“I dashur, i respektuar dhe i gjindshëm…”. Këto tri fjalë zgjedh për të përshkruar vëllanë e tij, Tajar Agolli, në 85-vjetorin e lindjes. Bëhet fjalë për shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli, të cilin si njeri shoqëror, politik, por mbi të gjitha si një nga kontribuuesit e mëdhenj në letërsinë tonë do ta nderojnë sot në këtë ditë të veçantë, në Akademinë e Shkencave, studiuesit, miqtë, të afërmit dhe familjarët. Ndërsa, Tajar Agolli, që shërbeu gjithë jetën si inxhinier ushtarak, rrëfen për herë të parë për gazetën “Shekulli” marrëdhëniet e tij me Dritëroin, si vëlla, shok dhe shkrimtar.
Por, si kanë ndikuar te Dritëro Agolli vitet e para të jetës, të cilat i ka kaluar në Menkulas, në këtë fshat që gjendej në një kodër të prerë? Përse jeta letrare e shkrimtarit nisi me vjersha, të cilat godisnin veset e këqija? Përse, kur përfundoi klasën e pestë, në vitet 1943-’44 do të bënte korrierin e luftës, duke u ardhur në ndihmë partizanëve? Këto detaje dhe jo vetëm, të cilat ndikuan që ai të vijoi shkollën “Asim Zeneli” në Gjirokastër, duke pasur mundësi të shkruajë te “Zëri i rinisë”, “Letrari i ri” etj., na i tregon vëllai i tij.
Ai shton gjatë rrëfimit se pasi Driëroi përfundoi gjimnazin, Kahreman Ylli (sekretar në Ministrinë e Arsimit asokohe) e dëgjoi duke recituar një vjershë për luftën, edhe pavarësisht se dëshira e tij ishte që të mbaronte shkollën e lartë për zooveterinari apo biologji kjo gjë nuk ndodhi. Atij i doli bursa për në Leningrad për degën e Gazetarisë. Atje jeta e tij ndryshoi. Ai njohu një vajzë, me të cilën u martua dhe pati një djalë. Pasi përfundoi universitetin u kthye në Tiranë bashkë me ta. Por, kjo bashkëjetesë nuk do të shkonte larg, sepse pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik ajo u largua bashkë me djalin. Ndërsa Driëroi nisi punë te “Zëri i popullit” dhe ndërtoi sërish jetën familjare me zonjën Sadije, me të cilën kanë dy fëmijë.
Zoti Tajar, ju jeni vetëm një vit më i vogël se shkrimtari Dritëro Agolli. Shumë ngjarje familjare dhe jo vetëm i keni përjetuar së bashku, por nëse rikthehemi pas te fëmijëria juaj në Menkulas të Devollit. Çfarë mbani mend?
Fshati i Menkulasit është i ndërtuar në një kodër të prerë, i cili të ngjason me një kon, të cilit i kalon lumi pranë. Ndërsa, unë dhe Dritëroi kemi vetëm 1 vit diferencë me njëri-tjetrin, prandaj kemi qenë përherë si dy binjakë. Vetëm se unë isha më i mbushur fizikisht, ndërsa ai elegant. Kjo duket dhe nga fotot që kemi bërë bashkë në atë periudhë. Por, Dritëroin gjatë fëmijërisë në Menkulas e kujtoj si një djalë shumë të shkathët.
Kur nisi të shkruante? Çfarë e ngacmonte që krijonte vjersha?
Ai shkruante që i vogël. Në gazetat që ngjiteshin në mur asokohe kishte poezi dhe bejte, të cilat i kishte shkruar ai. Ngacmohej nga vjedhjet që ndodhnin në fshat, kjo duket te theksi që ai vinte te vargjet e tij, duke dashur të godiste veset e këqija. Nga kjo gjë çuditeshin edhe bashkëfshatarët. Pasi përfundoi klasën e pestë fillore shkoi në Bilisht, sepse nuk kishte shkollë në vendin tonë. Atje fillimisht duhet të bënte një testim për të hyrë në shkollën 7-vjeçare me të cilën mund të bëhej mësues. Por, pasi e përfundoi ai dëshironte të vazhdonte pedagogjiken. Përpara se të shkonte tek “Asim Zeneli” në Gjirokastër, u bë festa e punëtorëve në 1 Maj. Gjatë asaj dite u bënë parakalime. Por, Dritëroin e nxorën nga rreshti, sepse kishte veshur një pallto grash me këpucët të vjetra. Pas kësaj ngjarje bëri një poezi, “Opinga dhe këpuca”, të cilën e nxori te gazeta e qendrës kulturore. Për këtë e vlerësuan të gjithë. Kjo gjë ndikoi që ai të fillonte shkollën pedagogjike në Gjirokastër.
