Jul Deda: Shqepet e shqyhet Shekspiri, Kryeneçen s’ka kush ta zbusë!

Nga Julian Deda

(Në vend të thashethemeve në tavolina kafanesh)

Meqë jemi në profesionin e shkak-pasojave, edhe ky reagim është pasojë e një shkaku. Cili është shkaku? Po jua shuaj kuriozitetin që në fillim. Shkaku është shfaqja e fundit që pashë në skenën e Teatrit Kombëtar, pikërisht “Zbutja e kryeneçes” e qëndisur nga Shakespeare, por e shqepur, shqyer dhe e përçudnuar në mënyrë monstruoze nga regjisorja e radhës. Një shfaqje komplet jashtë standartit. Për të qenë korrekt, kjo vepër e mbylli rrugën për këtë sezon ndaj po e ndaj me ju këtë opinion pikërisht tani, që të mos kishte ndikime direkte por reflektim.

Aktorët deri diku nuk kanë faj, por një gabim mund t’ua quaj. Gabimi është fakti që pranojnë të luajnë trajtime të tilla, që të vjen turp ti shkruash në CV. Nejse. Për tu sqaruar deri në detaj me lexuesit, është e nevojshme që të shpjegohem në dy aspekte. Si spektator dhe si profesionist.

Si spektator. Duke patur parasysh faktin se kam shkuar në Teatër për të parë një vepër, të cilën e kam lexuar disa herë dhe e kam parë të vënë edhe në skenë gjithashtu disa herë, lipset nevoja të dorëzoj armët profesionale dhe të ulem në karrigen e përcaktuar nga bileta për të shijuar një shfaqje Teatri. Dhe kështu ndodhi. U ula, fika celularët dhe prita të fillojë shfaqja. Ajo filloi. Pa asnjë paragjykim nisa ta shoh. Të them të drejtën, jo vetëm, që nuk u argëtova, por edhe nuk kuptova asgjë. Dola i pakënaqur dhe mbi të gjitha i paqartë për atë që pashë. E vetmja gjë që kuptova ishte qe Kryeneçja u “zbut”, sepse kështu thotë edhe titulli i veprës. Pra 3 orë nga jeta ime të shkuara dëm.

Si profesionist. Këtu do ndalem pak më gjatë, sepse instikti profesional nuk më le të qetë. Edhe si profesionist i fushës bëra të njëjtën gjë. U ula në ndenjësen sipas biletës, fika celularët dhe prita fillimin e shfaqjes. Filloi. Që në momentin e parë del një si tip kllouni, të cilin Shakespeare nuk e kishte parashikuar kur e shkrojti veprën. U tregova i duruar, sepse nuk desha të paragjykoja gjithë shfaqjen vetëm nga pesë minutat e para. U tregova aq i duruar sa gëlltita edhe atë skenën e tmerrshme e të stërzgjatur të prezantimit të karaktereve, medemek tip “commedia dell’arte”, që në fakt s’kishte asnjë lidhje me të.

E kështu durova për gati 1 orë e 25 minuta. Në këtë moment mu sos durimi dhe jo për fajin tim e as të Shakespear-it, por për shkak të asaj që po më shihnin sytë dhe po më dëgjonin veshët. Tablloja ishte pak a shumë kjo. Mizanskena të pakuptimta. Aktorë që bëjnë reshtoren në mes të skenës. Aktorë që nuk shprehin asgjë me trupin e tyre dhe për më tepër nuk thonë asgjë as me fjalë, por vetëm pështyjnë (në kuptimin e parë të fjalës) fjalët e autorit. Keqkuptim të figurave artistike dhe karaktereve të veprës. U përballa me një Katerinë që kërcënon motrën e saj me “kamzhik”, duke treguar forcë fizike, ndërkohë që në të vërtetë e vetmja armë e saj është zgjuarsia. Ajo nuk zbutet sepse Petrucio është i dhunshëm me të dhe bërtet.

Në të vërtetë zbutet sepse ajo përballet me një njeri më të zgjuar se ajo. Automatikisht kuptojme se Petrucio është personazh inteligjent dhe shumë i zgjuar. Ndërkohë edhe ky i shkreti ishte totalisht i keqkuptuar, sepse bërtiste. Nga të bërtiturat e panevojshme, aktori u lodh duke luajtur një nga personazhet më rehatshëm (jo në kuptim fizik) të komedisë. Në fund çdo gjë vjen e paqartë. Duket sikur tri femrat që lidhin besën me njëra-tjetrën, na bëjnë me dije se ne (femrat) zbutemi kur të duam dhe bëhemi kryeneçe kur të duam, gjë të cilën autorit gjithashtu nuk i kishte shkuar ndërmend, sepse ai e lartëson femrën kurse regjisorja, e cila është femër vetë, e ul dhe e bën pothuajse një ‘lace’. E çuditshme. Për të mos kërkuar pastaj ndonjë gjetje regjisoriale, për të cilën regjisorja paguhet për ta krijuar. U tmerrova. U skandalizova nga vënia e kësaj vepre.
Ajo që më shqetëson më shumë është e ardhmja e këtij profesioni.

Duke i dhënë terren vënieve të tilla, nuk bëjmë asgjë tjetër përveç se ushqejmë publikun me tallavara, që për skenën e atij Teatri janë mallkim. Duke i dhënë hapësirë regjisoreve që duke u marrë me këtë profesion thjeshtë “i kanë rënë gabim” pra kanë ngatërruar totalisht rrugë, nuk bëjmë asgjë tjetër përveç se ofendojmë edhe ata pak njerëz që marrin vesh nga kjo punë. Ajo shfaqje nuk meriton as biletën 300 lek të reja, që në fakt është çmimi më i ulët në planet dhe është turp. Drejtoria e institucionit duhej ta ndalonte atë shfaqje të dilte para publikut. Fakti që nuk e ndaloi tregon se, ose është bërë palë për ndonjë vjedhje të rradhës, ose shpërfytyrimi i Teatrit nuk i bën më përshtypje. Bordi, i cili gjithashtu paguhet nga taksat tona, që e ka zgjedhur këtë platformë regjisoriale duhet të mbajë përgjegjësi profesionale për këtë dëm kulturor të shkaktuar.

Më tragjik është fakti se askush nuk flet. Asnjë regjisor, aktor apo njeri i Teatrit nuk ndjehet. Po pse vallë? Kanë frikë? Edhe mund të kenë sepse marrin përsipër riskun e madh. Kanë frikë se nuk i qasin në Teatër dhe kështu ngelen pa rol, pa lek, pa bukë. Nuk ju vë faj jo, por duhet të kuptoni se kështu s’kemi gjë në terezi. Teatri është ushqim për mendjet tona të trazuara nga e përditshmja. Ne duhet ta mbrojmë, ta ndihmojmë dhe mbi të gjitha të zbojmë çdo njeri që nuk e do atë. Teatri është në grahmat e fundit. Kërkohet reagim. Kërkohet shpresë. Kërkohet art. Kërkohet cilësi. Kërkohet ndjesi. Kërkohet shpirt. Kërkohet energji. Kërkohet dashuri. Kërkohet….TEATER!(Marrë nga Syri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *