë, që gjykimet mbi vlerat, çmimet, programet e projektet që paraqiten për vlerësime të mos bëhen asnjëherë nga ministri por vetëm nga komisione, juri, kolegjiume të pavarura nga ministri. Dhe nuk dëshiroj të lë asnjë hije në këtë gjë. Me keqardhjen e mospërgjigjjes për ju.
-Kush do të donit ta shkruante historinë e jetës suaj?
Shkruhen historitë e jetëve të njerëzve të veçantë. Unë jam njeri i zakonshëm. Shumë, shumë mund të shkruaj kujtimet e mia për njerëz të tjerë më të rëndësishëm për publikun.
-Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Vijmë të pyetja e parë. Kthehem tek Umberto Eco, te Migjeni, te Kadareja, te Kafka, por shpesh i rikthehem librit i At Zef Pllumit Rrno për me tregue, është si një lloj balsami.
-Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Uhhh… S’do më dalin vitet e jetës normale njerëzore për t’u çliruar nga kjo brengë. Është i vetmi rast kur më ngushëllon ideja e një jete të përtejme.
-Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Të rilexoj “Komedinë hyjnore” të Dantes