Para kësaj, ka qenë edhe korrier lufte për partizanët gjatë Luftës Nacionalçlirimtare…
Ishte koha e luftës. Pas një zënke që pati me prindërit ai u largua dhe shkoi te partizanët. Atje nisi një aktivitet, si aktivist. Nëna qante për këtë, derisa erdhi në shtëpi sërish. Por, ai ishte tashmë një korrier serioz, të cilit i jepnin për të sjellë në fshat dokumente. Babai ishte kryetar Këshilli i Luftës Nacional-Çlirimtar, por Dritëroi dhe pse ishte i vogël e shprehu qëndrimin e tij vet gjatë luftës.
Çfarë ndodhi gjatë qëndrimit të tij në Gjirokastër, atje Dritëroi pati mundësinë që të ishte edhe në rrethin letrar, në të cilin gjendej Ismail Kadare…
Atje u krijua grupi letrar në të cilin merrnin pjesë Dritëro Agolli, Ismal Kadare etj. Ai vazhdonte që të shkruante në revistat e kohës. Kur përfundoi gjimnazin, Kahreman Ylli (ish- Ministër Arsimi), kishte shkuar për vizitë në Gjirokastër. Ai e dëgjoi duke recituar një vjershë për luftën. Ndonëse, dëshira e Dritëroit ishte që të mbaronte për zeoveterinari, Ylli e mendoi të arsyeshme, që ai duhet të vazhdonte për letërsi. Më vonë atij i doli bursa për në Rusi për degën e Gazetarisë dhe atje përfundoi shkëlqyeshëm temën e diplomës për Migjenin.
Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik ai përfundoi studimet edhe vendosi që të rikthehet në Tiranë…
Babai në vitin 1956 kishte ardhur për të jetuar me mua në Sukth. Më pas unë ndërrova shtëpi dhe u zhvendosa tek ish-Kinostudio. Unë isha kthyer nga Bashkimi Sovjetik më parë, ndërsa Dritëroi u kthye nga Rusia më pas, por nuk kishte shtëpi se ku mund të rrinte. Me vete solli vetëm një biçikletë “Riga”, e cila e ka shoqëruar kur shkonte në punën që nisi te “Zëri i popullit”. Periudhë, të cilën ai e vlerëson shumë, sepse mendon se nuk je qenë gazetar më parë, nuk mund të bëhesh shkrimtar i mirë. Nëpërmjet gazetarisë njohu shumë njerëz dhe shkoi në shumë vende, të cilat u reflektuan në atë që ai shkroi më pas.
Por, gjatë kësaj periudhe ai nuk ishte vetëm, nga Rusia erdhi bashkë me ish- bashkëshorten?
Ai erdhi bashkë me të shoqen ruse, Ninën, dhe djalin një vjeç, Arianin. Unë dija rusisht dhe e shoqëroja Ninën në koncerte. Kemi shkuar mirë, sepse ai është një vëlla i mirë. Por, kunata u largua, jo sepse e përzunë për shkaqe politike, pasi ajo jepte mësim te shkolla “Skënderbej”, “Partizani” etj., por, sepse rrethanat ashtu erdhën. U largua bashkë me djalin me vullnetin e saj, sepse donte që Dritëroi të ecte dhe të përparonte. Pas kësaj unë u martova dhe ai doli për të jetuar te një hotel pranë Parlamentit, derisa i dhanë një shtëpi afër redaksisë te “Zëri i popullit”. Marrëdhëniet tona vazhdonin të ishin shumë të mira, çdo mbrëmje ne shkonim tek ai dhe deri vonë. Ndërsa, djalin (i cili prej 4 vitesh nuk jeton më) e takoi disa herë dhe për këtë gjë ka meritë të madhe Sadija (bashkëshortja etij), e cila i afroi bashkë.
Ju keni pasur dhe një motër. Por, si ka qenë marrëdhënia mes jush?
Ka qenë një marrëdhënie shumë e mirë, sepse ajo ishte një njeri i rrallë. Para një muaji u nda nga jeta dhe Dritëroi për të ka qarë shumë. Ai është shumë i ndjeshëm. Ne kemi lënë kokën për njëri-tjetrin! Unë e kam respektuar sikur të ishte 20 vjeç më i madh, sepse gjithmonë e kam parë, si një njeri të mençur, i cili do të kishte perspektivë në të ardhmen. Mendoj se Dritëroi ka filozofinë e tij, jo vetëm art.
Po njohjen e tij me zonjën Sadije, bashkëshorten e tij të ardhshme, si e kujtoni?
Pasi u largua Nina, Dritëroi jepte mësim si pedagog i jashtëm bashkë me Ismail Kadarenë në fakultet. Sadija ishte bashkë me Helenën në këtë grup. Meqenëse iku Nina, ne i thamë Dritëroit: “Ja ku e ke shoqen e Helenës, shikoje se është shumë e mirë”. U bë një mbrëmje në një shtëpi ku të rinjtë kërcenin dans dhe atje nisi gjithçka mes tyre. Dritëroi gjatë kërcimit pa dashje e shkeli Sadijen dhe i tha: “Më fal, por unë nuk kërcej aq mirë”. “Nuk ka gjë, do të mësojmë”, i tha ajo.
Dritëroi ishte kundër luftës së klasave
Ndonëse, në krye të një posti partiak, hera-herës Dritëro Agolli ka shprehur dhe mendimin e tij kundër çështjeve me të cilat nuk pajtohej. Vëllai i tij na rrëfen se ai ishte kundër luftës së klasave, por edhe një atdhetar i madh, i cili qysh asokohe ka shprehur mendimin e tij për bashkim kombëtar, të Shqipërisë me Kosovën. Ndërsa, edhe ai si shumë të tjerë, nuk i ka shpëtuar censurës së kohës në krijimtarinë e tij. Botime të tij nisnin të qarkullonin, por u kthyen mbrapsht, vetëm sepse personazhet, që Agolli prezantonte nuk ishin të dëshiruar nga pushteti i kohës.
Zotit Dritëro iu dha mundësia, që të ishte edhe në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve. Çfarë mbani ju mend nga ajo periudhë? A ishte ai dakord me vendimet e partisë?
Dritëroi për shumë gjëra nuk ishte dakord. Por, këtë gjë e shprehte vetëm me mua. Për shembull, në vitin 1984 bashkë me Teodor Laçon, sekretarin e pikturës së Lidhjes së Shkrimtarëve, ne shkuam në Kolonjë. Rrugës duke kaluar Qafën e Krrabës Dritëroi pa një tufë me gomerë, që ishin shumë të gëzuar. “Shikoni, shikoni si azdisen gomarët”, tha ai. “Gomari për çfarë është?! Vetëm për të mbartur ujë dhe dru, ndërsa lopa dhe delja japin qumësht”, shtoi më tej. Bëhet fjalë për vitin 1984, kur gjeneralë të kohës sapo ishin goditur nga pushteti. Por, jo vetëm kaq! Gjatë takimeve që bëmë në atë udhëtim ai u shpreh se: “Ne do bëjmë çmos që të bashkojmë Shqipërinë me Kosovën.
Madje duhet ta kishim bërë këtë më parë”. Është një atdhetar i madh dhe këtë e ka demonstruar jo vetëm me këtë deklaratë, por dhe me faktin se kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik edhe pse i kërkuan të qëndronte atje, ai nuk pranoi. Duhet theksuar se aktiviteti i Dritëroit ka qenë me shkallë. Çdo arritje e tij ka ardhur gradualisht. Kur u perfeksionua nisi të botoi libra dhe nëpërmjet personazheve ai shprehte mendimet e tij. Një vëllim me tregime iu ndalua që të qarkullonte vetëm pse kishte shkruar për një kapiten, i cili u martua me një të deklasuar.
Pra Dritëroi ishte kundër luftës së klasave?
Unë kujtoj që Dritëroi asokohe ndihmoi një person, i cili kishte të atin të arratisur. Ai e hodhi në rrugë djalin dhe e la që ta rriste halla në Shqipëri. Kur u bë djali për gjendje pune, Dritëroi e futi në punë si marangoz. Për këtë veprim i shkruan një letër anonime nga fshati në të cilën shkruanin se, Dritëro Agolli ndihmonte të deklasuarit. Atëherë ishte kryetar i Lidhjes dhe anëtar i Komitetit të Partisë së Punës. Xhelil Gjoni i tha: “Çfarë thua për këtë letër anonime? Si është kjo punë?”. “Një fjalë të vetme kam”, i tha Agolli. Atëherë ekzistonte një udhëzim, që njerëzit duhet t’i afronin drejt vetes dhe jo t’i largonin. “Si mendoni ju? Marangozi duhet të na afronte ne apo duhet që ta bëja unë”, tha ai.
Takimet e tij me Qosen dhe Rugovën
Dritëro Agolli gjatë periudhë së demokracisë, i propozuan që të jetë pjesë e partive të reja politike, që kishin nisur të vepronin në Shqipëri. Por, sipas vëllait të tij, ai dëshironte të ishte një kritik i pavarur, jo duke u konsideruar, si një ish-anëtar i Komitetit Qendror.
Si ka qenë marrëdhënia e tij me intelektualët e kohës. Jo pak herë ka takuar dhe intelektualët e Kosovës, një prej tyre është Rexhep Qosja…
Gjatë periudhës së demokracisë te hotel “Dajti” Dritëroi realizoi një takim me Rexhep Qosen. Kur ai e përcolli te bredhat, më tregon Dritëroi, i kishte thënë Rexhepit se: “Ju censurën e keni pasur më të vogël sesa ne. Ne kemi pasur censurë shumë më të madhe”. “Mbeta i pataksuar – ka thënë Qosja – nga këto fjalë që Agolli më tha aq shpejt”.
Po me Ibrahim Rugovën?
Kur fitoi Partia Demokratike ata ishin të ftuar në festë, Ibrahim Rugova dhe Dritëroi. “Ti je demokrat i parë, sepse për diktaturën ke thënë arsyet se përse ai sistem ishte i tillë. Edhe pse zunë të të tërhiqnin për xhakete, ti sërish u the: As në shtratin e vdekjes nuk i rinovoj. Meqenëse je demokrat i parë dhe këtë gjë e ke shprehur, a mund të kalosh tashti nga ne”, i propozuan ata. “Unë nuk kaloj nga ju, sepse unë kritikoj. Nëse ju kritikoj juve, do të thoni se kritikoj, sepse jam një ish- anëtar i Komitetit Qendror. Ndërsa, atje nuk më thonë gjë”. Ibrahim Rugova atë natë fjeti tek Dritëroi.
“Përgjigjia që i dha Dritëroi Kadaresë për debatet mes tyre”
Kritikat ndaj diktaturës, përmes letërsisë, si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” , shoqëria që ëndërronte dhe marrëdhëniet me kolegët, sipas vëllait të shkrimtarit
Kritikat ndaj diktaturës Dritëro Agolli i kishte shprehur qysh në atë periudhë. Forma, që ai zgjodhi për të prezantuar idetë e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme deri te lexuesi i sotëm. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një nga romanet e tij, në të cilët ai godet fort injorancën e drejtuesve, që qëndronin në krye të ministrive asokohe. Por, fatmirësisht atëherë këtë gjë e kuptuan shumë pak njerëz, na rrëfen vëllai i tij, Tajar Agolli, sepse nuk pati pasoja të rënda, të cilat mund të bënin bujë të madhe.
Për demokracinë është shprehur se do të preferonte, që edhe në vendin tonë të ishte siç është në vendet skandinave. Ndërsa, diskutimet që ka pasur me Ismail Kadaren, i ka konsideruar, si formën më të mirë, që mund të çonin në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Zoti Tajar, pas rënies së sistemit komunist, si ndikoi demokracia tek Dritëroi?
Ai u zemërua me diktaturën, sepse ka qenë shumë i lidhur me fshatin, por, përsa u përket tufëzimeve (ndarjes së tokave) nuk ishte dakord. Por, këtë e shprehte nëpërmjet artit! Për shembull te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, thotë se Zylo ishte një mburravec dhe i paaftë në drejtim, që ia përgatisnin të gjitha fjalimet. Kur u rrëzua Zylua nga pushteti, ai nuk pranoi ta zëvendësonte asnjë nga anëtarët e administratës së tij, por personi që do ta zëvendësonte duhet të vinte nga ministria”. Në këtë libër ai godiste qeverinë e atëhershme, Komitetin Qendror. Ideja është e thellë, por ata nuk e kuptuan këtë gjë, prandaj libri shpëtoi.
Dritëroi ndryshimin e kishte shprehur në artin e tij dhe është përpjekur që të ndërhynte në demokraci me mendimet që kishte. Kujtoj se në 70-vjetorin e tij të lindjes, para 15 vjetësh ishte i pranishëm Teodor Laço. I dola para edhe i thashë: “A të kujtohet në Qafë Krrabë tufa me gomerë, që azdiseshin. Dritëroi guxoi që të fliste në vitin 1984, duke thënë se ai nuk ishte dakord me atë që po ndodhte”. Prandaj, unë mendoj se ai ka pasur nuanca të parademokracisë, por çdo ndryshim e ka bërë gradualisht. Ndërsa, shumë u larguan nga idealet e tyre për shkak të fëmijëve, Agolli nuk e bëri këtë gjë”.
Por, cili është mendimi i tij për demokracinë realisht?
Kur e kanë pyetur për demokracinë Dritëroi është shprehur se: “Demokracia është shumë e mirë, sidomos për medien. Njerëzit e medies janë të lirë të flasin, ndërsa shkrimtarët e kanë më të vështirë. Në medie një pjesë janë jopartiakë. Prandaj unë e dua demokracinë, por e dua si në vendet skandinave, në Norvegji, Suedi, Finlandë etj. Nëse do të jetë ashtu, demokracinë do ta dua dhe më shumë.
Para disa vitesh ai realizoi dhe një takim me Ismal Kadarenë. Si është marrëdhënia mes tyre?
Dritëro është shumë shpirtmirë. Pas njëzet e ca vitesh u takua me Ismail Kadarenë. Ishte edhe botuesi i tij në atë takim. Ismaili i tha: “Nuk më pëlqejnë debatet edhe gjërat që kanë qenë më parë”. Dritëro iu përgjigj duke i thënë se: “Pa debate nuk ka përparim, sepse nëse shkon çdo gjë vaj nuk ka zhvillim. Duhet luftë dhe kritika, që njerëzit të thonë të vërtetën ashtu siç është. Shkrimtarët a duhet që të ecnin përpara? Apo duhet që të rrinin vetëm dy në maj, sepse nëse është kështu edhe pema që është pemë, por kur është e vetme në një vend shkëmbor vjen një kohë që thahet. Prandaj duhet pylli, ku ca të jenë më të lartë dhe ca më të ultë. Kështu duhet të bëhet dhe debati me shoqëri”. Kadare nuk tha asnjë fjalë pas kësaj. Prandaj debatet mes tyre kanë qenë shoqërore.
Po nga marrëdhënia që ka pasur me shkrimtarët e tjerë, çfarë mund të na thoni?
Unë kam shumë fakte, se si ai i ka mbrojtur shkrimtarët. Për shembull, poetin Vehbi Skënderi e ka mbrojtur. Mirëpo ai mbronte aq sa kishte ai mundësi, sepse kur shkonte puna tek arrestimet, më pas ai nuk kishte më fuqi, të tjerët e bënin fakt të kryer.
Pas viteve ’90 me kë ka ruajtur raporte?
Ai me të gjithë e ka pasur mirë. Janë shumë! Jo vetëm shkrimtarë, por edhe artistë, si për shembull Justina Aliaj e ka pritur në shtëpi, Margarita Xhepa, Xhanfize Keko, po ashtu Xhevair Spahiu etj. Dritëro ka shkuar mirë edhe me Teodor Kekon. Madje nxiste edhe të tjerët, që të kishte lidhje me ata që ishin më të avancuar.
Dhe së fundmi, cilët janë ata libra të cilët do të veçonit nga e gjithë krijimtaria e tij?
Janë pothuajse të gjithë librat e tij, që unë i ruaj në bibliotekën time, si “Pelegrini”, “Lypësi i kohës”, “Udhëto i menduar”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Arka e djallit”, këta dy të fundit i veçoj më tepër, i quaj kryevepra. Madje, indirekt e gjej veten në personazhet e tij, kjo ndodh edhe sepse arti përgjithëson, ndërsa babanë dhe nënën i ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë te “Për vete dhe babanë” dhe “Nëna ime, e bukura Hatixhe”.(Shekulli)